Benet Beci gjen orën e vjetër të Shkodrës: Për 33 vjet ishte “fshehur”…

Mekanizmi i orës së vjetër i është kthyer qytetit të Shkodrës pas 33 vjetësh. Kjo pasi që ishte ruajtur nga një familje pas rrëzimit të komunizmit.

Kështu ka njoftuar së fundmi përmes një postimi në rrjetet sociale kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i cili është shprehur i lumtur që kjo orë përsëri i është rikthyer qytetit të Shkodrës.

Ky mekanizëm i orës do të bëhet pjesë e fondit të Muzeut të qytetit të Shkodrës, derisa pasi që të bëhet funksional do të kthehet në vendin ku ka qenë nga fillimi.  

Postimi i plotë i Benet Becit:

Kurrë s’e mendova se do ta gjenim mekanizmin e vjetër të sahatit aty në kullën e vogël ngritur enkas mbi pallat, kur i kërkova një punonjësi të bashkisë të shkonte ta verifikonte.

Mekanizmi mbi 120-vjeçar i sahatit ishte akoma aty, falë familjes Kurraj dhe zonjës Suzana që e kishin ruajtur në vite. M’u duk se zbuluam një thesar të qytetit, ndaj dua të shpreh edhe publikisht mirënjohjen time dhe në emër të Bashkisë Shkodër për qytetarinë e treguar nga kjo familje gjatë gjithë këtyre viteve.

Falë orëndreqësit  Besnik Sahatçia, mirëmbajtësit Ermir Dibra dhe restauratorit Petrit Bilali  mundëm të mësonim historikun e këtij sahati dhe vlerat që ai mbart, por edhe të realizonim pastrimin e mirëmbajtjen e mekanizmit të tij.

Me këtë nismë të thjeshtë, por i bindur që kam mbështetjen e qytetarëve shkodranë, kam kënaqësinë  t’ju njoftoj se ky mekanizëm po bëhet pjesë e fondit të Muzeut të qytetit. Njëkohësisht dua të ndaj me ju lajmin e mirë se po punojmë për rindërtimin e plotë të Sahatit të Shkodrës për ta bërë funksional në të njëjtin vend.

Dhe së fundi dua t’ju ftoj ta ndiqni këtë reportazh modest që u prodhua nga Bashkia Shkodër, si një provë e patjetërsueshme e shpirtit shkodran, gjithmonë i mbushur me qytetari e dashuri.

Videon mund ta shikoni duke klikuar KËTU:

ObserverKult


rrahman dedaj
Rrahman Dedaj

Lexo edhe:

RRAHMAN DEDAJ: SONTE MUND TË MË LËSH VETËM E T’IKËSH…

Sonte mund të më lësh vetëm e t’ikësh
Atje ku s’mund të arrij
Me krahët e zogut të verdhë

Mund të më lësh krejt vetëm
Si këtë rrugë
Që numëron kalimtarët e vet të ikur
Si këtë lumë
Që i afrohet detit të vet pa brigje
E s’mund ta arrij me këtë fjalë
As me këtë valë
Që gjakun verë ma bën ngadalë

Ti je mësuar të luash me mua
Mund të ikësh e të më lësh
Vetëm me emrin tim
E çmendinë e vargut që po e lind
Me gjërat që po e harrojnë
Trajtën e vetës së parë

Mund të më lësh krejt sonte
Si atë fëmijën
Pranë vitrinës së vjedhur

Ti je mësuar të luash me mua

Ku fillon sonte rruga
Nata e natës ku mbaron
Etja me etje po fillon.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult