Ben Blushi: Burri ishte diku tjetër… ndoshta në një spital ku ka një prind

ben blushi lako dren zotin
Ben Blushi


Nga Ben Blushi

E pashë këtë burrë në plazhin e Vlorës.
Ai po ngiste biçikletën e tij në rërë dhe pasi e ndoqa një copë herë me sy, kuptova se nuk po shkonte asgjëkundi. Bënte rrathë mbi rërë, nisej, kthehej, përkundej sikur do binte, pastaj ndalonte dhe nisej prapë. Biçikletën e drejtonin mendimet e tij.

Biçikleta ishte në plazh, ndërsa burri ishte diku tjetër. Ndoshta në një spital ku ka një prind, ndoshta në një punë nga ku e kanë hequr, ndoshta në një shkollë që nuk e paguan dot, ndoshta në një gjykatë ku i kanë marrë një të drejtë, ose ndoshta në një shtëpi ku nuk kthehet dot më.

Biçikleta e tij është biçikleta e jetës.
Ne përpiqemi gjithë kohën të jemi në ekuilibër me veten dhe me botën, përpiqemi që rrathët e jetës sonë të jenë sa më të mëdhenj dhe që ata të zgjerohen çdo ditë duke zvogëluar rrathët e njerëzve të tjerë.

Në çdo rast përpiqemi të shkojmë nga një destinacion në një tjetër. Nga një breg në një tjetër. Nga një varkë në një anije. Siç është rasti i këtij burri me biçikletë në plazh.
Ai duket sikur është nisur nga një varkë e vogël për të kapur një anije të madhe.

Nuk e di sa do t’ja arrijë.
Kam frikë se jo.
Në fund të fundit kjo është biçikleta e jetës. Ajo noton mbi dallgë derisa mby tet bashkë me ne.

*Titulli i origjinalit: “Një burrë mes një varke dhe një anije”


Lexo edhe:

RRËFIMI I BEN BLUSHIT PËR DJALIN NGA GRAMSHI: KUR E PASHË…