Bajram Krasniqi: Realiteti dhe letërsia

bajram krasniqi

Nga Bajram Krasniqi

Më duket se do të mund të përkufizohej më thjeshtë dhe më mirë tema e bisedës sonë të sotme si realiteti dhe letërsia.

Redaksia e revistës letrare, “Jeta e re” ka bërë mirë që e ka zgjedhur për diskutim një temë të këtillë, jo se ajo nuk është rrahur ndonjëherë më parë, qoftë në rrafshin kritiko-letrar, por për arsye se ka disa vjet që në letërsinë tonë, në ndikimin e faktorëve cilësisht tjetërfare politik e kulturorë, ka ndryshuar shumë horizonti i pritjes aq sa e ka ndryshuar karakterin e bashkëmarrëdhënieve midis letërsisë dhe realitetit.

Vështrimi i këtij problemi nga kjo pikëpamje, nga pikëpamja e përputhjes a shpërputhjes midis horizontit të pritjes dhe të horizontit të receptimit, nuk do të thotë se çështja e raportit të letërsisë me realitetin mbështetet kryekëput në premisat teorike të realizmit, si këndvështrim i mundshëm, sa herë i sillemi kësaj teme, për arsye se pa dallim të gjitha drejtimet a shkollat letrare njihen e rinjihen, pohohen e mohohen, e ndërtojnë identitetin e vet varësisht nga fakti se si i ripërkufizojnë bashkëmarrëdhëniet e letërsisë me realitetin. Prandaj, realiteti është kategoria themelore poetike e të gjitha drejtimeve e shkollave letrare, sado që kuptimisht nuk është e njëjtë.

Klasikët, sentimentalistë, pjesërisht romantikët, madje edhe realistët e shekullit XIX në një shkallë të gjerë dekadentët dhe, më në fund, futuristët, eksperimentistët e të tjerë-thotë C.Todorovi, shpesh pohojnë me insistim se besnikëria ndaj realitetit, maksimumi i besueshmërisë, me një fjalë realizimi është pranimi themelor i programit të tyre estetik. I bindur se vështrimi teorik i këtij problemi do ta shndërronte bisedën tonë në një kolokium pa caqe, bashkëmarrëdhëniet e letërsisë me reaitetin do t’i shohë në rrafsh të letërsisë sonë, në radhë të parë duke pasur parasysh horizontin e sotëm të pritjes e format e tij të receptimit, në njërën anë, dhe realitetin të kuptuar si përmbajtje e jo si lëndë letrare, në anën tjetër.

Standardi fillestar në mbështetje të të cilit do ta çmojmë se në ç’marrëdhënie është letërsia jonë me realitetin, me kohën, me të sotmen nuk është minimumi as maksimumi i besnikërisë sipas të cilëve problemi do të thjeshtësohej e do të shihej vetëm nga dy skajet e kundërta: nga këndi i realizimit faktografik dhe nga këndi i realizimit imagjinar, por standardi themelor do të jetë në thelb funksionalist, do të synojë të rrokë funksionin e letërsisë në gjirin e jetës shoqërore.

Megjtihatë teoritë dhe filozofitë e ndryshme estetike, të cilat raportin letraro-realist e vështrojnë nga këndi i tyre, çështja themelore, nga e cila do të dalë edhe analiza edhe sinteza, është arsyeja e thjeshtë, por supreme, sferë në të cilën egziston edhe shkruhet letërsia: të zgjerojë format e qenësimit të njeriut dhe atëherë kur krijohet si alternativë, edhe atëherë kur është kritikë e realitetit të kohës. Ku qëndron letërsia jonë në këtë mes?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje sigurisht se do të duhej t’i bënim një vështrim më të gjerë diakronik. Pra, me këtë rast do të mjaftoheshim me konstatimin se, megjithë parashenjat e dukshme në ndonjërën nga gjinitë letrare, sidomos në poezi, ekziston një shpërputhje midis horizontit estetik të pritjes dhe horizontit të receptimit.

Përse ndodh kështu? Ekzistojnë shumë arsye përse horizonti i sotëm estetik në radhë të parë është horizonti i pritjes: në letërsinë tonë të viteve të fundit nuk ka mjaft krijime letrare që ngijnë kërshërinë dhe shijën estetike të lexuesit, pritjen e tij që në letërsi të gjeje vetveten edhe si qytetar, edhe si pjesëtar i kolektivitetit kombëtar. Ato, në radhë të parë, janë të karakterit politik.

Veçse para se të merremi me faktorët që i bien ndesh përputhjes së këtyre përbërësve të horizontit estetik: pritjes së lexuesve dhe pritjes së shkrimtarëve sot, do kujtuar se një përputhje e këtillë nuk ka ekzistuar edhe më parë gjatë viteve ’70. Procesi i mëvonshëm letrar ka dëshmuar se estetizmi, artizimi, psikologjizmi i një pjese të letërsisë sonë, për shkak se nuk ishin zhvillime të brendshme stilistike , nuk kanë ngirë kërshërinë estetike të lexuesve.

Ato më parë sesa zhvillime stilistike ishin reflekse të një ideologjie letrare e cila në instancën e fundit ishte në shërbim të politikës.

Me proklamimin e lirisë së stileve u krijua përshtypja për ekzistimin në shkallë të lartë të lirisë së krijimtarisë, e cila në diskursin e politikës do të shndërrohet në dekor demokratik, me qëllim që të vihet në gjumë inteligjencia kritike. Iluzioni i rremë mbi lirinë e krijimtarisë do të zhvishet sa herë që veprat letrare të modelit kritik do të ndeshen me censurën, e cila formalisht ishte hequr qëkur.

Vetëdijsimi se liria e stileve nuk është edhe liri e krijimtarisë aty nga fillimi i viteve ’80, do të çojë në braktisjen e avangardizmit të rrejshëm, si një ideologji letrare, kurse rivendosja e njësisë kulturore gjithëkombëtare do ta nxisë formimin e një tipi cilësisht të ri të letërsisë kritike.

Mirëpo, situata e re politike në të cilën u gjetën shqiptarët pas 1981-ës i ndërpreu ato proceset e formimit të njësisë kulturore në shkallë gjithëkombëtare. Si e gjithë kultura ashtu edhe letërsia iu nënshtrua rishikimit politik, u ndërpre komunikimi kulturor, qarkullimi i vlerave kulturore, shtypi letrar dhe i veprave letrare të padëshirueshëm e të anatemuar u bënë jo vetëm shkrimtarët si Kadareja e D. Agolli , po edhe autorë të traditës, pa të cilët s’mund të mendohet kujtesa historike kombëtare.

Me fjalë të tjera , për arsye të represionit mbi të, letërsia shqiptare dalëngadalë filloi të bëhet dhe sa vjen e me shumë po bëhet letërsi e ekzilit.

Sintagmën letërsi e ekzilit këtu nuk do të marrë në kuptimin e parë të fjalës, sepse ajo nuk është letërsi e krijuar nga disidentët e dëbuar jshtë vendit, po në kuptimin e dytë të fytyruar. Përse mund të thuhet kështu?

Mund të thuhet se letërsia jonë po bëhet letërsi e ekzilit, për shkak të përjashtimit gjithnjë e më të madh të një sërë shkrimtarësh e veprash letrare jo vetëm nga shkolla , por edhe nga programet e shtëpive botuese, nga revistat letrare, rubrikat kulturore të gazetave e të mjeteve të tjera të informacionit, me një fjalë nga jeta shoqërore, për ç’arsye vlera mendore gjithnjë e më shumë po e zënë vendin e tyre. Letërsia jonë po bëhet letërsi e ekzilit edhe për arsyen e thjeshtë se nuk mund të shkruhet më për një sërë personalitetesh e ngjarjesh historike, kurse fusha tematike e saj është ngushtuar shumë.

Në qoftë se edhe gjuhës shqipe, si gjuhë në të cilën shkruhet kjo letërsi, po i ngushtohet gjithnjë fusha e përdorimit të saj në jetën shoqërore, në institucionet publike e të tjera, kurse pjesa më e mirë e fondit të vlerave të veprave letrare që trajtojnë ngjarje e personalitete historike nuk shikohen me sy të mirë, për ç’arsye dalëngadalë po kalojnë në kulturën gojore, atëherë si mund të quhet ndryshe fati politik i letërsisë sonë…?


Kur ngjarjet dhe personalitetet e ndryshme historike për arsye të ndryshme dëbohen nga vendi që kanë nga mbretëria e Gutenbergut, ato do të kalojnë në kulturën gojore për ta arkaizuar kështu vetëdijën tonë historike. Për shkak të represionit të politikës mbi letërsinë po ashtu në letërsinë tonë periudha të tëra të jetës sonë, që përbëjnë kulme historike, kanë mbetur golla tematike. Në kohën e historizmit të letërsisë e të arteve gollat e bardha tematike nga historia jonë më e re, nga të cilat njeriu ynë ka dalë i traumatizuar, i fyer, i përbuzur, dëshmojnë se letërsia jonë ende është larg që ta ngijë kërshërinë estetike të lexuesit, se horizonti i saj estetik është kryesisht horizont i pritjes. Ky horizont, i cili ndërtohet mbi horizontin e krizës, që është krizë e utopisë revolucionare të socializmit, kërkon edhe një model tjetër të letërissë, letërsinë kritike.

Ky pohim nuk duhet marrë si kërkesë programatike, sepse letërsia gjithsesi nuk do parë në funksion. Ekzistojnë lloje e forma të tjera të shprehjes letrare-publicistike, të cilat janë më të përshtatshme për të shprehur përmbajtje e rrjedha aktuale dhe me të cilat ndikohet drejtpërdrejt e rrjedha aktuale dhe me të cilat ndikohet, drejtpërdrejtë në opinionin shoqëror, detyrë e cila asesi s’mund t’i takojë letërsisë, edhe pse opinioni shoqëror i formuar kësisoji do të ketë ndikim në formimin e horizontit estetik.

Më në fund , si vepra letrare ashtu edhe zhanret e të folurit që takohen me të janë një gur më shumë në themelin e madh të mbretërisë kurrë të arritshme të lirisë, e cila, siç thotë Sartri, është qëllimi i parë dhe i fundit i shkrimtarit, një dyshim më pak në dilemën Sokrat i vuajtur apo derri i kënaqur, apo madje thjesht një shpresë thellësisht njerëzore se njeriu një ditë do të desatanizohet.

*Botuar në “Fjala”, Prishtinë, gusht 1990

P.S. Ky tekst u paraqit kumtesë në bisedën që e organizoi revista letrare “Jeta e re” në temën “Realiteti dhe letërsia”, në nëntor të vitit 1989. Botohet në formën që e ka lënë autori në dorëshkrim.

(Shkëputur nga libri “Inteligjencia, letërsia dhe realiteti” nga Dr.Bajram Krasniqi )

Përgatiti: ObserverKult


edhe ëndrrat lodhen poezi nga visar zhiti
Visar Zhiti

Lexo edhe:

VISAR ZHITI: DITËLINDJA IME NË QELI

Poezi nga Visar Zhiti:

Është dita e dytë e dimrit
dhe unë kam ditëlindjen.
Jam fare i vetëm, aq më keq i arrestuar.
Tani sa m’u zhdukën fantazma e një tavoline
dhe fantazmat e kitarave
me shishe vere ndër duar.

Kurse urimet
“U bëfsha 100 vjeç”, me një nuse”,
“lumturi” e të tjera
para syve më lëkunden
si një tufë me kordele të zeza.

Mbusha 27 vjeç,
në këtë moshë vdiq dhe Migjeni.
(Poezia është prostituta që më denoncoi
tek policët)
Qelia, si një vagon absurd treni,
rrokulliset,
rrokulliset.

E ja mbeti gjallë, por ç’fat është për mua
kur dhe krahët paqësorë të zogjve
do më duken si teh thike.
Më kapën se paskam patur mendime të ndaluara,
se paskam shkruar gjëra hermetike.

Por më hermetikisht më mbyllën këta
që na qënkërkan për mendimin e lirë, patjetër.
Koka poshtë më ra
si një abazhur i lodhur
me llampën të djegur.
Ç’të bëj? I lutem të më shpëtojë vjershës:
Ti qofsh Shën Mëria
e unë qofsha prej teje i bekuar!
Ja, unë pranova të mbush 100 vjeç,
por me kë kam për t’u martuar?
Me Ana Frankun natyrish!
Ajo është e dashuria ime
që do më presë me malli.
Me ato pak rreze që ranë në qeli rastësisht
do thur
kurorën e do t’ia vë mbi ballë.

Ana Franku
mbi gjoksin tim ka për t’u shplodhur
e lumtur do qajë, e brengosur do qeshë.
Po, po, kështu ka për të ndodhur
se jo më kot u bëra
(pas vdekjes) 27 vjeç .

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


Foto ilustrim

PSE GJITHË DASHURITË QË FALA PO MË KTHEHEN NË MALLKIM

Nga: Dhimitra Neofytou

Në ç’det je duke lundruar,
vallë, në cilin gji të fshehtë,
për ku ikën, nga ke shkuar,
me atë mendim të beftë.

Mos më torturo, ma thuaj,
jam fajtore, e pranoj,
do zbuloj plagët që ruaj,
që të tuat të mbuloj.

Të kujtoj mbrëmje për mbrëmje,
natë për natë të dashuroj,
fle dhe ty të kam në mendje,
zgjohem dhe për ty mendoj.

Përqafim tjetër nuk dua,
ledhatim tjetër në botë,
sa veniten sytë e tua,
nuk pi ujë por thithi lotë.

Shtrat le të më bëhet vala,
dhe ti kripë, bëmu shërim,
pse gjithë dashuritë që fala,
po më kthehen në mallkim.

ObserverKult