Nga Mitrush Kuteli
Tat Tanushi ndjente helm e gas bashkë: helm për vdekjen e së shoqes, gas se vetë Krishti i këndonte asaj. Dhe i pëshpëriti ngadal: “Dëgjon, zemra ime, zbriti vetë Ynëzot të të këndojë – Gëzoju, Kali!”
U ngrit më këmbë me Kalijen më krahë. Ajo ish e lehtë si penda dhe buzëqeshte me buzëqeshjen e të lumturit. Tata ngriti kryet lart, ndaj kupa e kishës, dhe ja se ku ajo ish plot dritë dhe ngrihej ngrihej gjer sa u bë qjell. “Pa fjalë – tha ay – kështu duhet të bëhet, mbasi Ynëzoti zbriti t’i këndojë asaj. E drejtë ka qënë në jetë, në tendat e të drejtëve do prehet”.
Zgjati ndaj alltari krahët me trupin e Kalijes edhe u pregatit të thotë: “Të tuat nga të tuat, o Zot…”
Po, befasisht, iu kujtua gjithë ëmbëlsija e jetës tokësore me të shoqen, errësira e varrit ku do zbriste ajo, vetëmija e rëndë e së arthmes edhe një dhembje e madhe i çau shpirtin. Qau me zhurmë sa kumbojti gjithë kisha.. Atëhere zëri i alltarit pushoj, kandilet e ulë dritën dhe Kalija nuk ish më në krahët e tija përveç se një skelet. Sytë e saj të bukur u bënë dy vrima të errëta, buzët e holla gropë e ngrysur dhe sisët e forta: rebra të verdha. Binte erë dhë e vdekje si bjenë erë varret e vjetër kur hapen. Tat Tanushi thirri me zë të math: “Përse, o Zot, përse? Ç’të bëra vallë që më ndjek me urrejtjen tënde?” Zëri i tij i egër u përpoq mur më mur dhe shojti gjithë kandilet. Errësirë katrani. Befas kisha u ça më dysh, u hapnë të thellat e tokës dhe Tat Tanushi u shemb tatëpjetë. Zhurmë e madhe si zhurmë shumë ujrash kur bjenë nga malet. Ferra e gurë të mprehtë i gjakosnin trupin, po dhembje mishi nuk ndjente. I dukej sikur ay, Tat Tanushi i Bubutimës ish ëngjëlli i zi i hedhur nga qjelli në hadh. Kjo ish dhembja. Shpata e zjarrtë e Kryeëngjëjve e ndiqte prapa. Era e varrit i helmonte frymën. “Gabova – thesh -gabova para Zotit”. Një ankth i math i shtrëngonte zemrën.
Dyke u shembur greminë pas gremine, nëpër natë, ja se ku sytë e tij çquan përtej – sa lark, sa lark… – një dritë të zbehtë që ngjiste me dritë kandile. U përpoq të shkojë ndaj drita dhe nuk ecte dot. Çdo gjë – drita, koha dhe ay vetë – kishin ngrirë si shtylla guri e nuk lëvisnin nga vëndi. Po zemra e tij kish jetë. Dhe jeta ish vuajtje. Dëgjoj, befas, prej së thellash, një zë që fliste në një gjuhë të lashtë: “Qetësi, qetësi.. Sepse të fshehta e të çuditëshme fort janë rrugët e Zotit. Si lumë i rreptë zemërimi i tij, si det i thellë mëshira”.
Dëgjoj pastaj një zhurmë të madhe si zhurmë deti edhe u zgjua.
Dirsë të ftohta në ballë.
Kalija flinte pranë tij; e qetë, e ëmbël. (O lëçitës! Kam parë njerës që shëmtohen kur flenë, po Kalija e bukur bëhej edhe më e bukur..) Drita e kandilit i ndriçonte fytyrën. Tata u ngrit, u fal përpara korës, u ul e puthi dorën e së shoqes dhe doli në natë.
Errët. Nata binte erë parverë: erë dheu të ri, erë bari të ri. Ndjehej rëgëtima e kronjve. Tata ra më gjunjë edhe balli i tij preku tokën e lagur nga vesa. U fal pa zë, pa fjalë, pa mendim.. Kur u ngrit, çoj yj në qjell. Një qetësi e madhe i kish zbritur në zemër. Hyri në kishë, ndezi një qiri, hapi librat dhe nisi të këndojë troparet e shenjta. Dhe tropar pas tropari zëri i tij u ngroh, këndimi u ëmbëlsua. Dyke kënduar, në ishullin e dritës që bënte qiriri, zemra e Tatit bashkohej me Zotin edhe i thesh: “Merr vite nga vitet që me ke dhënë dhe jepja shërbëtores tënde Kali- që të lavdërohet emri yt përjetë”…
Vazhdoj të kënduarat gjer u gëdhi edhe kisha u mbush me dritë. Vuri atëhere qirinë në shëndan edhe ra në gjunjë në mes të kishës atje ku iu pat ëndërsuar Kalija e vdekur. E zgjuan shpeshët që cicërinin në dritoret. U ngrit atëhere më këmbë dhe hyri në altar. Krishti që pat kënduar natën, në ëndër, nuk ish aty…
*Fragment i shkëputur prej novelës “E madhe gjëma e mëkatit”
ObserverKult
Leexo edhe: