Avni Alija: Betty

(Fragment nga projekti në dorëshkrim: Gerhard Richter. Mjeshtri i polimorfizmit)

Betty është pikturë e Gerhard Richter (Gerhard Rihter). Datuar në vitin 1988. Vaj në pëlhurë. Pikturë e realizuar simbas një fotografie nga viti 1977. Përballë kundruesit është një vajzë dhjetë-dymbëdhjetëvjeçe. Ka të veshur  mantelin rozë të mëngjesit. Ka kthyer kokën dhe vështron diçka mbrapa shpinës së saj; për kundruesin duket sikur Beti të ketë harruar dorën e majtë në këtejbotë, aty ku rasti e bie të gjendet edhe “lexuesi” i narracionit rihterian. Rihter ka pikturuar vajzën e vet. Babetën.

Çfarë është duke shikuar Beti?

Është një shtysë e parë perceptive, e pangarkuar nga materie kognitive, kjo pyetje pararendëse që mund ta shtrojë kundruesi i Betit apo ndoshta është pyetje nga ato që ndryjnë brenda një përgjigje të atypëratyshme; sapo të kemi shtruar pyetjen se çfarë është duke shikuar Beti, ne kemi kaluar pavëmendshëm brenda procedeut krijues, kemi prekur portën e parë të një sprove hermeneutike. Duke pyetur se çfarë është duke vështruar Beti, kemi kaluar vetvetiu në një metaformë perceptimi të ndërdijshëm. Kjo për faktin se tashti jemi duke shikuar diçka bashkë me Betin; porse nga Stimmungu që e mbështjellë këtë vepër në pëlhurë, e ndiejmë se vështrimi i Betit, vështrimi ynë për Betin dhe vështrimi i autorit të Betit do të ndërtojnë  një metarrafsh triadik për të cilin ia vlen të rroket e të ndalohet ritmi ynë kohor i të frymuarit të përditshëm. Ia vlen të përfitojmë nga ndjesitë e të përjeturit, ia vlen të meditojmë mbi përvojën shqisore gjatë procesit venerues. Dhe, ia vlen të ndërfutemi në një bisedë të gjatë mbi poetikën e  kësaj pikture, mbi teknikën e njëmendësimit përmes mediumit ngjyrë në pëlhurë; mbi prirjet e piktorit Gerhard Rihter në të paraqiturit  ambiguitiv: mbi  polimorfizmin rihterian, mbi ligjet e kompozicionit e kompozitave dihotomike si metodë rihteriane në të shpërfaqurit e tematikave që ai trajton.

Betty, nën thjerrëzat hermeneutike, është edhe reprezantim i një tendence programatike brenda sistemit krijimtar të piktorit Gerhard Rihter. Është një vepër qëshënjon vijën ndarëse brenda një sistemi të personalizuar autorial të piktorit. Njëkohësisht, kjo pikturë është shenja integruese, pika shënjuese e mesit të artë në Opusin e krijuesit Rihter; është gramatika e karakterit krijues brenda metodologjisë, stilit dhe tendencave tematike në sistemin rihterian.

Te Beti, piktorin  e ndeshim drejtëpërdrejt edhe në rolin e rrëfimtarit. Gerhard Rihter, Piktori, është pjesëmarrës i ngjarjes së rrëfyer; por ai nuk është personi për të cilin rrëfehet. Ai është, megjithatë, krejt afër personit për të cilin rrëfen. Është autori, piktori dhe i ati i të portretuarës.Të përkujtojmë kalimthi: Gerhard Rihter për dekada me radhë është një nga përfaqësuesit më domethënës në skenën e arteve pamore.  Gerhard Rihter sot është piktori më i njohur në botë.

Nëse kemi shtruar më sipër pyetjen se çfarë është duke vështruar Beti, ne nuk kemi bërë tjetër porse kemi rikujtuar mjegullt pyetjet e kahmotshme që i kanë shtruar radhorë gjeneratash të artkrijuesve e të artdashësve të gjetur përballë një situate të ngjashme frymëzimi të bekuar estetik:

Kujt është duke i buzëqeshur Mona Lisa?

Çfarë premton vështrimi i mbetun peng i Vashës më vathë të kaltër të Jan Vermeer?

Kujt ia falin dhembjen portretet e Elizabeth Peyton?

Kush do të marrë mundin t’i shpëtojë nga petku i gurtë i nostalgjisë figurat e Edward Hopper?

Do ta gjejë vallë një përgjigje mbi misterin e jetës tej horizontit Murgu ndanë detit i Caspar David Fridrich-ut?

Betty ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në St. Louis.

Në katalogun Saint Louis Art Museum. Nr. 663-5.

