Nga Bardhyl Zaimi
Gjithnjë si një dem i harlisur vështronte dhe kërkonte diçka në ajër, ndërkohë që kishte gjithë këto gjëra poshtë. Sikur shmangej vetvetishëm të përballej me gjërat përtoke që i krijonin një pështjellim misterioz dhe një nervozë që nuk e kuptonte se nga i vinte. Nganjëherë përqendrohej vetëm në një pikë dhe sikur kërkonte gjithë kuptimet për gjithësinë. Sakaq një tufë zogjsh e shpërqendronte sa për t’i bërë me dije që kuptimet ishin afër në lëvizje e sipër. Atëherë përmendej dhe trandej nga një trishtim dhe ngazëllim njëherësh. Një valë e ngrohtë ajri ia përshkonte fytyrën që tashmë e ndjente si një maskë parahistorike. I dukej si një lëkurë mëshini e mbrujtur me gjithë trishtimet e kësobotshme. E kishte ndjenjën e një shfytyrimi primordial që duhej ta duronte me stoicizëm. Ishte lodhur në fakt nga kjo gjendje që i krijonte një dyzim vrastar të brendshëm. Ishte as në tokë e as në qiell, diku në një zonë neutrale që prodhonte vrushkuj nostaligjish dhe dhimbjesh therëse. Para tij nuk kishte pamje, por vetëm mure ekzistence të patejkalueshëm, që herë-herë stoliseshin me fluturime zogjsh. Vapa poshtë i bënte gjësendet të patrajtë. Ngjante si i mbërthyer në një pikturë futuriste ngjyrash që të ngjallnin llahtari. Gjithçka dukej e paformësuar përveç një neuroze që shkëlqente në strukturën e vetë të përsosur. Nganjëherë mendonte se nuk ka shpëtim, se gjithçka notonte në dekompozimin e vetë. Dhe, kjo zgjaste për sa kohë vapa shtrinte pushtetin e vetë zvetënues mbi gjithçka poshtë atij qielli të hirtë.
Vetëm kur në çaste i shfaqej ai qiell i kaltër fëmijërie, gjithë rëndesat e kohës së zymtë shkarkoheshin përtoke dhe ai më në fund mund të fluturonte i papeshë në qiellin e paanë. Me një të rrahur flatrash e shponte qiellin e hirtë dhe lëshohej në hemisferat më të larta ku rrezet e dielllit luanin dhe preknin me afsh retë e buta të një ekzistence tjetër. Atëherë i mbushte mushkëritë me ajër të pastër freskish polare dhe e vështronte globin me një ngazëllim pranveror. Tashmë ishte një zog mitik që përlante meridiane përmasash njerëzore. Mbi re të buta largësish polare vendoste kokën e lodhur dhe përvajshëm kujtonte njeriun atje poshtë në gërmadhat e një ekzistence që pluskonte në një vapë neveritëse.
ObserverKult
lexo edhe:
BARDHYL ZAIMI: PASKAM HARRUAR TË JETOJ NË PLOTNINË TIME