Esmeralda Shpata: Nuk dua të takoj asnjërin…

Esmeralda Shpata huaj

Nga Esmeralda Shpata

Nuk dua të takoj asnjërin. Kini mirësinë të mos më dilni para, se përndryshe; do t’ju jap dorën dhe do t’ju pyes për shëndetin, punët e jetën në përgjithësi.
Gruaja që më përshëndeti ishte Gaja. As nuk e mendoi ç’po kuturiste kjo mendja ime, m’u afrua dhe me një buzëqeshje në dukje të çiltër, filloi të më pyeste për shëndetin, punët e jetën në përgjithësi. Për të ma lëshuar dorën m’u desh një copë herë përpëlitje mes pëllëmbës së saj, ca djersë të imta mes gishtave dhe së fundmi një dorëzim e lëshim muskujsh.
As nuk e vrau mendjen ç’po më ndodhte dhe si me fuqi të marra nga pëllëmba ime hapi gojën dhe me një ton të prerë më tha:
“E di unë si të rregulloj ty, më kanë dëgjuar veshët plot çudira këto kohë, por kjo është tjetër gjë.”
Me një të qeshur ironike në buzë belbëzova pa pikë turpi:
“Si?”
“Ruaj shëndetin, kujdesu për veten dhe prit.”
Me kaq fjalë, u largua duke më lënë si statujë mes rrugës. Ika dhe unë duke u ia mbathur me tërsëllëmë nga skena e rastit se kushedi ç’dorë tjetër më zgjatej dhe në ç’favore më futte.
Ditët fironin dhe unë s’pata ndonjë qëllim konkret ta takoja atë fatën time, por, ikja nga ikja dhe këmbët po atje më çonin, atje ku kisha ndier një farë trazimi. Nuk doja ta jepja veten dhe sapo i afrohesha vendit ku u takova me të shikoja egër dhe me inat. A thua do t’i vija pikat mbi i me ato reagime naive.
Gaja ishte egoja ime. Unë jam një asgjë pa Gajan, ky mendimi i të qenit pa gjë më buis si një pikël në tru, me ca dridhma si brisk.
Gaja është e paarsyeshme, ka marrë një sharrë dhe një pozicion prerës.
M’i pret mendimet sikur të ishin krahët dhe këmbët e mia. M’i bën masë para syve si një lëndë drusore që s’bën punë për mobilje, e shumta që mund të bësh me të është ta djegësh e të ngrohesh kur të hyn i ftohti në palcë.
Gaja më ka gjymtuar, kështu sakat si jam më flet për punët që s’i ndreq dot, shëndetin që po më lëshon çdo ditë dhe për jetën. Qëllimi i saj ka qenë gjithmonë të ma kalojë dhe unë të mos ndiej shije për asgjë.
Për të më torturuar më puth dhe gudulis gjithë trupin. Unë jam cung, nuk ia kthej dot, nuk kam as duar ta përkëdhel, as këmbë që t’i zhdukem nga sytë.

*Titulli i origjinalit: “Gaja”

ObserverKult


Esmeralda Shpata huaj

Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: TI E DI, MEZI MBIJETOVA NGA VDEKJA!

Nga Esmeralda Shpata

Dëgjomë!

Ti e di, po s’më lëndove unë nuk mund të të dua. Në qoftë se unë  nuk e ndiej gjëmën, si mund të të dua?! E mban mend kur më braktise, kur më le mes katër rrugëve për një nga ato të lëvizurat e vogla?! 

Sa shumë të desha atëherë, i përmbysi dashuria të gjitha rastet e tjera. Sa nuk u çmenda nga dhimbja. Ti e di, mezi mbijetova nga vdekja. Kur e mora veten nga sëmundja dhe u bëra më mirë, shkova dhe mblodha të gjitha lulekuqet që kisha parë. Bleva ftesa dhe të përgatita funeralin. Ti erdhe i lemeritur nga çmenduria ime, më gjuajte mes gjindjes me këpucë.

E mban mend si ikën të gjithë të tmerruar?! 

Kur salloni u zbraz u pamë në sy dhe ia dhamë së qeshurës me të madhe. Më pas u përvodhëm  në heshtje  në  cepin më të errët të shtëpisë dhe u puthëm. Ti vure muzikë dhe kërcyem tërë natën. Si iku koha! Në ag, sapo zbardhi dita, më përplase me dhunë në tokë sepse u kujtove ç’të kishte sjellë mbrëmë pranë meje.

Mund të martohemi, por do të ishte torturë të më sillje kafen, të paguaje faturat, të më prisje thonjtë e dorës së djathtë çdo të diel pasdite.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult