Babë, pse u dëshpërove aq shumë kur linda?!

Babë, pse u dëshpërove kaq shumë kur linda, a nuk jam edhe unë gjaku yt?! Edhe unë mund të bëhesha krenaria e lumturia jote.

Letër familjes që pata dhe asaj që nuk do ta kem kurrë

Unë ekzistoj dhe kam ekzistuar. Nanë, kam qenë aty kur e more vesh që do të merrje këtë emër.
Kam dëgjuar lutjet tua netëve të vona që të isha djalë, sepse kështu do të bëheshe me trashëgimtar e familja do të të donte më shumë, do të të mbronte e do të kishte kush të kujdesej për ty kur të plakesh.
Isha aty teksa dëgjoje mitet e të tjerëve teksa të thonin se ishe zbukuruar, prandaj ndjenin keqardhje se do të lindje vajzë.

Nga Fatbardhë Kiqina

Megjithatë, lutjet tua nuk u dëgjuan. Unë linda vajzë dhe në frymën e parë që mora, dëgjova vajin tënd, dëshpërimin e babait e mallkimin e pjesës tjetër të familjes.
I kuptoja fjalët tua “ah, sikur të ishe djalë, do të ta bëja hallall edhe përkujdesjen që po ta bëj”, por moj nanë, a nuk meritova diçka më tepër se kjo përkujdesje e ftohtë, e përcjellur nga lotët.

Babë, pse u dëshpërove kaq shumë kur linda, a nuk jam edhe unë gjaku yt?! Edhe unë mund të bëhesha krenaria e lumturia jote.
Por, e di. Nuk keni faj ju. Edhe ju jeni viktima po aq sa edhe unë. Unë po rritesha, po merrja hapat e parë. Bukuria e fjalët e mia të lëna në gjysmë e të paartikuluara mirë, e shkrinë zemrën tuaj të akullt, por asesi nuk bënë që të merrja dashurinë e birit tuaj që u lind pas meje.

Dashuria juaj erdhi vetëm pas lindjes së tij, sepse ndiheshit të lehtësuar. Rastësisht, ditëlindjet tona qëlluan në të njëjtën datë, ndjenjë e bukur, apo jo?
–Por, pse mua kurrë nuk m’u festua ditëlindja?
Pse nuk mora asnjëherë asnjë dhuratë?
Pse ishte vetëm një tortë ditëlindjeje, e cila nuk ishte e imja?
Pse urimet e familjarëve nuk bëheshin edhe për mua?
A nuk ekzistoja unë?
A nuk kisha edhe unë vlerë?

Me këtë më mësuat se unë isha dhjetë shkallë më poshtë se sa “trashëgimtari” i familjes. Më mësuat se jeta ime nuk ishte e rëndësishme sikurse e tij.
Gjyshe, ti e mësove nënën time, më mësove edhe mua se duhet ta nxjerr kafshatën nga goja ime e t’ia jap vëllait, sepse mirëqenia e tij ishte më e rëndësishme se gjithçka.
Si unë, ashtu edhe nëna jemi viktimat tua gjyshe, sepse ti ishe viktima e dikujt tjetër para nesh.
Sepse, kështu të mësuan e ti nuk dite ta mësosh më mirë nënën time.
Kështu, viktimizimi, padrejtësia dhe e keqja u bënë zinxhirë që rëndonin e kishin krijuar plagë vetëm në qafën e vajzave si unë.

Edhe përkundër padrejtësive e vështirësive, u rrita.
Babë, unë shumë e doja shkollën, ti e dinë mirë këtë.
E doja aq shumë, sa preferoja të bëhesha e shurdhër kur më thoje qysh ne klasën e parë se pas pak vitesh do të ndahesha prej saj e do të filloja ta ndihmoja nënën në punët e shtëpisë, kurse as ajo nuk mendonte ndryshe nga ti, ose së paku nuk e kishte guximin të të kundërshtonte.
Ti ishe burri, ti do të vendosje për fatin e familjes.
Ti e mbaje në dorë jetën time.
Im vëlla nuk mësonte shumë, ndoshta sepse e dinte që prapë se prapë do të shkollohej, por edhe po të mos e bënte këtë, tek e fundit si trashëgimtari i vetëm që ishte, do ta merrte tërë pasurinë e familjes.

Në anën tjetër, unë mësoja shumë, ëndërroja shumë e shpresoja shumë që përpjekjet e mia do t’ua ndryshonin juve mendjen, por nuk e bëtë asnjëherë.
Babë, po ta kisha mbështetjen tënde, sot do të isha mjeke dhe do të ndiheshe shumë krenar për mua.
Por, në vend të kësaj, zgjodhe t’i dëgjosh të tjerët që ishin si ti, që flisnin pandalë e ta mbushën mendjen me fjalët e tipit: “shkolla është për burra, kurse shtëpia për gra”, “nëse e shkollon atë, nuk je burrë”, “i ka ardhë koha për martesë e s’ta merr askush po u shkollua”, si dhe shumë të tjera të këtij lloji që më vranë mua e të ardhmen time.
Por babë, a kishe të drejtë të ma merrje jetën e të m’i vrisje ëndrrat?
A nuk isha edhe unë fëmija yt?
A nuk do të duhej të sakrifikoje edhe për mua, siç bëre për tim vëlla?

