Bekim Fehmiu: “Në brendi, ajo zien si vullkan”

irena papas bekim fehmiu

Në vend të përkujtimit me rastin e vdekjes së aktores greke me prejardhje shqiptare, Irena Papas.

Nga: Fahredin Spahija

Në faqet 166 dhe 167 të librit të tij autobiografik ”Shkëlqim dhe trishtim” (pjesa e dytë, 2012), Bekim Fehmiu ka nji kapitull të shkurtër me titullin “Irena Papas” ku përshkruan njohjen e tij me aktoren e njohur me prejardhje shqiptare, gjatë xhirimeve të filmit “Odyssey” (1968)…

“Më pëlqeu veçanërisht puna me një nga tragjediantet më të mëdha të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, Irene Papas. Sytë e saj të mëdhenj, të zinj, me qerpikët e shpeshtë, koka e saj e “skalitur” si skulpturat helene, duken të mahnitshme. Lëvizjet, mjetet e jashtme shprehëse, të reduktuara në minimum. Në brendi, ajo zien si vullkan. Në skenat me të nuk kisha nevojë për përqendrim të veçantë, sepse sapo dilja para saj, unë isha Odiseu. Irena është një aktore që thjesht frymëzon.

Në Zagreb, ajo u njoh me Pinterin, Brankën dhe Relja Bashiqin. Ishte e mrekulluar me “Mbledhësit e puplave” dhe fotografinë e këtij filmi. Fotografia e filmit është edhe shkencë edhe art.

Irena emigroi në Romë për shkak të grusht-shtetit të juntës ushtarake në Greqi. Ajo kishte frikë për mikun e saj, kompozitorin Theodorakis.

Duke u përpjekur ta gëzonim, e çuam në një restorant.

Unë këndova një këngë. Ajo u bashkangjit dhe e vazhdoi në greqisht. Pyesim njikohësisht: “Nga e din ti këtë?”

– Është një këngë dashurie shqiptare.

– Jo, është një këngë greke nga Janina, thotë Irena. Aty jetojnë shqiptarë arvanitas apo jo? Duke vazhduar këngën, nxjerr pasaportën nga çanta dhe thotë: – Lexo. Irini Leleku (Lejleku).

– A flet shqip? – e pyeta.

– Jo, por unë jam me origjinë shqiptare – tha Irena.

– Epo, ti do të kishe qenë mbretëresha fantastike ilire, Teuta.”

Po kush ishte në të vërtetë, Irena Papas?

Ajo u lind si Irini Lejleku me 3 shtator të vitit 1926, në nji fshat në periferi të Korintit nga prindërit Eleni Preveza dhe Stavri Lejleku.
Nëna e saj Irini ishte mësuese shkolle, kurse babai Stavri kishte studiuar për dramën klasike në shkollën e njohur greke Sofikós të Korintit.

Irena e vogël kënaqej duke luajtur me kukulla prej lecke të cilat i punonte vet. Një ditë në fshatin e saj ndaloi një teatër i cili po bënte turne nëpër vendbanime të ndryshme, dhe shfaqi një tragjedi greke me gratë që shkulnin flokët. Kjo shfaqje tek Irena e vogël la shumë gjurmë sa që ajo filloi të performonte me një shall të zi në kokë për fëmijët e fshatit.
Në vitin 1933 familja e saj u shpërngul në Athinë, kurse Irena kur mbushi të pesëmbëdhjetat filloi studimet në Shkollën Mbretërore të Artit Dramatik ku mësonte për aktrim dhe vallëzim.

Por, asaj i dukej se kjo shkollë kishte ngecur shumë dhe kishte mbetur peng i nji stili të vjetëruar aktrimi, shumë formal dhe tepër i stilizuar… Ky rebelim i kushtoi me përsëritje të vitit shkollor, kështu që diplomoi në vitin 1948.

Fillimi i karrierës së saj në Athinë, është i lidhur me aktrimin në teatrin tradicional, në shfaqjet me tekste të Ibsenit, Shekspirit dhe të tragjedive klasike greke. Më vonë shfaqet në skenën e Teatrit popullor Grek, të Athinës, pa u harruar edhe shfaqjet e saj në skenën e Brodueit në vitin 1968 në rolin e Ifigjenias dhe në vitin 1973 në shfaqjen ‘Medea’ në rolin e Medeas.

Gazetari i ‘New York Times’, Clive Barnes pasi e shikon shfaqjen e përshkruan Irenën si “nji Medea shumë e mirë dhe e kontrolluar” që po digjej “me pasion të kujdesur” por të vrullshëm. Kurse kritiku anglez i teatrit Albert Barmel e konsideronte interpretimin e rolit të Medeas nga Papas si triumf të aktrimit. Për t’u përmendur janë edhe disa role tjera teatrore në të cilat Irena Papas shkëlqeu, siç janë roli në tragjedinë  “The Bacchae” të Euripidit (1980), në “Zbritja e Orfeut” e dramaturgut amerikan Tennessee Williams (1984) dhe në “Elektra” të Euripidit, të shfaqur në Teatrin Antik të Epidaurusit (1985).

Edhe pse teatri ishte përvoja dhe dashuria e parë e saj në aktrim ajo, shkëlqimin e saj të plotë e përjetoi në film. Regjisori amerikan me prejardhje greke Elia Kazan, ishte ai që e vërejti i pari talentin e saj për film. Roli i saj i parë filmik ishte tek filmi “Hamenoi angeloi” të regjisorit grek Nikos Tsiforos i realizuar në vitin 1948. Por, vëmendjen e publikut filloi ta tërhiqte katër vite më vonë me rolin e saj në filmin “Nekri Politeia” (Qyteti i vdekur) e grekut Frixos Iliasis. Filmi u shfaq në Festivalin e Filmit në Kanë ku Irena Papas u mirëprit nga gazetarët ndërkombëtarë të cilët e fotografonin atë derisa shoqërohej nga pasaniku Aga Khan.

Kontratën e parë ndërkombëtare, Papas e nënshkroi me kompaninë filmike italiane Lux Film të cilës i mjaftoi popullariteti i aktores që e kishte arritë me filmin “Qyteti i vdekur” që ta lansonte si yll filmik. Ajo me këtë kompani filmike realizoi gjithsej tre filma gjatë vitit 1954 me të cilët zgjoi interesimin e Hollywoodit. Në vazhdim të karrierës së saj filmike Papas do të realizonte edhe shumë filma si në Greqi ashtu edhe jashtë saj. U bë aktorja më e preferuar për rolet kryesore në tragjeditë antike si “Antigona” (1961) e regjisorit George Tzavellas apo “Elektra” (1962) me regji të Michael Cacoyannis ku Papas me portretizimin e fuqishëm të heroinës së dënuar, i solli asaj statusin e yllit filmik. Ajo po ashtu, realizoi role impresive tek filmat e Cacoyannis “Trojanet” (1971) ku luan Helenën përballë Katharine Hepburn dhe Vanessa Redgrave, si dhe rolin e Klytamnestrës tek “Ifigjenia” (1977).

Ajo e fliste italishten shumë rrjedhshëm dhe Italia u bë vendi i saj më i preferuar për xhirime ku realizoi shumicën prej më shumë se 70 filmave të saj. Irena thoshte se Cacoyannis ishte i vetmi regjisor me të cilin ndihej plotësisht rehat duke e përshkruar veten si “tepër të dëgjueshme” për t’u përballur me regjisorët tjerë.

Profesori i letërsisë klasike, spanjolli Alejandro Velverde Garcia shprehet kështu për rolin e Irena Papas në filmin “Trojanet”: “Helena filmike më bindëse që është realizuar ndonjëherë!”, duke theksuar se skenari i këtij filmi është shkruar duke e patur në mendje atë.

Aventura e saj filmike në Hollywood është nji kapitull tjetër i suksesit të saj artistik. Në “qytetin e andrrave” ajo debuton me një rol të vogël në filmin “The Man from Cairo” (1953). Filmi i saj i ardhshëm “Western Tribute to a Bad Man” (1956) kishte nji rol shumë më të madh për të. Pastaj renditen edhe disa filma tjerë në të cilët ajo bartte role kryesore si “The Guns of Navarone” (1961), “Zorba the Greek” (1964) me regji të regjisorit të saj të preferuar Cacoyannis dhe me muzikën e legjendarit Mikis Theodorakis, filmi “Z” (1969), “Anne of the Thousand Days” (1969), “Mohammad, Messenger of God” (1967), “Lion of the Desert” (1982), dhe “Captain Correll’s Mandolin” (2001) që konsiderohet njëri nga filmat e saj të fundit.

Studiuesit dhe kritikët e filmit, por edhe gazetarë të shumtë jo rrallë kanë komentuar rolet dhe karakterin e saj duke vërejtur se Irena fotografohej shpesh në profil pranë skulpturave helene për ta paraqitur atë si “përfaqësuesen e bukurisë greke”.

Historiani i njohur dhe njohës i shkëlqyeshëm i kulturës helene Gerasimus Katsan, thoshte për Irena Papas se ajo ishte ylli filmik më i njohur grek, “nji aktore me ngritje marramendëse, plot fuqi e ndjeshmëri”. Kurse në Enciclopedia Italiana, aktorja greke me prejardhje shqiptare përshkruhet si një bukuri tipike mediterane me zë shumë të dashur si në këndim ashtu edhe në aktrim, mrekullisht e talentuar dhe me nji shpirt aventurier.

Karakteri dhe talenti tepër i dallueshëm nga vajzat dhe gratë e shumta aktore si në Greqi, në Europë dhe në Hollywood, aktoren Papas e bënë të nominohej e të vlerësohej me shumë Çmime ndërkombëtare nga të cilat po përmendim Çmimin Aktorja më e mirë në Berlin International Film Festival (1961) dhe Çmimin Luani i Artë për karrierë, në Bienalen e Venedikut, në vitin 2009.

Nji tjetër kapitull i saj jetësor shumë i suksesshëm, por më pak i njohur është muzika apo të kënduarit. Papas u veçua me zërin e saj qysh në kohën e studimeve për aktrim, por ky talent tjetër i saj erdhi në shprehje pasi ajo u bë e famshme me filmat e saj të viteve gjashtëdhjetë.

Shtëpia diskografike amerikane RCA, në vitin 1969 realizon nji pllakë vinili LP me 11 këngë greke të komponuara dhe të aranzhuara nga kompozitori grek me famë botërore, Mikis Theodorakis e të kënduara nga Irena Papas. Theodorakis dhe Papas njiheshin që nga viti 1964 kur po realizohej filmi emblematik grek “Greku Zorba” në të cilin i pari kishte bërë muzikën dhe e dyta kishte interpretuar rolin kryesor femëror.  Kritiku muzikor që shkruante për prestigjiozen “New York Times”, Clive Barnes pas publikimit të këtij projekti muzikor, shkruante: “Irena Papas është e njohur për publikun si aktore, por kjo është arsyeja pse ajo këndon me kaq forcë, pamja e saj aq mbresëlënëse, flokët e zi si korbi janë mjetet e saj që i shtojnë dinamikë ekspresivitetit të saj”.

Në vitin 1972, Irena Papas ftohet të bashkëpunojë me rock-grupin grek “Aphrodite’s Child” për albumin e tyre “666” ku ajo duhej të këndonte nji refren: “Unë isha, Unë jam, Unë po vij”, që duhej të dëgjohej mbi perkusionet që mbulonin prapavinë muzikore. Ky kontribut i Irena Papas në albumin e rock grupit grek, nuk e entuziazmoi shumë kompaninë diskografike “Mercury Record” e cila kishte shumë hezitime që ta nxirrte në shitje albumin shkaku i “orgazmit grafik” të saj. Duhet përmendur se në këtë album kanë kontribuar edhe Vangelis dhe Demis Roussos.

Pastaj vijnë edhe dy projekte muzikore tejet interesante me muzicientin dhe kompozitorin e madh grek Vangelis. Në vitin 1976 realizohet albumi i saj me tetë këngë popullore greke i titulluar “Odes” të performuara me muzikën dhe pjesërisht të komponuara nga Vangelis. Bashkëpunimi i tyre i dytë realizohet në vitin 1986 me albumin “Rapsodies” me nji përpunim elektronik të liturgjive Bizantine. DJ dhe shkrimtari anglez Jonny Trunk shprehet kështu për këndimin e Irena Papas në këtë album: “Nuk kisha asnji dyshim për fuqinë, zjarrin dhe kënaqësitë tokësore që ofron zëri i Papas”.

Jeta e saj private nuk ishte as afërsisht e suksesshme si karriera e saj e bujshme filmike, por edhe ajo muzikore. Në vitin 1947 ajo u martua me regjisorin grek Alkis Papas (mbiemrin e të cilit e mbajti tërë jetën). Kjo martesë zgjati vetëm katër vjet. Në vitin 1954 takohet me aktorin e madh Marlon Brandon me të cilin pati nji lidhje të gjatë dashurie që e mbajtën të fshehtë nga publiku tërë kohën. Kur aktori Brando vdiq (2004) ajo hapi zemrën duke thënë: “Ai ishte pasioni i madh i jetës sime, absolutisht njeriu për të cilin kujdesesha më shumë dhe gjithashtu ai që vlerësoja më shumë, dy gjëra që përgjithësisht janë të vështira për t’u përputhur”.
Irena Papas provoi në jetë edhe një martesë tjetër në vitin 1957, me producentin filmik José Kohn, e cila nuk vonoi shumë dhe u anulua.

Irena Papas në vitin 2018 u njoftua se vuante nga sëmundja e Alzheimerit. Vitet e fundit të jetës, deri në vdekjen e saj (këtë të mërkurë) me 14 shtator, ajo i kaloi në fshatin e bukur grek Chilimodi.

*Ky tekst u pasurua me të dhëna nga Interneti, YouTube dhe libri autobiografik i Bekim Fehmiut “Shkëlqim dhe trishtim”

ObserverKult