
Krejt çka të duhet është dashuria
( për J.L.)
Dje ishte e diel me shi qershori
Dhe pos dashurisë që ishte një
“lojë aq e lehtë për tu luajtur”*
Nuk kishte asgjë për të qenë
As verë as gra as det
Rëra e shkretëtirës nuk llogaritet
Për zotin asgjë pos tingujve dhe puthjeve tua
Ishte si duket 14 qershor 1967 e unë isha
Një fetus i çuditshëm shtatëmuajsh
Shkelmak i parehatshëm thotë Shifa
Aso kohe doja të isha binjak me ty
Ishte po ajo e diel pasdite me ajër
Qind për qind lagështi unë dëgjoja po këta tinguj
Dhe derisa sillesha rreth sistemit tënd
Diellor ëndërroja parajsën
Pastroja shpirtin dhe sytë
Nga ndytësirat dhe gjaku
Dhe vargjet mesatare
Nga dritarja me grila kërkoja atë pamje
Të atij këndi të lënë të Dardanisë
Ku asgjë nuk na duhej
Pos ajrit dhe dashurisë
Që ishin bërë një
Si unë dhe ti
*vargje të këngëve të bendit “Beatles”
ObserverKult
lexo edhe: