Nga Ben Blushi
Sa vjeç je, Baba Saliu?
82.
Si e ke mbiemrin?
Unë jam dervish, s’kam mbiemër.
Kur je bërë dervish?
Në 1991.
Si quheshe para këtij viti?
Sali Peti.
Ishe i martuar?
Po më provokon, çfarë janë këto pyetje?
Dua të të njoh, prandaj të pyes.
Po ti pse ke nishan? më pyeti Baba Saliu.
Nuk e di pse e kam, por e kam, thashë unë.
Është shenjë e mirë, mos e hiq, tha Baba Saliu.
Çfarë shenje është, pyeta unë.
Tregon se je i sinqertë.
Baba Saliu, a ishe i martuar?
Isha, kisha dhe një djalë.
Po tani, a takohesh me gruan?
E kam si motër, që nga ‘91 nuk bëj më marrëdhënie.
Po djali ku është?
Në Bulqizë.
Pse në Bulqizë?
Unë jam nga Dibra, kam punuar minator në Bulqizë.
Ma trego pak Teqenë, thashë unë.
Hajde se kam dhe punë të tjera, s’do rri vetëm me ty, tha Baba Saliu.
Si quhet kjo teqe?
Teqeja e Baba Shememit, ai e ndërtoi në 1799.
Çfarë ishte Baba Shememi?
Hiqi këpucët të hyjmë në varrin e tij ta marrësh vesh, tha Baba Saliu.
Po pse t’i heq këpucët, e pyeta.
Ore po më provokon, çfarë je ti që nuk i heq këpucët?
Do t’i heq, thashë unë.
Shumë mirë, tani lexo këtu ça shkruan për Baba Shememin.
Po e lexoj, thashë unë.
Lexoje me zë të lartë, tha Baba Saliu.
Lindi në 1748, në 1799 hyri në post, në 1803 për matem ra dëshmor, hy dost.
E kuptove, tha Baba Saliu.
Kuptova kur ka lindur, po ç’domethënë matem?
Matem është kur ne rrimë 10 ditë pa ngrënë e pa pirë në nderim të tij.
Po hy në dost, ç’domethënë?
Ore, po më provokon, tha Baba Saliu.
Nuk e kuptoj, thashë unë, hy në post hy në dost.
Hy në post u bë dervish, hy dost do të thotë që u bë i dashur për ne bektashinjtë.
Po pastaj, kush e vrau Shememi Babain?
E vranë Toptanët e Krujës.
Pse e vranë?
Se ata ishin myslimanë sunitë, nuk donin teqe bektashije këtu.
Po pastaj, ça bëri Shememi Babai?
Ore mos më provoko, lexo aty i ke të gjitha.
Doktor në letërsi, ishe ti ja Shememi, ashtu edhe në filozofi, i ditur pa shoq, në jetë u përpoq.
Mirë e lexove, tha Baba Saliu.
Ku e mësoi ky letërsinë në vitin 1700, pyeta unë.
Ore, kupton ti? Ky ishte në Turqi, që andej erdhi.
Po ça bënte në Turqi?
Ishte bektashi, rridhte nga familje profetike.
Po ku e thotë këtu që rridhte nga Profeti?
Ore mos më provoko, të thashë, lexo aty urgjent!
Udhën e drejtë bane besë, pse i kishe pjesë, me Muhamet Alinë, ata që të vranë, mos paçin ndjesë.
E pe apo jo?
Ka shumë rimë, kush e ka shkruar?
Ore lëre rimën dhe vrimën ti, po e pe që ky vjen nga Muhamet Aliu, që vetë vjen nga profeti?
Po ai varri tjetër ça është, pyeta unë.
Nuk e di, është arabisht, tha Baba Saliu.
Domethënë nuk është bektashi ky në këtë varr, duhet të jetë sunit, i thashë.
Nuk i shërbej atij unë, i shërbej Shememi Babait, tha Baba Saliu.
Baba Sali, më thuaj ku ndryshon një sunit nga një bektashi?
Mos më provoko të thashë, për ça m’i bën këto pyetje?
Dua ta di, të informohem, thashë unë.
Bektashinjtë kur hyjnë në mejdan, japin besën, sunitët nuk e japin.
Çfarë është mejdani?
Mejdani është kjo teqeja pra, urdhri i bektashinjve, tarikati ynë.
Po mirë, ju bektashinjtë i lini burrat të pinë?
Ndonjë gotë lejohet, po jo të bëhen tapë.
Po të martohen disa herë?
Çfarë është kjo pyetje, tha Baba Saliu.
Myslimanët mund të marrin deri në katër gra, po bektashinjtë sa mund të marrin?
Po pse me gratë e botës do merrem unë? Një grua të marrin dhe e kanë shumë, tha Baba Saliu.
Po një pyetje të bëra, i thashë.
Çfarë pyetje është kjo? Shko në xhami pyet, ja ku e ke minaren e tyre.
Kush janë më shumë, myslimanët apo bektashinjtë në Shqipëri?
Ka myslimanë plot, por më shumë ka bektashinj.
Po ti si jeton këtu vetëm?
Kam personel, tha Baba Saliu.
Po ata paguhen?
Paguhen.
Po ti paguhesh?
Unë nuk paguhem, unë sakrifikoj, tha Baba Saliu.
Po çfarë sakrifikon?
Po pse, që kam një orë që bëj muhabet me ty, a nuk është sakrificë kjo?
Po të rrish me mua, sakrificë është, thashë unë.
Ore, prapë më provokon, po më bën dhe fotografi. Ça janë këto karikatura që më bën, dil në hije, dil në diell, hap sytë, mblidh duart?
Dukesh shumë mirë, Baba Saliu, sakrifiko dhe dy minuta të bëj një foto.
Je i mirë, tha Baba Saliu, mos e hiq nishanin.
Nuk e heq, i thashë.
ObserverKult
Lexo edhe:
BEN BLUSHI: ANIJA ME EMRIN SHQIPËRI QË KA LËNË BRIGJET SHQIPTARE MË 8 DHJETOR 1990 ENDE VAZHDON LUNDRIMIN…
Nga Ben Blushi
VITI 2023
Imagjinoni sikur jeni mbi detin Adriatik dhe filmoni vazhdimisht një anije që është nisur 30 vjet më parë nga bregu lindor për të shkuar në Perëndim.
Është Shqipëria.
Shqipëria i ngjan një anije e cila është nisur por nuk po mbërrin në destinacion. Gjatë këtij udhëtimi që mund të zgjasë edhe 40 vjet, pra edhe 10 vjet të tjera, kanë ndodhur shumë gjëra siç ndodh zakonisht në çdo anije kur marinarët janë të varfër, të pamësuar dhe ku komanda ndryshon shpesh për shkak të betejave të brendshme.
Ka ndodhur që anijen e ka drejtuar dikush, i cili e ka kthyer timonin në drejtime të tjera dhe kjo fatkeqësi, që është përsëritur e ka shtyrë mbërritjen edhe më shumë.
Por grindjet e brendshme, nuk kanë qenë përherë paqësore.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult