Nga Bajram Krasniqi
Se në ç’marrëdhënie është vizioni poetik me krizën si gjendje e parëndomtë shoqërore është një problem që është trajtuar mjaft nga pikëpamje të ndryshme dhe në rrafshe të ndryshme. Zakonisht kur merret e vështrohet ky raport shpjegimet nisin nga rrafshi etimologjik i nocioneve bazë. Me qenë se këto dy nocione u përkasin dy sferave të ndryshme: njëra realitetit imediat- kriza dhe tjetri njërit nga sistemet të ndërliqshme modelative-letërsia, është fare e kuptueshme që për shpjegimin e çështjes se në ç’marrëdhënie qëndrojnë ato ndërmjet veti të vehen në përdorim kategoritë, instrumentet dhe metodat e dijeve të ndryshme: të teorisë së letërisë, të socoalogjisë së letërsisë, të poetikës historike, të filozofisë së historisë e të tjera.
Jo vetëm sociologjia e letërsisë, por edhe poetika historike ku merr dhe vështron funksionimin e letërsisë në gjirin e jetës shoqërore dhe ndryshimin e këtij funksioni në rendin diakronik, nuk mund të mos e marr parasysh edhe ndryshimin e realitetit imediat, prej të cilit në instancën e fundit ai edhe nxitet.
Kështu, për shembull, nuk është zor të shihet se edhe doracakët shkollorë të teorisë e të historisë së letërsisë shfaqjen e shkollave dhe të stileve letrare kur nuk e mbështesin me teorinë evolucioniste të pozitivizmit, apo me parimin formalist se konvencat e një stili letrar, duke e mohuar stilin pararendës, e rifunksionalizojnë atë para tij ngjajshëm me faktin se nipërit, duke kundërshtuar etërit trashëgojnë gjyshërit, e shpjegojnë me krizën shoqërore të kohës. Me gjithë sociologjizimet e tepruara, shpjegimet e tilla nuk është se nuk qëndrojnë. Ato mbështesën e tyre nuk e kanë vetëm në manifestet programatike të shkollave edhe të stileve të caktuara letrare dhe artistike.
Nuk është rendi këtu të citohen gjerë e gjatë ato manifeste, po do të mjaftohemi me dy shembuj: njëri nga letërsia e përbotshme, tjetri nga letërsia kombëtare. Kështu revista parisiene ,,Le Decadent” më 1886 shkruan: Do të jetë e pakuptimtë nëse e fshehim shkallën e dekadencës në të cilën kemi arritur. Religjioni, zakonet, e drejt, njësoj kanë marrë teposhtëzën, shpjegimin e së cilës kjo gazetë e gjen në krizën e madhe shoqërore të kohës. Në letërsinë tonë Nonda Bulka në artikullin ,,Për një letërsi të re”, edhe pse nga pikëpamja e teorisë së evolucionalizmit (natyra ka caktuar ligje që njeriu nuk i ndryshon dot) do të pohojë se na duhet një letërsi kombëtare realiste, ku shkrimtari të vërë gishtin në plagët e të sëmurit, ku poeti të qajë bujkun që djersitë e pshertinë e tjera.
Kriza shoqërore e viteve tridhjetë e nxori në dritë të plotë anakronizmin e vizoneve romantike të jetës dhe së kaluarës shqiptare, indiferentizmin e tendecave l’artpurlartiste dhe të pamjes përrallore idilike të shqiptarit me pushkë në krah e me lahutë në dorë, parodizimin e së cilës do ta bëjë aq mirë Migjeni.
Kriza shoqërore përgjithësisht në fushë të letërsisë dhe të arteve të tjera i vë në dukje të plotë modelet anakronike të vështrimit të jetës dhe duke i bërë jehonë pritjes së lexuesit, nxit kahe dhe procese të reja ideo-stilistike. Përse ndodh kështu?
Kriza si gjendje e parëndomtë shoqërore e lëkund deri në përmbysje horizontin mbizotërues ideor, teorik, filozofik e tjera dhe sjell një horizont të ri estetik, i cili që në krye të herës shfaqet si horizont i pritjes. Prandaj, kriza shoqërore jo vetëm që e ndryshon sistemin mbizotrues të vlerave, por edhe sjell epistemë të re, e cila përmbys mitet e vjetra dhe krijon mite të reja, utopitë pozitive i këmben me utopi negative e kundërutopi dhe anasjelltas: me fjalë të tjera sjell një gjendje të re të vetëdijes, e cila është e kundërt me gjendjen e mëparshme.
Sado që krizat e mëdha shoqërore sjellin ose epistemë të re ose parashenja të saj, megjithatë nuk mund të thuhet se në to mbizotron racioja. Horizontin e përgjithshëm të krizës, e cila në instancën e fundit nuk është gjë tjetër veçse ajo që në terminologjinë tradicionale e quajnë frymë e kohës, Ortega y Gasset e ka shprehur me këto fjalë:
Nuk dimë se ç’po ndodh dhe mu kjo po na ndodh. Ky konkluzion i Gassetit, i cili bashkëtakohet me vizionin poetik të krizës, njësoj mund të nxjerret si me gjuhën dhe me mjetet racionale, ashtu edhe me mjetet dhe me gjuhën e pozisë. Ai lirisht mund t’i vehet në gojë si një dijetari që merret me krizën, ashtu edhe një poetit të kohës së krizës. Përse? Një gjë e tillë është e mundshme, sepse në këtë frazë të ndërtuar mbi bazën e paradoksit të përbërë prej një fjalie pohore dhe një tjetre mohore është përmbledhur e gjithë pasiguria në të sotmen dhe frika për të ardhmen.
Në këtë pohim pasqyrohet besimi i lëkundur në idenë e përgjithshme mbi progresin mbi progresin e pandalshëm historik, në krahasim me të cilën kriza nuk do të përfaqësonte gjë tjetër veçse një fazë kalimtare, ide kjo pikënisje dhe pikëmbërritje e dijes historike të shekullit tonë.
Prandaj, është fare e kuptueshme që kur vjen e vehet në dyshim epistema qendrore e dijes së shekullit të rimerret e të shtrohet pyetja është njeriu homo ludens apo homo sapiens, e cila është kultura e tij, çfarë është sot dhe çfarë do të jetë në të mesërmen, në ç’raport është me artin, me fenë, me ideologjinë, me politikën e të tjera. Në kohën e vdekjes së autoriteteve dhe të ideologjive tradicionale, të dyshimit në karakterin sapiens të njeriut dhe në idenë mbi progresin e pandalshëm historik, e ardhmja më parë sesa projekt avangard ideor është një autopi e bukur poetike.
Edhe pse, siç thotë Mikel Dyfreni: Të varfërit nuk e kanë ideologjinë e tyre, po ata e kanë vetëm utopinë, kriza shoqërore është ajo që i nxjerr në dritë të plotë kontadiktat e tyre të ndërmjetvetshme, ideologjia bëhet mjet i ruajtjes së gjendjes ekzistuese, kurse utopia shkrihet në letërsinë, e cila mohon të tashmen në emër të së ardhmes.
Ideologjia dhe utopia shkojnë bashkë deri sa e para të ketë nevojë për të dytën. Atëherë kur të mos ketë nevojë më për të, ajo bëhet utopi e ekzilit në shtresat e varfra. Tek e fundit, poezia e ekzilit bëhet edhe ajo poezi e cila e projekton horizontin e krizës në gjithë plotërinë e tij, sepse ideologjia mbizotëruese sheh karakterin diverziv ndaj saj aq sa edhe në utopitë kolektive.
Pra, a është e mundshme poezia si utopi? Sado që ky është një problem në veti, një gjë është e sigurt: kriza e ndryshon funksionin e poezisë në jetën shoqërore dhe bashkë me të sjell edhe një poetikë të re.
Ajo është poezi e vizioneve të zymta, e dëshpërimit, e pesimizmit, por edhe poezi e angazhuar, aktive, e veprimit. Ajo bëhet e vetëdijshme se vendin e duhur në jetën shoqërore nuk ia siguron kvietizmi estetik, ketmani ose ikja nga realitetit (P.Palavestra). Arti është si lojë, po poezia me gjuhën e artit i bën jehonë horizontit të pritjes. Kështu poezia e krizës është poezi gjithsesi e angazhuar jo në kuptimin e ashpër të fjalës, sepse edhe poezia si lojë në periudhat e këtilla është angazhim për diçka.
Me gjithë që indiferente ndaj kohës, sado që nuk i përgjigjet pritjes së lexuesit, ajo megjithatë shenjon një pozitë të mundshme të njeriut në jetën shoqërore, e cila në thelb është pozitë e ketmanit etik.
Me lirinë e zgjedhjes së stileve, të mjeteve shprehëse, të formave poetike e të teknikave dhe të procedimeve të ndryshme stilistike, ky lloj i poezisë krijon vetiluzionin për lirinë e individit, të fjalës dhe të mendimit dhe në këtë mënyrë paradoksalisht vehet në funksion të ideologjisë mbizotëruese, e cila në ndikimin e pasigurisë që shkakton kriza shoqërore, gjithnjë e më shumë do të tregojë tendenca totalitare. Në qoftë se poezia ashtu si edhe artet e tjera më nuk mund të vehet në shërbim të politikës së ditës dhe të diskursit të saj ideologjik.
Mjafton që ajo me artizmin e vet nuk merret me çështjet që ajo i konsideron fushëveprim të saj. Poezia e kvietizmit estetik bëhet paradoksalisht e pranueshme prej diskursit mbizotrues ideologjik, kurse pozita e ketmanit autorit të saj ia siguron ekzistencën e rehatshme. Duke qenë se stilizmi i jetës edhe në periudhat e krizave shoqërore, edhe në kohën e dramave të mëdha familjare, intime e kolektive, nuk është gjë tjetër veçse një formë e dehumanizimit të artit, poezia e këtillë do t’i braktisë kështu edhe idealet themelore humaniste.
Pra, cili, është tipi i poezisë që e shenjon frymën e kohës në periudhën e krizës. Është vështirë të emërohet një term, nuk mund të gjendet lehtë një nocion themelor që të mund ta mbulojë kuptimisht tipin e poezisë së krizës, sepse ajo është edhe poezi e vizioneve apokaliptike, edhe poezi e vizioneve pesimiste, edhe peozi e ideve avangarde.
Sado të ndryshme dhe të kundërshtueshme të jenë këto vizione ndërmjet veti ndonjë herë, megjithatë po të merret dhe të vështrohet në rrafsh të gjërë, etosi estetik i këtyre tipave të poezisë është etosi kritik: secili prej tyre mohon gjendjen ekzistuese, qoftë mbi bazën e skepticizmit filozofik, qoftë në emër të ndonjë projekti utopik a të idesë mbi progresin e pandalshëm historik.
Sado që emërtimet terminologjike nuk i mbulojnë në mënyrë të plotë kuptimisht dukuritë artistike që shenjojnë, megjithatë ato janë një e keqe e domosdoshme në punë të studimit të letërsisë. I vetëdijshëm më në fund ashtu si edhe kritikët e tjerë të poezisë së sotme , se termi që përdorim i ka mangësitë e veta dhe është i diskutueshëm megjithatë më duket më i pranueshëm termi poezi kritike që e përdorin disa teoricien, me të cilin shenjojnë tipin mbizotërues të poezisë që e referon horizontin e krizës.
Çfarë është kjo poezi?
Në përgjithësi ajo është poezi e kodit kritik, i cili afirmon një ndjeshmëri dhe qëndrim kritik mohues ndaj realitetit imediat, qoftë duke mos e ndërtuar vizionin e së ardhmes, qoftë duke e mbështetur këtë vizion mbi horizontin e pritjes dhe në idenë mbi progresin e pandalshëm historik, në krahasim me të cilin periudha e krizës shoqërore është vetëm një fazë kalimtare.
Tek e fundit, poetët gjithnjë e kanë mohuar të tashmen në emër të së ardhmes, dhe në shembullin e poezisë kritike, një gjë e tillë shihet më së miri. Poezia kritike, siç do thoshte Karl Majnhajmi, përmes kontemplacionit afrohet me të menduarit utopik dhe me vetëdijen utopike, e cila e transcendeton realitetin dhe duke u bërë vetë veprim e shkatërron rendin ekzistencial ekzistues. Poezi e vizioneve, e gjedheve dhe e kodit kritik, poezia e këtij tipi është poezia më e pranueshme nga shtresat e ndryshme të lexuesit.
Çfarë është poezia e jonë në këtë horizont të krizës?
Në arritjet e saj më të mira edhe poezia e jonë e kësaj dekade, veçanërisht e viteve të fundit po bëhet gjithnjë e më shumë një poezi kritike, edhe nga pikëpamja e aktualitetit tematik, edhe nga pikëpamja e qëndrimit ideoemocional ndaj realitetit imediat. Një pohim i tillë nuk do të thotë se poetët në radhë të parë duhet të frymëzohen nga aktualiteti, nga çështjet e ditës.
Po të jetë kështu, atëherë biem ndesh me natyrën e peozisë, sepse vështrimi i funksionimit shoqëror të poezisë vetëm nga pikëpamja e aktualitetit tematik është i paqëndrueshëm. Aktualitetin në këtë rrafsh do parë si kategori të estetikës së receptimit, si frymë e kohës, si gjendje e vetëdijes.
Poezia jonë e viteve të fundit gjithnjë e më shumë po bëhet më e vetëdijshme se poezia që flet me entuziazëm për jetën. Poezia që me tone romantike e neoromantike e trajton pathyeshmërinë mitologjike të popullit, poezia e dekoracionit dhe himnizimit, si edhe ajo e idilës socialiste, është poezi anakronike, siç është snobizëm estetik, apo madje cinizëm mizantrop, poezia e tipit voajerist dhe e sendeve, poezia e artizmit indiferent ndaj jetës së njeriut, dramave dhe fatit të tij, e cila në thelb është një ketman etik në fushën e artit.
Edhe pse një pjesë të saj ende e përshkon filozofia e panteizmit poetik, i cili e barazon të bukurën në jetë me dritën në shpirtin e njeriut, megjithatë në horizontin e artikuluar të krizës poezia jonë e këtyre viteve në arritjet e saj më të mira ka afirmuar dhe po afirmon një vizion kritik të së sotmes. Poezia e ka formuar kodin adekuat kritik ndaj realitetit aktual, e ka zgjeruar fushën tematike dhe semantike të saj dhe, si e këtillë po e kapërcen vendin e ketmanit etik në raport me jetën shoqërore.
*Botuar në revistën “Fjala”, Prishtinë 1.VI.1988
Përgatiti: ObserverKult
———————————–
Lexo edhe: