Më 23 shkurt të vitit 1924 një 18 vjeçar me emrin Beqir Valteri bëri atentat kryeministrit në detyrë Ahmet Zogu teksa u fut në parlament. Beqir Valteri është paraardhës i Halit Valterit, deputet aktual në parlamentin shqiptar.
Halit Valteri ka qenë i ftuar në emisionin HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU në grupin mediatik “FJALA”në të cilin ka rrëfyer të gjithë historinë e Beqir Valterit. Në librat e historisë kjo ngjarje jepet me më shumë detaje nga Eqrem bej Vlora, deputet dhe dëshmitar në atë moment kur ndodhi atentati.
“Nuk shkoi shumë dhe kjo politikë e papërgjegjshme u kthye edhe kundër Ahmet Zogut vetë. Si vegël për këtë, demokratët përdorën djaloshin esktravagant matjan, Beqir Valterin. Beqir Valteri rridhte nga një prej familjeve gjermane të cilat në kohën e Skënderbeut qenë thirrur në Mat për të prodhuar barut. Këtë të ri ata e përpunuan për një kohë të gjatë, derisa ai pranoi të vrasë mirëbërësin e tij Ahmet Zogun, njeriun që para dy vjetësh me paratë e veta e kishte çuar për studime në Itali. Po a ishte për tu çuditur me këtë plan vrasje kur, vrasësi i Esad Pashë Toptanit, Avni Rustemi, të cilin drejtësia franceze, me një manipulim të habitshëm të ligjit, e nxori të pafajshëm dhe që qeveria shqiptare e shpalli hero dhe e bëri deputet, kur ky vrasës i pabesë pra, kapardisej në Tiranë dhe brohoritej ngado si shpëtimtar i atdheut. Ky shembull u tregonte djemve shqiptarë se si me anë të një plumbi të shkrepur nga prapa shpinës, si burracakët, mund të bëheshe njeri i madh”! Grupi i vrasësve demokratë ia besoi çirakun Beqir Valteri mjeshtrit të vjetër të Avni Rustemit për ta shkolluar. Ditë për ditë, në një vend jashtë Tiranës e në prani të disa krerëve, zhvilloheshin ushtrime në qitje, siç e pohoi më vonë vetë atentatori. Më 23 shkurt 1924, gati të gjithë ne, deputetët kishim zënë vendet tona për seancën e pasdites në Asamble. Mungonte vetëm qeveria, pra edhe kryeministri Ahmet Zogu. Unë rrija si gjithmonë pranë metropolitit Fan Noli, në bangën e radhës së parë. Befas ushtuan dy krisma në shkallët e ndërtesës që u pasuan nga një qetësi e ngrirë. Pastaj u hapën me vrull dyert e sallës dhe brenda hyri Ahmet Zogu, me revolver në dorë. Ai ishte prerë në fytyrë, por ecte me shtatin drejt dhe pasi disa çastesh e mori veten, madje buzëqeshi dhe vajti me çap të sigurtë te bangoja e qeverisë. Ku u ul në një vend të caktuar për sekretarët. Ne të gjithë u bëmë në çast të vetëdijshëm për gjendjen dhe e kuptuam menjeherë se çkishte ndodhur. Se në raste të tilla populli ynë e mbledh veten shpejt dhe është shumë i disiplinuar. Disa deputetë që kishin miqësi me Ahmet Zogun iu mblodhën përqark, pjesa tjetër ngriu kërcënueshëm nëpër vendet e saj prapa nesh. Të gjithë ishin të armatosur. Të vinte puna te armët, unë isha në mes të plumbave të miqve dhe armiqve. Ndaj brofa në këmbë, i përshpërita në vesh peshkopit “bëfshi qef” dhe nxitova drejt llozhës së dëgjuesëve. Dërgova mjekun ta vizitonte Zogun. Plagët ishin të rënda, por pa rrezik për jetën: Dy plumba e kishin marrë kalimthi duke e çarë thellë, njëri në kofshë dhe tjetri në baqth. Plagët u lidhën përkohësisht. Nga karrigia ku rrinte Zogu foli me zë të fortë e të qetë” Zotërinj! Nuk është hera e parë në botë që në parlament ndodh diçka si kjo që më ndodhi mua. Unë ju lutem miqve të mi ta peshojnë rastin me gjakftohtësi dhe pastaj të veprojnë. Ndërkohë në hollin e parlamenti dëgjohehsin krisma të njëpasnjëshme. Ishim të shqetësuar se kush qëllonte dhe kundër kujt. Më vonë mësuam se atentatori Beqir Valteri ishte ngujuar në nevojtore, ndërsa rojet e parlamentit për ta detyruar të dorëzohej e bënë shoshë strehimin e tij. Ndërkaq Beqir Valteri këndonte në nevojtore këngë herorike mbase për ti dhënë zemër vetes dhe nga prapa derës qëllonte edhe ai trimërisht mbi rrethuesit. Ahmet Zogu përdori me mjeshtëri një mjet që i dha mundësi të vriste dy miza me një të qëlluar. Ai nuk lejoi ti preken as qimet e flokut atentatorit të kapur por e thirri dhe e pyeti përse kishte dashur ta vriste. Beqir Valteri i tregoi të gjitha pa fshehur asgjë për çka jo vetëm iu fal jeta por edhe u trajtua mirë gjatë kohës që qendroi i burgosur në kazermën e rojeve të parlamentit. Atentatori që të tëra këto mi ka rrëfyer vetë më 1943, largohet prej vendi më 1925 kur Partia Demokratike u dëbua nga Zogu dhe shkoi në Francë. Prej andej kthehet përsëri në Shqipëri më 1939 dhe pushkatohet nga komunistët më 1945. Ahmet Zogu e dinte kush ishin organizatorët. Ai pajtoi një njeri në Tiranë që kishte marrë prej vitesh me qira një mulli bloje nga Esad Pasha, i cili e qëlloi me një revolver dhe e plagosi rëndë Avni Rustemin, vrasësin e Esad Pashës Toptanit dhe nxitësit kryesorë të atentatorit kundër Ahmet Zogut.“
*(Eqrem bej Vlora në librin “Kujtime”, faqe 501)/Fjala.al