Bajram Karabolli: I shajtuar nga pandemia


(Përjetim)

Ngaqë kapuçin e veladonit e mbante shumë të ulur, nuk munda t’ia shikoja fytyrën. Veladoni i saj, aq i përmendur, nuk m’u duk i zi. Seç kishte një ngjyrë të çuditshme që nuk e përcaktoja dot. Ama, jo vetëm veladoni, por gjithçka tek ajo, përfshi edhe trupin e saj të hollë e të gjatë, – me siguri, në sytë e mi të megosur, realiteti kishte filluar të tjetërsohej, – ishte aq shumë joshëse sa nuk e hiqje dot vështrimin prej saj.
Nuk më kapi fare për dore, jo më të më rrëmbente, siç thonë. Jo, aspak. Ajo vetëm ecte përpara, ndërsa unë, i tërhequr nga njëfarë ngashënjimi, shkoja pas saj, si një qengj i urtë.
Kësisoj, më çoi në ca vise të habitshme, po, gjithsesi, të shpifura. Në vend të barit kishte një llosh të murrmë dhe ferra pa gjethe, vetëm me gjemba. Gjithandej sundonte një zbehtësi që sa vinte dhe zmadhohej dhe që të kujtonte ngjyrën e meitit. Edhe pse në dukje me dy këmbë, ajo nuk ecte siç ecin njerëzit. Ajo branisej, duke lënë mbrapa një vazhdë përzhitjeje.
Aty për aty, ndërkohë që shikimi im sa vinte dhe mekej më shumë, dallova se veladoni i saj me ngjyrë të pangjashme po bëhej i errët. Ndjeva të më merrej fryma. Këmbët po më priteshin dhe ndalova. Atëherë veladoni, tashmë i zi, u kthye mbrapsht dhe u sos para hundës time. Më kapi për dore, ashpërsisht, dhe më tërhoqi tutje. Kot them ashpërsisht, sepse ishte një ashpërsi që nuk më bezdisi aspak, përkundrazi, më pëlqeu. Tërësisht i rraskapitur, vura re se po shkonim drejt një gremine që villte tym dhe flakë. Pastaj… Pastaj, nuk mbaj mend asgjë. Sigurisht që duhet të kem rënë në atë humnerë…
Ndodhesha në jerm dhe lutesha. Nuk di se kujt i lutesha të më çonte në viset e fëmijërisë: te çairi im, te lëmi im, te vidhat e mi, te pyll im… Doja të shihja, për herë të fundit, malin tim…
…Dikur, përhumbshëm, ndjej se dikush po më përkëdhel ëmbëlsisht… Me zor hap sytë dhe e shikoj veten në një vend magjepsës: kodra të rrumbullta e të buta, mbytur në një blerim të ëmbël… Gjithçka më kujtonte fëmijërinë, pjesën më të bukur të jetës sime. Tutje shoh një figurë të grëmër, me pelerinë të zezë dhe me një kosë mbi supe. E kërrusur dhe e shëmtuar po largohej me nxitim.
-Po ajo nuk kishte kosë, – arrij të them, me një zë të dobët dhe gjithë habi.
-E mbante fshehur poshtë pelerinës, – më thotë zëri i ngrohtë që më solli në jetë.
-Po ti kush je? – e pyes tërë ngashërime.
-Unë jam Jeta, – më thotë dhe, pasi më kap dhembshurisht për të dy duart, më ngre në këmbë.

Fillim prilli, 2021

ObserverKult