Bëhen bashkë gjuhëtarë, shkrimtarë, studiues dhe politikanë, kërkojnë miratimin e ligjit për mbrojtjen e gjuhës shqipe

“Gjuha shqipe dhe identiteti i saj” ishte aktiviteti që bëri bashkë gjuhëtarë, shkrimtarë, studiues dhe politikanë në Kuvend të Shqipërisë.

Akademiku Gjovalin Shkurtaj u shpreh se të gjithë duhet të kujdesemi për gjuhën shqipe, duke shmangur përdorimin e fjalëve të huaja.

“Të vlerësojmë gjuhën, janë shumë pak njerëz që e dinë mirë gjuhën shqipe, që e flasin dhe e shkruajnë bukur dhe pa gabime. Po përdoren plot fjalë të huaja të panevojshme. Ta ruajmë gjuhën tonë, ta mbrojmë”, tha Shkurtaj.

Në këtë aktivitet kryetarja e Kuvendit shqiptar, Lindita Nikolla, nënvizoi se gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë, me saktësi e sa më bukur.

“Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara”, tha ajo.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj Valikaj, gjatë fjalës së saj, u shpreh se institucionet në vend kanë një detyrim të madh në përhapjen e gjuhës korrekte, qoftë të folur dhe asaj të shkruar si dhe nënvizoi se ligji i mbrojtjes së gjuhës është i domosdoshëm.

“Ligji do të na ofrojë standardet e duhura. Kemi nevojë që të kemi një ligj që të mbrojë gjuhën tonë. Edhe gjuha jonë rrezikohet nga globalizmi, lëvizjet e shumta demografike. Do të kontribuojmë nga pozita e ligjvënësit për mbrojtjen e gjuhës”, u shpreh Felaj.

Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Flutura Açka, foli gjatë aktivitetit për nismën ligjore të saj për mbrojtjen e gjuhës shqipe, si dhe ngriti disa pyetje në lidhje me çështjet e gjuhësisë, përdorimit dhe mbrojtjes së saj.

Ndërsa drejtoresha e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Prof. Asoc. Dr. Diana Kastrati tha se gjuha shqipe ka një rrugëtim të lashtë të saj dhe mbart gjurmë që e shënjuan. /sot.com

ObserverKult


Xhelal Ademi
Xhelal Ademi

Lexo edhe:

XHELAL ADEMI: VALLË VËRTET TË DUA APO VEÇ TË KAM GËNJYER…

Poezi nga Xhelal Ademi

Ti më ftove për një ndeje dhe më flisje e mërzitur
Paçka gjaku nëpër deje se më bën pulsim të ngritur
S’pate dertin që shkaktoje një tërmet gjigant mbi mua
Me ngulmim të madh kërkoje të të them sa fort të dua.

Pastaj shpejtas tok me erën zhduke veten n’lak të udhës
Teksa n’gotë shijoja verën nervi m’hyri n’mes të rrudhës
Kot u mata që ta fshija me pëllëmbën që më dridhej
Qesh i çmendur ndaj se dija që i njëjti n’tokë nuk hidhej.

Sakaq ngrysur vjen veriu me tufanin sikur ferr
N’xham përplas do pika shiu pastaj ndjenjat krejt mi merr.
M’i dërgon ndër gjurmët tua dhe m’kërkon për t’i rrëfyer
Vallë nëse vërtet të dua apo veç të kam gënjyer.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult