Silvana Kola-Leka: Për rëndësinë e perceptimit të Tjetrit si të ishte Ti…

përputhen silvana heshtja


Nëse ndjen se je i pasur dhe rrethohesh nga skamja e mendon se skamja e tjetrit është vetëm problemi i tij atëherë nuk je realisht i pasur;
Nëse je i ditur dhe rrethohesh nga padija e mendon se padituria e tjetrit është vetëm problemi i tij atëherë nuk je realisht i ditur;
Nëse je pacifist dhe rrethohesh nga dhuna e mendon se dhunimi i tjetrit është vetëm problemi i tij atëherë nuk je realisht pacifist;
Nëse je i lumtur dhe rrethohesh nga vuajtja e mendon se vuajtja e tjetrit është vetëm problemi i tij atëherë nuk je realisht i lumtur.
E kotë të gënjejmë veten! Ne dhe të tjerët përreth nesh jemi të lidhur pazgjidhshmërisht. Ata që besojnë se jeta e tyre shkon fjollë ndërsa gjithçka rreth tyre ka marrë tatëpjetën janë ose të mpirë dhe nuk kuptojnë ç’bëhet ose janë euforikë dhe po njësoj nuk arrijnë të kuptojnë. Në të dyja rastet, ata janë krejt larg realitetit.
Gjithçka që ndodh rreth nesh është personale. Nëse nuk do të ishte personale as nuk do të ishim të ndërgjegjshëm për ekzistencën e saj.
Edhe të tjerët që na rrethojnë janë gjëja jonë personale. E mira dhe e keqja që ndodh në jetën e tjetrit, na prek, duam apo nuk duam ne.
Dhe kjo nuk është të merresh me jetën e tjetrit: kjo është të kuptosh se “Unë jam thjesht një tjetër Ti dhe Ti je thjesht një tjetër Unë!”.
Miqësisht!
Silva

ObserverKult