Bejtexhiu që mekte tironsit dhe vdiq nga uria/ Historia e trishtë e Sefer Dajës rrëfyer nga Bujar Kapexhiu (Video)

Pas librit “Seferi i Tironës”, artisti dhe autori Bujar Kapexhiu po vjen me një botim të ri mbi historinë e trishtë e personazhit urban të Tiranës gjatë periudhës së komunizmit. Kapexhiu po përgatit një libër me humor në vargje kushtuar bejtexhiut fatkeq të Tiranës, njeriut që i bënte të gjithë të qeshnin, ndërsa vetë shuhej në varfëri.

Libri sjell të gjitha bejtet e Seferit të ruajtura në formën e tyre origjinale, të ndërthurura me poezinë e autorit. “Fillimisht është poezia ime që tregon ngjarjet, dhe në fund të vargjeve të mia vjen Seferi me katër vargje”, shprehet Kapexhiu.

Sefer Daja, bejtexhiu i Tironës, njihet si një nga figurat më tragjike të qytetit. “Thuhet se mund të ketë qenë ndër të vetmit persona në Tiranë, apo edhe në Shqipëri, që ka vdekur nga uria”, tregon autori.

Megjithatë, ai nuk rrinte kurrë pa u kthyer përgjigje në formë tallëse kujtdo që e prekte. Pikërisht kjo zgjuarsi e menjëhershme dhe batutat plot ironi bënë që njerëzit të bëheshin kuriozë për vargjet e tij, që qarkullonin gojë më gojë në Tiranën e vjetër. Sefer Daja ishte një burrë relativisht i shkurtër, me brekushe dhe qeleshe të bardhë.

Fytyra e tij e rrudhur thellohej sa herë që mendonte hallet; veshët i kishte pak të mëdhenj, ndërsa hunda, nga dobësia, i varej mbi buzë. Një portret që mbeti në kujtesën e qytetit, ashtu si vargjet që dilnin nga goja e tij. Jeta e Seferit ishte e vështirë. Fillimisht punoi si ndezës sobash në Kombinatin “Misto Mame”, punë që u detyrua ta linte.

Më pas, deri në fund të jetës, punoi si pastrues i banjave publike në Tiranë. Ai vinte nga një familje e varfër, por që para vitit 1945 kishte një copë tokë dhe një shtëpi. Pas kësaj periudhe, iu konfiskua gjithçka, dhe jeta e tij mori tatëpjetën.

Në ditët e fundit, Sefer Daja u prit dhe u përcoll nga familja tiranase e Myslym Sules, në rrugën e “Xhafëve”. Ata nuk kishin asnjë lidhje gjaku me të, por i dhanë atë që i mungonte më shumë: pak ngrohtësi familjare./abcnews.al

Për më shumë ndiqeni videon më poshtë:

ObserverKult


Lexo edhe:

Pak kohë më parë pranoi origjinën shqiptare, aktori i njohur do të prezantojë Festivalin e Sanremos