Berati, apo siç njihet ndryshe qyteti i një mbi një dritareve, është një destinacion turistik i preferuar nga turistët e huaj dhe pushuesit vendas.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi në kuadër të fushatës “Udhëto Shqip, pusho Shqip”, ka promovuar qytetin e Beratit, si një nga zonat më të preferuara të turistëve të huaj, si një alternativë për të apasionuarit e aventurës, rafting, kulinarisë dhe natyrës.
“Berati është ndër pikat e preferuara të turistëve të huaj në vendin tonë pasi mundëson një larmishmëri turizmi shumë alternativa për të kaluar disa ditë të pasura me aktivitete. Është një muze i hapur për të gjithë të apasionuarit pas historisë, kulturës dhe arkeologjisë por edhe i rrethuar nga një natyrë mbresëlënëse për të gjithë eksploruesit dhe aventurierët”, shprehet Klosi.
Berati ndodhet në jugun e vendit, 70 km në vijë ajrore në jug të Tiranës, përshkohet nga lumi Osum dhe rrethohet nga kodra dhe male, ku spikat Tomori, i deklaruar park kombëtar.
Berati është një nga qytetet djep të historisë së Shqipërisë. Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze, me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona: zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.
Berati pëlqehet nga turistët edhe për turizmin e aventurës. Lumi Osum është njohur për udhëtimet Rafting, të cilat pëlqehen shumë nga të rinjtë, ashtu si dhe është i njohur për hiking në Malin e Tomorit. Ky mal njihet dhe për pelegrinazhin e besimtarëve Bektashinjë, një motiv më shumë për turizmin religjioz./ATSH