“Bedriut do t’ja presim gjuhën”, torturat dhe enigma e eleminimit fizik të Tuk Jakovës

toger deputetit nuk u ndalen

Dashnor Kaloçi 

Memorie.al publikon letrën e panjohur e ish-Prokurorit të Përgjithshëm dhe anëtarit të Byrosë Politike e Sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH_së, Bedri Spahiu, dërguar komandantit të Burgut 303 në Elbasan, Hysen Kapllanaj (ku të dënuarit politik punonin për ndërtimin e Fabrikës së Çimentos), lidhur me trajtimin që u bëhej të burgosurve nga ana e komandës dhe e vetë shtetit, ku nuk zbatoheshin as ligjet që ata vetë kishin hartuar, si dhe presionet psikologjike që i bëheshin Bedri Spahiut nga ana e komandantit të atij kampi, që ishte shprehur para gjithë të dënuarëve, se: “Bedriut do t’ja presim gjuhën”, etj. Letra e rrallë e të dënuarit politik Bedri Spahiu, ku ai për herë të parë hedh dritë edhe mbi disa prej enigmave të eleminimit të fizik të mikut të tij të ngushtë, Tuk Jakovës, gjatë periudhës kur ai vinte dënimin një burgun e Tiranës.

Ndër ata personalitete të Luftës Antifashiste dhe të udhëheqjes së lartë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, që më pas u dënua si “armik i popullit” e provoi mbi veten e tij torturat nga më çnjerzoret dhe persekucionin e gjatë nëpër burgje e internime, ka qenë edhe Bedri Spahiu. Gjatë viteve që ai vuante dënimin në kampe dhe burgje, i shkroi disa letra kryeministrit Mehmet Shehu, si dhe komandantëve të kampe-burgjeve ku vuante dënimin, duke denoncuar dhunën e egër që ushtrohej nga regjimi në fuqi, ndaj tij personalisht dhe të gjithë të dënuarëve të tjerë politikë që regjimi në fuqi i konsideronte të rrezikshëm. Pas letrës dërguar kryeministrit Mehmet Shehu që botuam në numrin e kaluar, në këtë shkrim po publikojmë një letër tjetër që Bedri Spahiu i’a dërgonte komandantit të Burgut 303 në Elbasan, Hysen Kapllani, (ku të burgosurit politikë ndërtonin Fabrikën e Çimentos), ku ai i parashtron presionet psikologjike dhe kërcënimet që ishin bërë në adresë të tij, si dhe bën publike disa nga makinacionet që ishin përdorur ndaj Tuk Jakovës, mikut të tij të ngushtë, gjatë kohës që ai vuante dënimin në burgun e Tiranës, ku dhe ndërroi jetë në rrethana misterioze. Për më shumë na njeh letra e Bedri Spahiut, të cilën Memorie.al e publikon të plotë.

Letra e Bedri Spahiut për komandantin e burgut 303 në Elbasan

Objekti i testamentit: ju padis! 

Dy letra që nuk është oportune t’u dërgohen të adresuarve.

Letra e pare

I nderuari Hysen Kapllanaj

Komandanti i Kampit 303 Elbasan

Më datën 7 prill, në mungesën time, në mbledhjen që bëtë me të burgosurit, ju u thatë atyre se Bedri Spahiut i pret gjuha brisk, por do t’ia presim. Po të kundrohet në kontekstin e fjalimit tuaj, kjo do të thotë se Bedri Spahiu bën agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe partisë dhe ne do të marrim masa kundër tij. Eshtë për të vënë re se këtë akuzë, ju ma bëni ditën që hordhitë fashiste sulmonin skelat tona. Në qoftë se kjo nuk është një koincidencë, mirë do të ishte të mos të kishit përdorur shpatën e antiligjorit vëllavrasës në këtë ditë, që mendimet e atyre që kanë luftuar për mbrojtjen dhe çlirimin e Shqipërisë dhe ato të popullit Nac-Çlirimtar, ishin përqëndruar në atë ditë të zezë të asaj kohe të rëndë të pushtetit.

Nga ana tjetër, është për të vënë re se, ju emrin tim e kishit vënë në krye të një liste prej 3 vetash. Mua më duket se nuk gaboj po të them se dy vetat e tjerë, janë një koperturë që ju shërben të mbuloni faktin se akuza kundër meje është një fabrikim i paramenduar dhe me prapamendim. Eshtë për t’u vënë re gjithashtu, se njëri nga shokët e bashkërenduar në listë, është akuzuar si social-demorat, tjetri është prift katolik. Unë kam të drejtë, pra, të mendoj se mbasi nga pikpamja ideore ju më quani revizionist, puna jua ka dashur ta paraqitni atë “të folur brisk” si një agjitacion të frontit revizionist-socialdemokrat-klerikal. Në qoftë se mbani parasysh se çfarë eksperience kam unë në kësi punësh dhe kush jam unë, do të kuptoni se nuk e kam zor të shquar nënshtresën e këtij rreshtimi dhe efektin që donit të bënit me këtë rreshtim dhe rezultatit që pritni. As që denjoj të merrem me vetë akuzën, e cila nga ana tjetër, mbasi i drejtohet një të dënuari politik, është një turp i shekullit të XX.

Spahiu: Kurthi që po më ngrini

Unë dua vetëm të vë në dukje:

  • E para se në bazë të opinionit të shëndoshë të të burgosurve, Zotëria juaj, deri më sot, njiheni si një partizan i ligjshmërisë, si një mbrojtës i principeve të kushtetutës, i ligjeve dhe i rregulloreve të administrimit të të burgosurve. Nga pikpamja e të kuptuarit të problemeve politike të kohës, ne jemi dy të kundërta unitare. Në fakt, juve ju duhet të mbroni ligjet dhe rregulloret, se me atë kohë kryeni detyrën; mua më duket (më intereson) ky qëndrimi juaj, se me atë mënyrë mbrohen të drejtat e mia të ligjshmërisë si i dënuar. Bash për këtë arsye unë kam për ju atë respekt që duhet të ketë çdo njeri për atë zyrtar që nuk e vë vetveten mbi ligjet, që nuk e shpërdoron pushtetin, që nuk ushtron pushtet personal. Ka katër muaj që jam në kampin tuaj dhe nuk jemi njohur as përpara kësaj kohe. Nga të gjitha sa ju thashë më sipër, më imponohet të nxjerr konkluzionin se ju, nuk keni patur asnjë predispozitë dhe asnjë arsye personale që të më akuzonit kot.
  • E dyta: unë mendoj se komanda që ju drejtoni, po të gjendej përpara një informacioni të besuar, do të përdorte ose metodën e këshillimit veçan, siç e ka përdorur edhe për të tjerë, ose do të përdorte metodën e intensifikimit të përgjimit (të spiunazhit). Ju përdorët me mua metodën e provokacionit dhe të kërcënimit publik. Ju nuk keni pasur motive personale për një gjë të tillë, prandaj unë nuk mund të besoj që ju të jeni zgjedhës i metodës në fjalë.
  • E treta: Në kampin e Fushë-Krujës edhe në kampin që administroni ju, është një tabelë ku thuhet se nuk mund të përfitojë falje, lirim me kusht dhe takim special, ai që shprehet kundër situatës së vendit. Kjo është e drejta e shtetit. Asnjë shtet që dënon agjitacionin dhe propagandën, nuk i fal ata kundërshtarë që nuk janë rehabilituar në bazë të pikpamjes së tij, në situatën e dhënë. Por duket qenë se çështja qëndron kështu, lind pyetja: Mbi cilin nen të Kodit Penal e ngritët ju akuzën kundër meje? Çfarë masa të tjera ju lejohet të merrni kundër një të burgosuri e të dënuari politik, që e akuzoni se bën agjitacion mes qytetarësh të burgosur, të cilët i keni dënuar gjithashtu për agjitacion e tradhëti.

Unë nuk mund të besoj që një njeri i ligjit, siç jeni ju, t’i lejojë vetes të ngrejë akuzë të pambështetur në ligjet e Republikës, prandaj më duhet të konkludoj se akuzën e ka ngritur tjetër kush dhe juve ju ka vënë në rolin e zëdhënës. Më duhet t’ju sqaroj se, edhe po të kishit përdorur me mua metodën e këshillimit dhe jo të kërcënimit edhe po të kishit përdorur metodën e këshillimit veçan, e jo të kërcënimit publik, unë do të revoltohesha, do të zemërohesha dhe do të pezmatohesha njësoj, pra do të reagoja siç po reagoj.

Ja pse më luftoni

Jua them këtë që t’i thoni atij që ju ka servirur materialin provokues, se nuk i shitet mish kasapit dhe nuk mund të zihet i papërgatitur dhe në befasi, ai që ka respekt për dinjitetin e personit, sado të rrojë me litar në grykë, siç po jetoj unë. Eshtë një veprim kontradiktor fakti që nuk ju dorëzoj juve letrën që shkruaj për ju. Kjo kontradiktë shpjegohet: Asgjë nuk do t’i vlente antiligjorit kjo letër që do të binte në dorën tuaj, në qoftë se procesi i arbitraritetit ka arritur apo do të arrijë në atë shkallë që ka qenë, në të cilin i burgosuri është një dash kurbani në pritje të dasmës. Edhe nëqoftëse gjendja do të zhvillohet në drejtim të pasigurisë së të burgosurit, nuk do të ishte kjo letër që do të përmbante antiligjorin.

Unë e kuptoj dhe e justifikoj plotësisht rolin tuaj si zëdhënës i antiligjorit. E çfarë mund të bënit tjetër kur antiligjori të del përpara me flamurin e Partisë, të Republikës, të Socializmit, të cilëve zotëria juaj i keni kushtuar ndjenjat më fisnike të njeriut dhe jetën tuaj? Në luftën që bën ndërgjegja juaj si njeri, si ligjor, si komunist, ju i thoni ndërgjegjes po ashtu siç i kam thënë edhe unë dikur ndërgjegjes sime: “Praj! S’ka të drejtë!” Megjithëse veprimi juaj i tanishëm na vë në pozicion me njëri tjetrin, ne të dy përbëjmë një unitet nga pikpamja e perspektivës. Po! Se sado e rëndë që të jetë situata e ligjshmërisë, sado pisk që ta ketë kjo, sado e rëndë që të bëhet në të ardhmen (mjaft e rëndë ishte edhe ajo e 1948) në fund të fundit kontradikta ndërmjet zyrtarëve ligjorë e antiligjorë, do të zgjidhet në favor të ligjshmërisë së Republikës, të kësaj Republike, të këtij takëmi, se shteti ynë si çfarëdo shtet tjetër, nuk mund t’i veshë vetvetes funksionet e arbitraritetit.

Ripërtëritja e 1966 ishte një fenomen simbtomatik në këtë drejtim. Në qoftë se dikushi, e kam fjalën tek ai që të përdori si zëdhënës, u kujtua të më vërë në shënjestër pikërisht mua, në qoftë se këtë e bëri në kushtet e çiltërsisë së dëshpërimit të të burgosurve dhe të heroizmit të dëshpërimit, në qoftë se këtë e bëri në kushtet që shfaqen konturet e represionit me të gjitha format e tija antiligjore, antishtetërore, banditeske, ganksteriane dhe mafioze, në qoftë se mbahet parasysh se i keni vënë në shënjestër, është një personalitet dhe shok i ngushtë i Tuk Jakovës, të cilin e vranë antiligjorët zyrtarë, në qoftë se mbahet parasysh, se unë nga pikpamja e antiligjorëve nuk jam më pak i rrezikshëm se Tuk Jakova, në qoftë se mbahet parasysh se arbitrariteti që po ravijëzohet karakterizohet nga fshehja e fakteve antiligjore nëpërmjet akteve të reja antiligjore, po të mbahen parasysh të gjitha këto nuk mund të mos konkludohet se, provokacioni i 7 prillit është preludi i fundit, vënia në zbatim e planit të zhdukjes së Bedri Spahiut.

Ja si e terrorizuat Tukun

Mund të bëhet vërejtja se, po të kishte një plan të tillë, do të më kishin vrarë bashkë me Tuk Jakovën. Para së gjithash duhet thënë se në atë periudhë (gusht 1959) antiligjorëve nuk u paraqitej nevoja e zhdukjes as e Bedri Spahiut dhe as e vetë Tuk Jakovës. Përkundrazi, ata ishin në nevojë që Tuku të jetonte. Ata dyshimomanë, ata dyshimpashuar besonin se Tuku dhe unë, do të kishim material të padeklaruar, që mund t’iu interesonte për goditje në udhëheqje. Ata shpresonin nga ana tjetër, se metodat që kam përshkruar në Testamentin e 1965, të vazhduara pa kufizim kohe, do të na detyronin të viheshim në pozitën e jallanshahitëve për goditje në udhëheqje. Përjashtohet, pra, një dëshirë e antiligjorëve që të vinin në zbatim planin e tyre në qoftë se për Tukun, qoftë për mua, në atë kohë; por ndodhën tri ngjarje, kompleksiteti i të cilave i detyroi:

Në muajin maj (nuk më kujtohet ekzaktësisht) 1959, në takimin që pati me familjen, salloni i burgut oshëtiu nga britmat e Tukut: “Ç’janë këto që na bëni, o faqezinj? Ne nuk luftuam 20 vjet për këtë gjendje. Këtë as fashistët nuk na e kanë bërë!”. Tuku u inatos pasi i deleguari i hetuesisë, i cili asistonte në takimin e Tukut me familjen, refuzoi ta lejonte Tukun të puthte fëmijët. Vetë prania me të deleguarit, ishte e dënueshme nga pikpamja ligjore, pasi ne nuk kishim asnjë lidhje me hetuesinë. Pak përpara kësaj ngjarjeje, Tukun e thirri një antiligjor, duke e bërë që roja ta lidhte me hekura dhe ta kalonte para se ta çonte tek ai, në të gjitha ato rrugë apo vende, ku kishte vuajtur në kohën e hetuesisë dhe të izolimit të vetmuar, pas gjyqit.

Ky antiligjor cinik, kujtonte se nga një trajtim i tillë po aq cinik paraprak, Tuku do t’i shkonte në duar si ajo pula e trëmbur nga qifti. Ndodhi e kundërta: kur antiligjori e porositi që të kërkonte rrugën e rehabilitimit, thënie kjo e nxjerrë nga goja e një profesionisti të proceseve fallco dhe drejtuar një personaliteti si Tuk Jakova, i cili vazhdimisht përpara dhe pas arrestimit ka qenë në pozita autokritike, donte të thoshte: Shërbena si jallanshahit se do të lirojmë, Tuku i’u përgjigj: “Mjaft që më keni mashtruar deri më sot. Këtej e tutje nuk do të mundni kurrë të më mashtroni!”.

Tuku u sëmur nga apendisiti dhe u shkoi në dorë si cjapi te kasapi. Unë nuk jam sëmurë. Vrasja në sëmundje e sipër është më me leverdi nga të gjitha të tjerat. Nga ana tjetër ai u shkoi në dorë pas ngjarjeve të lartpërmendura, kur zyrtarët antiligjorë ishin mbushur plot urrejtje, nervozizëm dhe dyshime ndaj tij, se mos u zbulonte makinacionin e vetakuzës për të cilin e dënuan. Çfarosja e të burgosurve për antiligjorët ka një bazë teorike, por ç’na duhet teoria kur praktika flet vetë? Zyrtarët antiligjorë tashmë e kanë deklaruar hapur tek të burgosurit se në prag të një rreziku eventual do të shfaroseshin preventivisht të gjithë ata. Sikur një gjë e tillë ta thoshte një shtetas i lirë i çfardoshëm, ligji do ta dënonte si disinformator të shtetit. Oh ç’ironi e fatit të njeriut të lirë! Hej, ti njeri i lirë i kohës sonë dhe i brezave të ardhshëm! Ti që asgjë s’ke vuajtur, asnjë s’ke parë me sytë e tu dhe që asgjë s’ke dëgjuar të tillë me veshët e tu, po të kishte mundësi që t’lexoje të dy testamentet e mija, do të konkludoje se shkruesi është relatues i hatave fantastike./Memorie.al