Ben Blushi: Varrezat ishin mbushur me gropa bosh që njerëzit i bënin gati për vete

ben blushi lako dren zotin
Ben Blushi

Nga Ben Blushi

Kur Ibrahimi mbushi 50 vjeç në fshat ra kolera.
Në qershor disa ushtarë turq që vinin nga larg për të shkuar në Janinë, ndaluan disa orë për t’u çlodhur. Ata u lanë dhe pinë ujë, duke futur gojët e etura në çezmat prej guri që kishte ngritur Arianit Komneni, në mes të fshatit. Njëri prej tyre e kishte sjellë sëmundjen nga shkretëtira dhe pa e ditur ia kaloi çezmës së Arianitit. Një djali të vogël, që lagu buzët atje, iu fry barku si kacek dhe ethet e padurueshme ia shkatërruan sytë dhe veshët derisa vdiq.

Tek e njëjta çezmë ishte freskuar edhe Vasili, i cili duke bërtitur nga dhimbjet i kërkoi Hanës që ta mbështillte me batanije dhe ta digjte të gjallë, për të mbytur mikrobin. Por Hana nuk pranoi dhe Vasili doli në oborr dhe u ngul mbi një sfurk. Pas tij dha shpirt mbesa e vogël e Mihalit dhe e Zoicës, e cila nuk vuajti gjatë, por vdiq në gjumë e mbuluar me të vjellat e veta. Pas saj u shuan me rradhë kunata e vëllait të Mihalit dhe vetë Zoica.

Ashtu si Mihali përpara njëmbëdhjetë vjetësh, kolera kapërceu gardhin që ndante dy oborret dhe hyri në shtëpinë e Ibrahimit. Ibrahimi luftoi për shumë ditë duke përdorur gjithë dijen që kishte mësuar nga sëmundjet e kafshëve të tij dhe për pak kohë e zbuti kolerën. Por një natë, pabesisht, kolera u zgjua më e uritur se në fillim dhe, para se të linte shptëpinë e Ibrahimit, mori me vete Ademin trevjeçar dhe Anën.

Ibrahimi bashkë me djemtë formuan një vig me drurë, e veshën gruan me rroba të bardha dhe i bënë një shëtitje nëpër fshatin e sëmurë, përpara se ta varrosnin në varrezat e krishterëve. Pastaj morën Ademin e vogël, që nuk kishte nevojë për vig, dhe e varrosën në një vend tjetër jashtë fshatit, aty ku, që nga koha e Arianitit, ishta caktuar varreza e myslimanëve. Ademi shkoi i pari në atë varrezë, siç kishte ardhur i pari në jetë Adami, që i kishte dhënë emrin.

Pas tij vdiq Ismail Komneni, që kur e kuptoi se nuk kishte shpëtim, shkoi tek e bija Hana dhe pa i dhënë dorën ng frika e kolerës, tha se ia linte asaj gjithë tokat trashëgim. Hana e ndoqi nga pas të atin dhe pa sesi ai shkoi në pyll dhe nga ku ishte bashkuar me gruan e tij, duke u dridhur nga të ftohtët, hapi një gropë të cekët dhe u fut brenda. Hana nuk duroi dot dhe nxitoi ta mbulonte.

Për te muaj fshati i ngjau një spitali lufte. Dyert e shtëpive rrinin hapur, rrugët mbetën të papastruara, të sëmurët dergjeshin nëpër oborre, varrezat ishin mbushur me gropa bosh që njerëzit i bënin gati për vete dhe të afërmit, çezmat e rrugëve u mbyllën, ndërsa uji i pakët nuk përdorej pa u zier në zjarr. Qentë, macet dhe minjtë e ngordhur shtriheshin të lirë në diell për të ushqyer mizat e pangopura.

* Fragment i shkëputur nga romani “Të jetosh në ishull”, Ben Blushi, Botimet TOENA, Tiranë 2008

Përgatiti: ObserverKult

Lexo edhe:

BEN BLUSHI: TAKIM ME JOHNNY DEPP