Aurel Plasari: Një palë çorape kineze shkaktuan problem shtetëror

aurel plasari borges

Nga Aurel Plasari

Kishte mbërritur në Kinën socialiste për “vizitën miqësore”, kur Pablo Neruda pati nevojë të blinte një palë çorape: përpos atyre që kishte mbathur, kishte harruar të vinte çorape në valixhe. Nuk ia pati marrë mendja kurrë që ajo palë çorapesh e tij do të shkaktonin një problem të vërtetë shtetëror për shokët kinezë, siç e ka treguar vetë te ‘Rrëfej që kam jetuar’ (1979).

Shokët kinezë diskutuan një copë herë të gjatë mes tyre, kokë më kokë, ndërsa Neruda priste tok me shkrimtarin Ilja Ehrenburg, edhe ai i pranishëm në atë vizitë. Pas debatesh nervoze të shokëve kinezë, të gjithë u nisën nga hoteli në autokolonë: në krye makina me dy miqtë, domethënë shkrimtarët, mandej ajo e rojeve, ajo e policisë, ajo e përkthyesve. Autokolona lëvizi me shpejtësi dhe çau përmes turmës gjithnjë më të dendur. “Kalonim si një ortek mes hapësirës së ngushtë që na linin të lirë njerëzit”, ka treguar shkrimtari.

Me të mbërritur në shitore, zbritën me vrap shokët kinezë dhe i detyruan të gjithë klientët të dilnin nga shitorja, ndaluan trafikun, formuan një barrierë me trupat e tyre, një korridor njerëzor mes të cilit kaluan “me kryet ulur” Ehrenburgu dhe Neruda, për të dalë përsëri “me kryet ulur” një çerek ore më vonë me një pako në dorë.
Mirëpo në hotel Ehrenburgu u kujtua se kishte pasur nevojë për një shami dhe kishte harruar ta blinte. Tmerr! Ranë një mendjeje të dy se i binte më mirë që, sa herë të ndjente se mund t’i rridhnin, Ehrenburgu thjesht le t’i ndillte hundët pa bërë zhurmë.

ObserverKult

Lexo edhe:

AUREL PLASARI: FISHTA DHE “GOMERËT” E POLITIKËS