At Zef Pllumi: Takimi me ish të fejuarën e Qemal Stafës/ “Sakrificat e saj për mue, kurrë nuk do t’i harroj…”

Nga At Zef Pllumi

Gjatë kësaj kohe shifshem shumë njerz që nuk i njifshem; kur i kallzoshem Fratelit ai m’i shpjegonte se kush ishin, se i njifte të gjithë. Më ndeshi rasa me shumë kend, të fitoj edhe besimin e tyne e më rastisi me bâ edhe ndonji lidhje e shkuesi ose me bajtë fjalë: “mos prano, se nuk kam pranue” ose “kam pranue nen torturë, por ti qindro” etj, etj., “se në gjygjë nuk do të pranojë”. Ky ishte nji veprim shumë i rrezikshem për mue se në rasen mâ të vogel un do të hiqshem tortura të pabesueshme. Falemnderës Zotit e nuk më ndodhi kurgjâ.

Nji rast i tillë më solli te dhoma e Pater Palit. Kur gardiani hapi drynin, te dera doli nji vajzë e rè dhe më më mori fshesën. U bana shumë kurioz. Mfshehtas e pveta:

-Kush je ti?

-Drita Kosturi.

Për mue ishte nji emën krejt i panjohun. A thue mund të ishte ajo ndonji spiune provokatore për t’i nxjerrë sekretet të shkretit Pater Pal? Kur u ktheva në qelinë time, ku isha i lidhun dorë për dorë e kambë për kambë me Fratel Gjon Pantalinë, u vuna menjiherë në takim me dhomën perbrí, kur ishte i vetëm Gac Çuni. Ajo vrima e murit ishte edhe telefoni ynë sekret. Ai më pveste për të gjitha të rejat ose mjerimet që më kishte rastisë me pá gjatë orëve të pastrimit. E pveta me ngut:

-A din gjâ kush asht Drita Kosturi?

Ai e përsëriti pvetjen time, por me çudi të madhe shtoi:

-Pse edhe atê e paskan shtí në burg?

-E njef ti?

-Jo, jo, nuk e njof, por me të ndëgjueme; ka kenë e fejuemja e Qemal Stafës. Si mund të jetë ajo në burg? Ndoshta mund të jetë ndonji tjetër që ka të njajtin emën; këtu s’merret vesh kurrgjâ!

E me të vërtetë, kurgjâ nuk merrej vesht, as nuk kuptohej, pse kësaj burije i frynte edhe shoku im i prangave, Fratel Gjoni, i cili mund të konsiderohej njeriu mâ i përplasun me jetën, njoftësi mâ i mirë i karaktereve dhe i punëve të kësaj toke të ngatërrueme.

Mbas dis muejsh ndodhi që un të isha kojshi me dhomën ku ishte Pater Pali. Në këtë rast ai ishte vetëm. Ato vrimat sekrete ndërmjet dyshemesë dhe murit, të çiluna me bishtatë lugëve të drunjta, për né të burgosunit nuk ishin mâ sekrete se i dinim të gjithë. Sinjali se folësi i anës tjetër nuk ishte polici o provokatori ishte përplasja e prangave të duerve për dërrasa.

-Pater Pal, je vetëm?
-Tash po.

-Kush ishte ajo Drita Kosturi?

-Nji engjëll i derguem prej Zotit për me më ngushllue.

-A nuk ke dyshime në tê?

-Dyshime? Çfarë dyshimesh! Ajo asht nji vajzë e ditun, idealiste e vërtetë!

-Ajo ka kenë e fejuemja e Qemal Stafës, komuniste!

-Komuniste ndoshta po, por me atê ideal të sinqertë që e karakterizon rininë. Mos i gjyko njerëzit ashtu. Asht nji Amazonë që lufton kundra çdo tiranie, prandej edhe kundër tiranisë komuniste.

-Atëhere përse e kanë prû te ti?

Dhe më tregoi se si, gjatë torturave të hetuesisë, ai nuk kishte mujtë me durue mâ. Nuk ishte puna vetëm për tê, kërkojshin mâ tepër që ai të merrte në qafë të tjerët. Në nji çast dishprimi, kishte humbë gjykimin, kishte kalue në krizë çmendunie dhe u hodh prej dritare e poshtë. Kishte humbë ndjenjat dhe, mbasi kishte ardhë në vete, nuk mundej me lëvizë: dishka kishte thye. Atëherë ia kishin prû atê vajzë, që kishte studiue në Itali për mjekësi. I kishte shërbye jo sikur Pater Pali t’ishte babai i saj por sikur t’ishte nji fëmijë i saj.

Sakrificat e saj për mue, kurrë nuk do t’i harroj dhe po të porosis që, në kjoftë se vjen ndonjiherë dita e lirisë, ajo duhet konsiderue si mike e urdhnit françeskan.

Aty kah mesi i Prillit më larguen prej odës së Fratelit e më çuen në nji korridor të vetmuem. Te Fratel Gjoni derguen nji tjeter.

Kush ishte ai? Njo Zot e din. Por si flitej mâ vonë ishte vllai i një prej udhëqsave lokalë të pushtetit komunist, ndoshta spiun i prokurorit. Kush e din? Fakti asht që mbas nji mueji Fratel Gjoni mujti me hî në nji prej atyre odave që ishin të lidhuna me Kishën dhe u hodh poshtë. Naltsia kje e madhe dhe Frateli theu kambët. E zunë në Kishë dhe e prunë në nji batanije persri në odë ku ishte. Çfarë të rrahunash i banë, megjithse me kambë të thyeme. Çfarë ulurimash ndigjuem. Na veç luteshim që Zoti t’i jepte ndihmë atij edhe ne, se na kapi frigë e madhe.

Per disa muej nuk ua ndjeva mâ zanin, as nuk ia njofta të ecunën nëpër korridor kur ishte orari i banjës. Nuk mund e kuptova kurr. Por kah fillimi i Shtatotirt, përsri u ndje zani i tij në nji korridor ku me hundë të mbështetun në nji rreth që vizatojshin në mur e lanë disa dit ashtu në kambë në nji rreth që vizatojshin në mur e lanë disa ashtu në kambë, të lidhun, pa guxue me bâ asnji lëvizje. Mbas disa ditësh se çfarë torturash i bane nuk e kam të kjartë as sot, por ulurimat e tija tmerruen të gjithë të burgosunit. Aty në tortura vdiq.

*Shkëputur nga libri “Rrno vetëm për me tregue” i At Zef Pllumit

E përgatiti: A.S.- ObserverKult


At Zef Pllumi

Lexo edhe:

AT ZEF PLLUMI: JEMI TË PËRÇAMË DHE MENDOJMË SI T’I BAJMË VORRIN VËLLAUT!

Nga At Zef Pllumi

Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse?…

Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’.

Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën…

Tekstin e plotë mund ta lexojmë KËTU:

ObserverKult