Aurela Gaçe mbron Eli Farën: Ke duruar shumë- kësaj here ishte mbi çdo cak njerëzor

Këngëtarja Aurela Gaçe i ka dalë në mbrojtje koleges dhe mikeshës së saj, Eli Fara, pas pretendimeve ndaj kësaj të fundit se ka mbajtur post në administratë për rreth 8 vite në dy ministri dhe ka përfituar para nga shteti dhe udhëtime falas. Gaçe shprehet se Fara ka duruar shumë përballë shkrimeve shpifëse dhe sulmeve, por këtë herë u kalua çdo cak njerëzor.

“E kam thënë shpesh edhe hapur që kush të njeh ty është me fat. Unë jam një nga ata njerëz që kam marrë nga mirësia jote, nga njerzillëku, nga fisnikëria, nga besnikëria jote. Ke duruar shumë, shumë herë në shumë raste ke heshtur përballë shkrimeve e sulmeve. Këtë herë ishte mbi çdo cak njerëzor. Duhet të dish se ata që të duan, të duan edhe këtë se ndryshon asnjë shpifje. Mua nuk më habisin më barërat e këqija, sepse në kohën kur njeriu është i aftë të vrasë dhe të dhunojë një tjetër njeri që këtu kupton se ndjesitë kanë mbaruar. Por më çudit fakti që gazetaria thjeshtë bën copy paste një lajm. As kërkojnë fakte, as pyesin, thjeshtë shpërndajnë helmin. Pa menduar dëmin psikologjik e shpirtëror që mund t’i shkaktojnë dikujt.”, u shpreh Aurela Gaçe.

Disa media pretenduan disa ditë më parë se Eli Fara, nga muaji janar 2006, deri në muajin gusht 2009, është paguar në Ministrinë e Mbrojtjes për postin “Drejtore Inovacionesh”. Më pas, sipas pretendimeve, kur ministri Fatmir Mediu, u zgjodh në krye të Ministrisë së Mjedisit, ai e emëroi këngëtaren si “Drejtore të Përgjithshme për Ngrohjen Globale”.

Eli Fara iu përgjigj akuzave, duke thënë se gjithçka ishte shpifje ndaj saj. Ajo tha se nuk ka vjedhur dhe mashtruar askënd dhe gjithçka që ka e ka falë zanatit si këngëtare. Fara shprehet se asnjëherë nuk ka udhëtar apo të marrë rrogë si drejtoreshë në ndonjë ministri./dritare.net

LEXO EDHE: Akuzat ndaj Eli Farës- reagojnë vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi