Atdheu, liria dhe njeriu në mes

Përkitazi me librin poetik të Besim Muhadrit, “Rekuiem për librat e djegur”, të botuar nga SHB “Jakup Ceraja”, në Prishtinë, në vitin që shkoi.

Nga Pal Ndrecaj

Besim Muhadri e ka nisur karrierën letrare si poet, pastaj e ka vazhduar me prozë, më pas – si profesor i katedrës së letërsisë – angazhohet në studime e kritikë letrare dhe, kohët e fundit, i është kthyer përsëri poezisë.

Kjo veprimtari e larmishme lë të kuptojë për një krijues të formuar nga lexime të llojeve të ndryshme, në fillim ato që i nxit energjia krijuese rinore e pasioni, më vonë ato që çojnë më tej formimin letrar, fusha e prozës, e më pas ato që vijnë si intencë e formimit me dijet shkencore nga disciplina letrare, si studimi, kritika e teoria.

Nëse pajtohemi se frymëzimi nuk është gjë tjetër, pos faza kulmore e procesit të të menduarit, të hulumtimit, të persiatjes e të eksperimentimit, atëherë do të pranojmë se veprimtaria që vjen pas një aktiviteti të tillë, doemos mban vulën e pjekurisë së mirëfilltë, që përligjjen e vet më bindëse e gjen në thënien e Roland Barthes se “shkrimtari s’është tjetër, pos një lexues që shkruan”. E kundërta e kësaj duket e mundshme vetëm nga përfaqësues të asaj që ofron kuptimi i anasjelltë i lidhjes kushtëzuese të shkrimit me leximin.

Vitin që shkoi, Besim Muhadri i ka sjellë lexuesit edhe një përmbledhje me poezi të bukura, interesante për temat që trajtojnë, për idetë e mesazhet, të ndjeshme për ndjesinë e përjetimin, të kultivuara në pikëpamje të gjuhës poetike që sjellin, të gjalla për imazhet e stolitë dhe të lehta e të këndshme në të lexuar.
Tani, nuk e kujtoj dot se kush e ka thënë se një tekst që lexohet lehtë nuk dmth se është shkruar lehtë.

Tema dominante të poezisë së Besim Muhadrit janë atdheu e liria. Duke e vendosur mes tyre përherë njeriun, ai ka formësuar idenë se njeriu vlen aq sa është i dobishëm, një pikëpamje që, në masë të madhe e ofron me botëkuptimin e psikologut hebre, Alfred Adler. Me këtë temë janë shumica e poezive të Besimit, mirëpo portreti më i plotë i lirisë, edhe si përmbajtje edhe si formulim, jepet në ciklin “Portret lirie”.
Të nëntë poezitë e këtij cikli janë si nëntë pika prej nga vrojtohet liria, ku skica tematike, në secilën prej këtyre pikave, vjen duke marrë nga një ngjyrë të re, nga një vijë më të dukshme a nga një shenjë më të theksuar dalluese, ashtu që, në fund, të përfaqësojë portretin e njëmendtë të Lirisë.
Në njërën prej këtyre pikave të vrojtimit (dmth në një poezi) ajo jepet e parë me sytë e projektuesve të saj, sidomos në sytë e poetit, piktorit, filozofit:

Të gjithë ulen në sofrën e madhe të artit modern/ dhe vizatojnë portretin vigan të lirisë.

Këtij portreti, nën ndikimin e transformimeve shoqërore e politike, nesër mund t’i duken shenja deformimi, që prodhojnë zhgënjim, siç është provuar në jetë sa e sa herë, ndaj, poeti, me përgjegjësi artistike, mundohet t’u krijojë një barrierë dilemave që do të mund sjellë kjo dhe për të ruajtur të shëndoshë idenl e lirisë:

“Ejani të vdesim duke dashuruar
aktin e hyrjes në liri”,

Disi, kjo na kujton prirjen e lashtë të njeriut për t’u dukur bukur, të cilës poeti ia ka gjetur njësinë matëse, që është raporti i tij me lirinë:

Në këtë shesh
një ditë zbriti liria
të na shihte si dukemi

Besim Muhadri, sikurse në fushën e kritikës, ku shkruan qartë e pa shkaktuar terror teorik, siç thoshte Roland Barthes, edhe poezinë e shkruan kuptueshëm. Mjetet stilistike, siç thoshte studiuesja Floresha Dado, tek “Postmodernizmi, poetikë e antirregullit”, janë të mira kur përdoren në funksion të risisë, e jo kur kthehen në synim me vete.

Unë jam kundër analizave të gjata për librin, sidomos të atyre që janë më të gjata se vetë teksti që marrin në shqyrtim. Detyrë morale e profesionale e atij që interpreton një vepër arti është të gjejë pikat kryesore, elementet më përfaqësuese, çelësat kuptimorë, apo siç thotë Agim Vinca, “të tregojë si ekziston estetikisht një vepër letrare”. Të tjerat i përkasin lexuesit, i cili, duke pranuar a refuzuar, shfaq, pos tjerash, edhe masën e besimit të tij në kritikën. Jo rrallë, hedhim libra sapo t’i hapim në faqet e para, pasi t’u kemi shkuar në çerek apo pasi t’u jemi futur më në brendi, dhe, në një mënyrë, bashkë me të, kemi hedhur edhe mendimin e kritikut mashtrues.
Vetëm të nisur nga një vetëdije e tillë i japim kontribut të çmuar marrëdhënies së lexuesit me librin, e cila marrëdhënie po bëhet çdo ditë e më e ftohtë.

ObserverKult


Lexo edhe:

PAL NDRECAJ: ME POETIN E DIPLOMATIN KUJTIM MORINA