Me profil të anashkthyer, portreti shquhet me jopraninë optike të karakterit individual; sytë, buzët, balli mbeten në dimensionin e imagjinatës. Vetëm kombinimi i rrobave, flokët e bëra bashkë dhe lëkura e tejlëmuet zgjojnë përshtypjen se bëhet fjalë për një vajzë në moshë të njomë. Vështrimi i të portretuarës lë në pezulli të plotë vështrimin e kundruesit; sfondi është i errët, i padiferencuar. Vështrimi i kundruesit ndahet në dysh, porse e gjithë vëmendja mbetet e përmbledhur në figurën e portretuar. Ndërthurja e një abstraksioni të plotë -sikur në veprën e Mark Rothkos- në sfond dhe një realizmi figurativ sikur tek Gruaja në dritare  e një Caspar David Fridrich-u, apo edhe Vasha e re- nga Eskuena e Salvador Dali-së është i pashmangshëm për një kundrues të vëmendshëm.

Një tjetër detaj ambivalent është paraqitja e konstitucionit fizik. Pra, qëndrimi i të portretuarës; e portretuara rri mbështetur në dorën e majtë. Për kundruesin dora gjendet në këndin e djathtë të pikturës dhe duket sikur në secilin çast ajo do të kthejë kokën dhe trupin për t’u bërë prapë një me botën prej së cilës ka pretenduar të ikë. Qëndrimi i të portretuarës është detaj narrativ në vete; është një qëndrim i … shqëndrueshëm. Ka një dinamikë të butë, të brishtë, zgjon pritjeshmëri te kundruesi. Është më shumë një paqëndrim, një ikje krejt e shkurtër, një ndarje, një personifikim i një gjendjeje të përmallshme të vetë ekzistencës njerëzore.

Duke vështruar e medituar për Betin, e natyrshme është pyetja se çfarë është një pikturë? Bibliotekat janë të mbushura mirë e mirë me libra për pyetjen se çfarë është piktura: kjo pyetje shtrohet natyrisht vetëm e vetëm si hapërim për t’iu afruar mjeshtrisë së të pikturuarit; asaj  technes së Aristotelit. (Të gjitha rrugët nuk çojnë vetëm në Romë, por edhe te Aristoteli!).

Një pikturë është, në radhë të parë, një paraqitje. Paraqitje e diçkajes, e dikujt, e shumëkujt apo e shumëçkafit në botë. Është në radhë të parë mimesis. Porse, piktura është edhe shpërfaqje poetike; shpallje ideoestetike; shkrirje e plotë në botën platonike të ideve, shlyerje e plotë përmes substancialitetit imanent në imaterialitetin ideoestetik. Të përkujtojmë abstraksionin e thellë të piktorit Mark Rothko. Ikja totale nga figurshmëria! Shtresa, nënshtresa e mbishtresa ngjyrimesh njëra pranë tjetrës, njëra sipër tjetrës, që të ndërfusin gjatë vrojtimit në një imaterialitet të shtresëzuar që na e dhuron vetëm arti i muzikës me atë veçantinë e papërsëritshme të të ekzistuarit vetëm e vetëm në bërje e sipër. Kanë ekzistuar zëra kritikë për Mark Rothkon dhe artin e tij vizual; se ai ngaqë ishte një piktor i ngathët, shumë i ngathët, i ishte kthyer tërësisht abstraksionit ekstrem; veprat e Rothkos ndërkaq tashmë janë pjesë e kujtesës së përbashkët të njerëzimit. Është e njohur thirrma e tij se njeriu gjatë vrojtimit duhet të përshkrihet me pikturën. Piktura për Rothkon ishte  religjion më vete. Por, edhe në këtë pikë është e arsyeshme të marrim frymë thellë e ta themi uratën. Sa mirë që ekzistojnë piktorë të ngathët!; përmes dhembjes së tyre në kërkim të ndonjë shprehjeje, (diçka si-dalje, si-hudhje-, do të thoshte Martin Heideggeri), të vetvetes në botë, përmes atij aktit të repulsionit të famshëm të Hegelit, kristalizohen në botën e arteve pamore stile, metoda, prirje, e rryma të nduarduarshme. I ngathët në pikturë është edhe gjermani Anselm Kiefer. Ngathtësinë në të pikturuar ai e ka sipërtheksuar edhe vetë, por hidhni vëmendjen e shihni se ç’vepër të magjishme, tronditëse, universale, thelbësisht trazuese, ka krijuar Anselm Kiefer përmes formave të tjera të shprehjes artistike; të vështrojmë ca më gjatë ciklin me librat e plumbëta! Të vështrojmë skulpturat dhe instalacionet prej telash  të ekspozuara më 2020 në Tate Modern Museum, për të cilat ai thotë se u referohen teorive moderne të fizikës kuantike dhe meditimeve të një Werner Heisenbergu dhe një Niels Bohri.

Të rikthehemi në temë! Do të thoshte Marcel Reich – Ranicki.

Piktura e Gerhard Rihter, Betty, 1988, mund të vështrohet nga të dy perspektivat e ligjësive krijuese. Nga mimesis dhe poiesis. Kjo pikturë ndërlidh të dy metodat. Të dy perspektivat. Të dy mënyrat e çasjeve dhe prirjeve për të estetizuar në shkallë përsosmërie.

Gerhard Rihter, duke trajtuar në kuptimin empirik veprën në pëlhurë, thotë se të portretuarit e Babetës me kokë të kthyer, kishte të bënte me ndjesinë universale të mallit. Të ikjes. Të ndarjes. Në pyetjen se vallë çfarë mendonte Richter mbi faktin se tashmë Betty ishte shndërruar në një Ikonë të përbotshme, piktori ishte përgjigjur me thjeshtësi, si përherë, por kësaj radhe me një thjeshtësi lapidare se: po, ai e ndiente këtë, se ishte një pikturë shumë tërheqëse, se ishte pikturuar me delikatesë. Se kishte një ngjyrëshmëri të bukur, “se kishte një kontrast interesant në midis sfondit të errët dhe mostrës së përndritshme të luleve në xhaketën e mëngjesit që kishte veshur bija ime”. Mostra e luleve … e luleve!? Një nga piktorët më të njohur në planet provon të gjejë një përthekim objektiv për ndjesi thellësisht private duke përmendur kompozicion me lule. Mirëpo, nëse filozofë me emër, sikur është, po e marrim tani, Byung Chul Han, shkruajnë libra për dimensionin ontologjik të luleve, përse piktorët të mos emocionohen nga lulet që vetë kanë vizatuar!  

Filozofi koreano-gjerman Byung Chul Han publikon më 2018 një libër për enigmën e ekzistencës së luleve. ”Lob der Erde: eine Reise in den Garten”. Në shqip: Lavdi tokës: shëtitje nëpër kopsht. Një filozof, ligjërues universiteti, i njohur, i respektuar, i kundërshtuar e i diskutuar në përmasa globale, ka marrë mundin të shkruajë një libër për lulet. Dr. Han është profesor universiteti në Hamburg. Mbërrin në Gjermani në moshën 23-vjeçare; në Korenë e Jugut ka studiuar artin e inxhinierisë mekanike e, në Gjermani ia përkushton krejt qenien filozofisë. Përveç tjerash, në Librin për Lulet(!) ai rrëfen se në përballje me gjuhën e re që mësonte, kishte përfituar ndjesinë se po hipersensibilizohej nga fjalëformimet e gjermanishtes. Të këtilla ishin edhe disa nga fjalë-kompozitat për  lulet. Ishte  një lloj mikrokozmosi fascinues, thotë Han. Një filozof bashkëkohor  i përkushtohet Kozmosit të Luleve për tri vjet me radhë. Vendos të shkëputet nga përditshmëria akademike, ikën për në Itali, zë me qira një kasolle dhe i përkushtohet me shpirt botës së luleve dhe botës së dheut; rrëmih tokën, përgadit shtretërit, përzgjedh me kujdes farërat, mbjell farërat, ujit lulet, merr dheun në duar dhe mediton gjatë e gjatë… e shihni pra, në këtë botë ka ende njerëz me fat! Kanë luksin të ikin nga përditshmëria. Stof për një film të shkurtër! T’ua kesh lakmi apo jo banorëve të fatshëm të këtij planeti plot hektik-ë. Është, në fund të fundit, krejt çështje personale e të pozicionuarit në botë e në jetë; Byung Chul Han ka kërkesa modeste përballë realitetit fizik; është pra një asket modern, subtil, ka përzgjedhur një stil në mes të filozofisë së mirëqenies materiale të Oksidentit dhe një lloj Zen-Budizmi (a)sakral të Orientit.

Lulet pra janë element qendror kompozicional jo vetëm në mantelin e mëngjesit të së bijës dymbëdhjetëvjeçe të piktorit! Në korpusin e veprave të Rihterit është një cikël mahnitës me natyrë të qetë: e lulet janë motivi qendror i ciklit. Ta mbajmë ndërmend faktin se Gerhard Richter është Mjeshtër i Polimorfizmit. Vepra e tij është në vetvete një polimorfim konceptual, teknik, intermedial, metodologjik. Shumëformësia është obsesion programatik, pedant, i ngulmët i piktorit.

Është përmendur kaq herë një mendim i Ernst H. Gombrich nga vepra e tij “Historia e artit” ( Die Geschichte der Kunst. Phaydon Verlag, Berlin), se po ta kundrojmë në kuptimin e ngushtë, artet nuk ekzistojnë. “Ekzistojnë vetëm artistët krijues”.

Kur përmenden emrat e njohur në artet pamore, ngjitur me emrat e artistëve shpërfaqen veprat e tyre; Da Vinci me Mona Lizën, Munch me Klithmën, Salvador Dali me Stacionin e Perpignanit, Albrecht Dürer me Vetëportretin me gëzofin e leshtë. Ndërkaq, kur përmendet Gerhard Richter, emri i tij në historinë e arteve do të ndërlidhet përgjithmonë me Bettyn nga viti 1988. Pa u harruar edhe lulet e ndritshme në mantelin rozë të së portretuarës.

(…)

ObserverKult


Lexo edhe:

BOTOHET ROMANI „KATALOGU I NJOLLAVE“ I AVNI ALIJAJT