Pasi nuk më shkolluat, i mësova të gjitha punët e shtëpisë, sepse sipas teje nanë, shumë shpejt do të martohesha e do të “rehatohesha në shtëpinë time”. Ajo ditë edhe erdhi, e sollët ju.
Por, a më pyetët mua se çfarë doja, kë doja, apo edhe së paku, nëse doja të martohesha.
Asnjëherë nuk e bëtë sepse sipas jush, isha bërë 17 vjeç e kishte ardhur koha të krijoja familjen time, ndonëse unë nuk e doja këtë, sepse kisha ëndërruar një jetë tjetër. Një jetë ku unë do të shkollohesha, do të ndërtoja karrierë, pastaj do të dashurohesha, ashtu shumë thjeshtë, pa ndërhyrje e shtirje.
Por, falë jush, kjo jetë mbeti vetëm në kokën time.

Babë, u martova, sepse shoku yt paska pasë një djalë 10 vjet më të vjetër se unë, e ti si mik i mirë që ishe, ja fale vajzën tënde. Më shite.
Nuk e pashë burrin tim asnjëherë para martesës, nuk e doja, madje nuk doja të martohesha fare, por ty nuk të interesonin ndjenjat e mia.
Po, fillova ta doja, ose së paku u mësova ta doja sepse fillon të të hyjë në zemër një person me të cilin do ta kalosh pjesën tjetër të jetës. Por, a je interesuar ndonjëherë se si është trajtuar vajza jote në shtëpinë që ti e quaje “të saj”?!
Në atë shtëpi u bëra gjithçka e më trajtonin kafshërisht.
Punova, shërbeva, pastrova e u kujdesa për një shtëpi të tërë, por asnjëherë askush, as faleminderit nuk më tha.

E di që të gjithë ju, pronarëve të mi, ju kujtohet dita kur erdha e përgjakur në shtëpi, pasi kisha refuzuar ta lë fëmijën e sëmurë të kunatës sime, për të përgatitur ushqim për “parazitët” e shtëpisë.
E di që ju kujtohet akoma më mirë se çfarë më thatë atë ditë.
“Po ta kishe dëgjuar burrin tënd , do të ishe shëndoshë e mirë dhe e lumtur në shtëpinë tënde” – më thatë, por unë asnjëherë nuk isha e lumtur dhe për më tepër, ajo shtëpi asnjëherë nuk u bë e imja.
Unë nuk munda asnjëherë ta përmbushja misionin për të cilin edhe isha martuar, të bëja fëmijë.
Kështu, burri im më hodhi si një leckë të përdorur, sepse nuk isha “e zonja” t’i lindja trashëgimtarë.

“Sa për mua do të të mbaja dhe do ta merrja një tjetër, sa për të më lindur fëmijë, por familja nuk më lejon”, më kishte thënë ai, teksa unë i lutesha për mëshirë, sepse nuk kisha ku të shkoja dhe nuk mund t’i bëhesha barrë vëllait, i cili kishte një punë të mirë e jetonte i lumtur, sepse ishte djalë, e meritonte.
Sepse Zoti e Kanuni e kishin ngritur një shkallë më lart se sa mua.
Duke mos dashur të më mbanit gjatë “në derë”, më martuat me njeriun e parë që erdhi të më kërkonte.

Ishte njeri i mirë e i pasur, por i kishte vdekur gruaja para disa kohësh e i kishte lënë fëmijë, për të cilët duhej të kujdesej dikush, e ajo dikush, isha përsëri unë.
U kujdesa për ta, i ushqeva, i rrita, i edukova, kurse ata më respektuan, por kurrë nuk u bëra nënë për ta.
Asgjë nga këto nuk do të më kishin ndodhur, nëse do të më kishit dashur ju, familja ime. Po të isha po aq e rëndësishme sa edhe vëllai, ju do të festonit ardhjen time në jetë, kurse sot, unë do të isha e zonja e vetës.
Po të më lejonit të shkollohesha, sot, do të më shihnit duke i jetuar ëndrrat e mia, do të ishit krenarë me vetën që nuk lejuat të nënshtrohesha e të bëhesha shërbëtorja e askujt.

Po të më konsideronit edhe mua si gjakun tuaj, sot, unë do ta kisha pronën time, të cilën e trashëgoi vetëm im vëlla e nuk do të kisha nevojë për keqardhjen e lëmoshën e askujt, aq më pak të tij.
Po të dinit se çka është më e mira për mua, sot, unë do të kisha familjen time të vogël e të lumtur, pranë njeriut në të cilin do të dashurohesha.
Vetëm po të dinit se diku në botë vajza dhe djali konsiderohen dhe trajtohen njësoj, sot, unë nuk do të isha kjo, por do të isha “Unë” e ëndrrave të mia.
Po të kisha fëmijë, nuk do i dalloja, nuk do i krahasoja, do i doja njësoj.
Vetëm po të kisha një vajzë, do e mësoja atë që askush dhe asgjë nuk është më e vlefshme se jeta e saj.

Sepse, po të kisha një vajzë, do ta lejoja atë të bëhet “Ajo” e ëndrrave të saj, do të bëhej ajo që nëna e saj nuk mundi kurrë, nuk e lejuan.
Do e mësoja djalin tim që gjinia që ai do ta mbante, nuk e do e bënte atë më të ngritur, as më të mençur, as më të vendosur.
Gjinia, nuk do ta bënte burrë.
Një si unë do të ekzistoj gjithmonë, derisa ju do të vazhdoni të sakrifikoni jetët e vajzave dhe grave tuaja, për të plotësuar egon tuaj dhe të shoqërisë.

ObserverKult

——————————————————-

Lexo edhe:

DHORI QIRIAZI: PO, IKE TI E MË S’U PAMË…