Zygmunt Bauman, sociolog dhe filozof polak me origjinë hebraike, analist i jashtëzakonshëm i shoqërisë bashkëkohore dhe teoricieni i konceptit ‘shoqëria likuida’.
Nga Prof. Lekë Pepkolaj
Frika e nxënësve dhe studentëve
Sipas Bauman, frika ka qenë gjithmonë konstante tek njerëzit, por ndryshon nga brezi në brez. Sot, edhe të rriturit janë të frikësuar nga rreziqet dhe pengesat që nuk dinë t’i vlerësojmë për shkak të një paparashikueshmërie në rritje dhe nga të pushtetshmit që veprojnë mbi ta. Kjo humbje e besimit përkeqëson ndjenjën e negativitetit të lidhur me të ardhmen dhe të rinjtë e perceptojnë atë. Edhe nëse në shkollë takojmë nxënës të pjekur dhe të përgjegjshëm, numri i atyre që shfaqin simptoma të shqetësimit të thellë të frikës është shumë i lartë, veçanërisht në shkollën e mesme. Për më tepër, nxënësit dhe studentët, që jetojnë kryesisht në dy botë, atë offline dhe atë online, mund të kenë një vizion jo të qartë të realitetit dhe të kenë më shumë frikë nga njerëzit që takojnë kur dalin nga shtëpia, sesa nga ata që takojnë online. Bota online i bën ata të ndihen më të qetë, sepse i lejon të hyjnë dhe të dalin nga marrëdhëniet shumë lehtë ose kështu besojnë derisa të hasen me përvoja negative. Disa nxënës, edhe në shkollë, as që fillojnë të ndërtojnë lidhje me të tjerët, duke preferuar rrjetet sociale dhe nuk mendojnë për pasojat e mundshme, qoftë edhe vetëm për faktin, që në internet është e vështirë të ndërtohen marrëdhënie njerëzore të kënaqshme [1].
Postmoderniteti dhe pasiguria
Të jetosh në shoqëri është si të luash një lojë, por loja nuk bazohet gjithmonë në përcaktimin e qartë të rregullave, roleve dhe strategjive [2]. Kemi kaluar me një shpejtësi befasuese, nga një shoqëri solide, e përcaktuar dhe e kushtëzuar nga lidhje kombëtare të qëndrueshme dhe që zgjatin, në një ‘shoqëri likuide’, e përbërë nga lidhje të ndryshueshme dhe të brishta. Në të gjithçka bëhet jo e qëndrueshme, nga lidhjet sociale dhe emocionale të fesë, ndërsa vlerat e ekonomisë dhe fitimit pohohen në mënyrë të ekzagjeruar. Rrënjët e pasigurisë janë shumë të thella. Ato hynë thellë në mënyrën tonë të jetesës, ato janë të shënuara nga dobësimi i lidhjeve ndërpersonale, nga shpërbërja e komuniteteve, nga zëvendësimi i solidaritetit njerëzor me konkurrencë të pakufishme, nga tendenca për t’i besuar zgjidhjen e problemeve me rëndësi shoqërore duarve të individëve. Frika e krijuar nga kjo situatë pasigurie, në një botë që i nënshtrohet tekave të fuqive ekonomike të çrregulluara dhe pa kontrolle politike, po rritet, duke u përhapur në të gjitha aspektet e jetës. Tani jetojmë në një kohë në të cilën pasiguria shfaqet ndër karakteristikat kryesore të jetës individuale dhe kolektive, për shkak të efektit të pasigurisë emocionale, paqëndrueshmërisë së marrëdhënieve dhe vlerave [3].
Në të kaluarën, të gjithë kishin kufij shumë të qartë, brenda të cilëve mund të lëviznin, të ndanin modele veprimi, rregulla, referenca me të tjerët, ku shoqëria u siguronte atyre elementë të mjaftueshëm për të udhëhequr strategjitë dhe projektet e tyre të jetës. Sot, të gjitha pikat e referencës që i dhanë soliditet botës dhe favorizuan logjikën në zgjedhjen e strategjive të jetës: vendet e punës, aftësitë, lidhjet personale, modelet e rehatshmërisë, konceptet e shëndetit dhe sëmundjes, vlerat që mendohen të kultivohen, të gjitha këto dhe shumë pika të tjera dikur të qëndrueshme duket se janë në transformim të plotë. Tani shumë lojëra po luhen njëkohësisht dhe gjatë lojës ndryshojnë rregullat e çdonjërës. Kjo epokë e tanishme shquhet për çmontimin e strukturave dhe shpërbërjen e modeleve, rastësisht dhe pa paralajmërim [4].
Jeta tani duket se karakterizohet nga përvoja e momentit, rastësia, pasiguria dhe këtë e përjetojnë dhe e tregojnë shumë nxënës të shkollave të mesme. Një pasiguri që nuk na lejon të parashikojmë perspektiva të këndshme apo zgjidhje të lehta. Si operator në botën e shkollës, nuk mund të neglizhojmë por duhet të angazhohemi personalisht në përpjekjen për të ndihmuar të rinjtë, të cilët në këtë shoqëri gjithnjë e më komplekse, jetojnë në një ndjenjë të përhapur pasigurie, në mes të çrregullsive, kontradiktave dhe së bashku me lartësimin e subjektivitetit [1].
Shkolla dhe paradigma interpretuese e Baumanit
Në kohën e modernitetit të qëndrueshëm, qëllimi i shkollës ishte i përqendruar mbi të gjitha në transmetimin e trashëgimisë kulturore, të vlerave kombëtare, në ndërtimin e identitetit kombëtar, të siguruar nga sistemet shkollore të qeverisura nga sisteme të mëdha burokratike, të ngurta dhe vetëreferuese, të garantuara nga një model kulturor statik, të konsideruar objektiv. Me kalimin në shoqërinë postmoderne ky synim ka dështuar dhe shkolla ka hyrë në një krizë, me implikime të thella në organizim, përmbajtje dhe në vetë profesionin e mësuesit. Një model statik i kulturës për të studiuar, jetuar dhe punuar në shoqërinë e sotme nuk është më i mundur. As skema burokratike në të cilën shkolla mundi të qëndronte deri para disa vitesh nuk tolerohet më: vazhdimësia e përsëritur e mësimeve përballë, detyra shtëpia, pyetje dhe provime të njëjta për të gjithë, ngurtësia e orarit të shkollës, organizimi sipas grup-moshës brenda ndërtesave shpesh të prishura dhe me hapësira të ngurta të paracaktuara ku shpesh edhe të reduktuara. Çështjet globale që karakterizojnë shoqërinë tonë sot kanë nevojë për ‘zgjidhje në nivel lokal’ [1], [5].
Çlirimi nga zakonet
Çfarë modeli arsimor mund të propozohet në shoqërinë tonë që i ka humbur siguritë dhe referencat e identitetit?
Bauman nuk sugjeron një model të saktë, sepse nuk mund të ketë në këtë ‘shoqëri likuide’, por nga reflektimet e thella mund të nxirret një metodë, që niset nga vënia në qendër e individit në shoqërinë postmoderne dhe nga roli i sociologjisë: ku detyra e saj është për t’i ardhur në ndihmë individit ku edhe shkolla postmoderne duhet t’ia japë vetes këtë. Kjo shkollë nuk mund të konceptohet më si një vend për ‘disiplinimin’ e brezave të rinj, por duhet të bëhet një mjedis për formimin kritik të qytetarëve: për t’u garantuar nxënësve mundësinë për t’u bërë subjekt të aftë për të menduar dhe vetërregulluar, për të krijuar marrëdhënie të dobishme ndërpersonale, për të mësuar t’u besosh njerëzve të ndryshëm, për t’u bërë qytetarë të lirë dhe të aftë ta përballojnë jetën hapur dhe me guxim. Sistemi shkollor duhet të jetë në gjendje t’i ndërgjegjësojë nxënësit për pa barazinë në botë dhe të sigurojë mjete për dialog me realitetet e tjera. Është e lehtë të përballesh me ata që mendojnë si ne, por në vend të kësaj duhet të ekspozohemi ndaj rrezikut për të zbuluar se e kemi gabim [1], [2].
Në fakt, sociologu vëren se në shoqërinë postmoderne zotërimi i zakoneve konjitive po humbet rëndësinë dhe kuptimin e saj: do të ishte funksional në një botë në të cilën njerëzit veprojnë gjatë gjithë jetës në të njëjtin mjedis pune ose profesional dhe jo në një treg pune orientuar drejt fleksibilitetit, në të cilin gjeneratat e reja përballen me drejtime pune të larmishme dhe të ndryshueshme [4].
Zakonet janë një pengesë dhe jo një avantazh për ata që i zotërojnë: llojet e kompetencave të kërkuara për të praktikuar profesione fleksibël, në tërësi, nuk përfshijnë një nxënie sistematike dhe afatgjatë, ato transformohet si dëm për një trup logjikisht koherent, me aftësi të mirëformuara dhe zakone të fituara që dikur përbënin një burim. Kjo do të shpjegonte edhe humbjen e vlerës së diplomave shkollore ose universitare dhe përhapjen e kurseve profesionale afatshkurtra dhe masterave që synojnë të fitojnë njohuri që mund të tregtohet menjëherë [4].
Përballë një shoqërie që kërkon rritje të fleksibilitetit në drejtimet e jetës dhe të punës, Bauman ka frikë se arsimimi i zakoneve i burgos aftësitë konjitive të brezave të rinj dhe për këtë arsye ai i konsideron objektivat tradicionale të arsimit krejtësisht të vjetëruara. Sipas tij, do të duhej një nxënie për të shkelur rregullat, për t’u çliruar nga zakonet dhe për të paralajmëruar mësimin e tyre, për të rindërtuar përvojat e ndara në modele të panjohura më parë, dhe në të njëjtën kohë për t’i konsideruar të gjithë modelet moderne të pranueshme vetëm deri në një njoftim tjetër. Djemtë dhe vajzat postmoderne duket se kanë nevojë për një formë të të nxënit e cila do të konsistonte në shmangien e arsimimit të zakoneve konjitive, të skemave mendore apo stileve të arsyetimit të konsoliduar. Për këtë arsye shkolla duhet të edukojë brezat e rinj që të shmangin formimin e zakoneve: suksesi në jetë i burrave dhe grave postmoderne varet nga sa shpejt mund t’i heqin zakonet e vjetra dhe jo nga sa shpejt fitojnë të rejat. Gjëja më e mirë është të mos shqetësohemi për ndërtimit e modeleve, lloji i zakonit të fituar me nxënien e fortë krijuese është të bësh pa zakone [1], [2], [4].
Nxënia e nivelit të tretë
Nëse detyra e çdo arsimtari është ‘të përgatitet për atë se çfarë do të thotë të edukosh sot’ atëherë çfarë lloj nxënie u nevojitet brezave të rinj për të qenë në gjendje të përballen me një jetë të karakterizuar nga ndryshime dhe pasiguri?
Bateson nxënien e ndan në tre pjesë: niveli i parë (proto learning) ka të bëjë me përvetësimin e njohurive specifike, përmbajtjet reale mësimore, ndërsa niveli i dytë (deutero-learning) ka të bëjë me formimin e shprehive konjitive, pra mënyrat karakteristike me të cilat secili prej nesh trajton grupe të caktuara njohurishë. Për shembull, kur mësojmë një gjuhë të huaj, nuk kufizohemi në përvetësimin e njohurive të caktuara gjuhësore, ndërkohë që e bëjmë këtë, formojmë edhe një sërë shprehishë të të menduarit me të cilat do të menaxhojmë më pas sjelljet dhe problemet tona në fushën gjuhësore. Të nxënit e nivelit të tretë, përkufizohet nga Bateson si “nxënie me një shkallë shumë të lartë krijuese”: arritja e nivelit të tretë do të thotë anulim i skemave të zakonshme për të prodhuar të reja dhe më funksionale, do të thotë të jesh në gjendje të shohësh një problem të caktuar me sy tjetër [6].
Natyrisht, ftesa që i drejtohet sistemit shkollor dhe universitar nuk është që të kufizohen objektivat e nxënies së nivelit të parë, i cili ofron njohuri, por nuk formon aftësitë e duhura për menaxhimin e tyre. Bauman thotë se shkollat dhe universitetet duhet të synojnë mënyrën e nxënies së nivelit të tretë, e përcaktuar gjithashtu si “të nxënit për mos të nxënë”. Në fakt do të ishte një çështje, të mësosh të shkelësh respektimin e rregullave, të çlirosh veten nga zakonet dhe të parandalosh formimin e tyre, të rindërtosh përvoja të ndara në modele të panjohura më parë, dhe në të njëjtën kohë të konsiderosh të gjitha modelet të pranueshme vetëm deri në një shfaqje tjetër [1], [2].
Lakueshmëria dhe luhatjet
Sot paqëndrueshmëria dhe fleksibiliteti nuk janë më anomali, por normë. Prandaj, në shkollën postmoderne është e nevojshme të edukohet për fleksibilitet dhe fokus në kreativitet, reflektim, përkushtim personal elastik. Kur themi se në shkollë duhet të mësojmë si të mësojmë, i referohemi një dukurie karakteristike të proceseve të nxënies: ndërsa marrim njohuri të reja, këto njohuri lidhen gjithmonë me një kontekst specifik. Prandaj, duke mësuar ato gjëra, mësohet të lëvizet në atë lloj konteksti dhe formohen mënyra të nxënies që janë veçanërisht të përshtatshme për trajtimin e problemeve të ngjashme: kornizat ose rrjetet mendore që do të na ndihmojnë të perceptohen, interpretohen dhe të zgjidhim probleme të reja që lidhen me atë kontekst dhe madje të parashikohen. Ajo që ka rëndësi është që studentët të fitojnë njohuritë e domosdoshme në mënyrë jo pasive por aktive dhe reflektuese, duke zhvilluar një mentalitet që drejton lëvizjet e tyre të tanishme dhe të ardhshme në atë fushë: me pak fjalë sikur mendon Montaigne “një kokë të formuar mirë” dhe jo vetëm “një kokë e mbushur mirë” [4].
Zotërimi i zakoneve thjesht konjitive i bën njerëzit të aftë për të lëvizur brenda një fushe të caktuar njohurishë, por të paaftë për të kaluar nga një fushë në tjetrën, pasi tregu i punës duket se e kërkon gjithnjë e më shpesh. Kjo është arsyeja pse veprimi edukativ ‘tradicional’ sot rrezikon të dështojë në detyrën e tij themelore. Përgatitja për këtë, nuk do të thotë se mësuesit nuk duhet të ndërtojnë tek nxënësit ndjenjën e leximit, dijeve, por duhet gjithashtu t’i motivojnë ata të ëndërrojnë, imagjinojnë, në mënyrë origjinale dhe rastësore [2].
Mendimi i Bauman-it mund t’u ofrojë mësuesve sigurisht jo ‘receta’ por horizonte të mundshme me kuptim domethënës mbi të tashmen, me qëllim që të vendosin veprimin edukativ mbi baza projektuese reale, për të edukuar dhe drejtuar sjelljen e brezave të rinj në një shoqëri sot më të vështirë dhe më të rrezikshme se kurrë. Ndoshta e vetmja mundësi për të përmirësuar shoqërinë lokale dhe globale postmoderne është pikërisht ajo e arsimit, një edukim në solidaritet dhe respekt të ndërsjellë që mund të japë shpresë. Ftesa e tij për brezat e rinj ka qenë gjithmonë kjo: studioni, studioni, studioni, por merrni edhe një këndvështrim kritik, pa e lënë veten të tremben nga ata që duan të të shndërrojnë në ushtarë, lodër të bindur ndaj rregullave të konsumit; duke saktësuar se lumturia nuk është njësoj si të mos kesh asnjë lloj problemi, por të jesh në gjendje të thuash: “Ia dola”! [4].
Të gjithë bien dakord për faktin se arsimi është prioriteti në të cilin duhet të konvergjohet, megjithatë, rrallë e materializojnë atë në zgjedhje operacionale ose investime financiare për zhvillimin dhe të ardhmen e brezave të rinj, një e ardhme që është një faqe e re në të cilën duhet të shkruhet [2].
[1] Rossi, V. (2017). Bauman e la scuola. In Attualità scolastiche, dirigere la scuola, 4.
[2] Possenti, I (2004). Apprendimento liquido? Flessibilità e istruzione: una replica a Bauman.
[3] Bauman, Z. (2016). Incontro “Societe, e Paure-(Pre) visioni per il futuro. Firenze, 15 ottobre.
[4] Bauman, Z. (2001). L’istruzione nell’eta postmoderna, in La societa individualizzata, Il Mulino.
[5] Bauman, Z. (2015). La Quality dell’integrazione scolastica e sociale. 10° edizione del Convegno. Rimini.
[6] Tosey, P. (2006). Bateson’s Levels Of Learning: a Framework For Transformative Learning? Forum for Human Resource Development conference, University of Tilburg.
ObserverKult
Lexo edhe: