Bardhyl Londo: Sa kohë kemi që duhemi? Dy mijë, tre mijë vjet?

E mora në duar kokën tënde,
prushi i gjakut pëllëmbët m’i dogji.
Në sytë e tu si në një ëndërr rashë
dhe më s’u zgjova.

Në sytë e bukur si loti.

Me gishtat e dridhur të dashurisë
emrin tënd shkërmoqa germë për germë.
Të thirra e dashur,
Të thirra motër,
Të thirra nënë.

Ti hesht, e bukur, e tejdukshme,
natyrshëm siç mbin bari.
Oh, hapi ata sytë e zinj,
hapi, të vijë
behari.

Hapi ata sy
më përrallore se fantazia e Zhyl Vernit,
dy lëndina ku rritet lirizmi.
Në retinën e tyre si në ekranin më të ndershëm
Veten më mirë kuptova,
ty,
njerëzimin.

Je tepër e lashtë për të të thirrur Evë,
je tepër e bukur për të të thënë Zhuljetë.
Sa kohë kemi që duhemi? Dy mijë , tre mijë vjet?
Me ty e kam lindur Prometeun,
me ty shekullin e njëzet.

Po ty
të zuri gjumi?
Shtrihu.
Ti më mësove të vërtetën e madhe:
DASHURIA ËSHTË NJË MONUMENT
MBROHET NGA NJERIU!

1988


Lexo edhe:

RRËFIMI I BARDHYL LONDOS: TAKIMI I DRITËROIT ME GRUAN E DJALIN NË RUSI

Shkrimtari i ndjerë, Bardhyl Londo, pati kujtuar përmes një postimi një udhëtim në Rusi në fillimvitet e ‘90-ta me Dritëro Agollin. Ky i fundit do të takonte pas shumë vitesh ish-gruan e tij ruse dhe djalin e vetëm që pati me të.

Vite pasi Agolli është ndarë nga jeta dhe bashkëshortja e tij e një jete, martesa e tij e dytë, Sadija, Londo pati rrëfyer kujtimet me Dritëroin ndërsa ai takonte një gjysmë të humbur disa dekada më pas.

ME DRITËRONË NË RUSI

“Do shkojmë në Rusi, – më tha një ditë Dritëroi, – të ftuar nga organizata e shkrimtarëve rusë. Vjen ti?” më tha. “Pyetje është kjo?” i thashë. “Po gazeta?” më tha. Atëherë isha kryeredaktor i “Dritës”. “Po janë të tjerët”, i thashë.

Pasi ndenjëm dy-tri ditë në Budapest, u nisëm për Moskë. Një javë që ndenjëm atje, ndodhi çudia e parë: pasi s’lamë kishë e manastir pa parë..

Tekstin e plotë e gjeni KËTU