Berlinale 2023, Steven Spielberg nderohet me Ariun e Artë

Berlinale është rikthyer në format të plotë. Pas dy vjet kufizimesh pandemie “Potsdamer Platz” sërish gëlon nga vizitorët e shumtë nga e gjithë bota, fansa që presin për autografe pas hekurave të tapetit të kuq, gazetarë dhe kineastë të akredituar që vrapojnë nga njëra kino në tjetrën.

Vetëm radhët e gjata të filmdashësve me termus dhe libër në dorë duke pritur me orë të tëra te sporteli i biletave, nuk janë rikthyer.

Blerjet tani bëhen vetëm në mënyrë digjitale. 183 filma po shfaqen në këto dhjetë ditë në Berlin.

Prej tyre 18 marrin pjesë në garën kryesore për Ariun e Artë, çmimin kryesor të Berlinales, që do të bëhet i njohur të shtunën, më 25 shkurt, në një mbrëmje gala.

Njëri prej protagonistëve më të shquar të Berlinales 2023 e mori Ariun e Artë qysh të martën.

Steven Spielberg, regjisori dhe producenti i famshëm nga Hollywoodi u nderua me Ariun e Nderit për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në botën e kinematografisë.

Spielberg, i cli vjen shpesh në Berlin, u prit në sallë me ovacione të gjata me minuta të tëra.

Ai ia ktheu falenderimin dhe mirënjohjen publikut gjerman duke thënë se pikërisht në punën e tij ishte frymëzuar nga shumë regjisorë gjermanë si Friedrich Wilhelm Murnau, Ernst Lubitsch, Rainer Werner Fassbinder, Werner Herzog.

Pastaj, Margarethe von Trotta, Wim Wenders, Wolfang Petersen, Volker Schlöndorff e Tom Tykwer.

76-vjeçari Spielberg tha në konferencën e shtypit, se “një çmim i tillë të kthen detyrimisht në të kaluarën dhe të vë në mendime”.

Sipas tij, të nderohesh në Berlin, në “njërin nga festivalet më sublime të historisë”, është një arritje shumë e madhe në jetë.

Filmi “Fabelmans” i regjisorit Steven Spielberg: Personazhi kryesor i filmit gjysmë-autobiografik është Sammy Fabelman (Gabriel LaBelle, 20).

Pas një aksidenti në fëmijëri ai vendos të bëhet kineast. Fabelmans është propozuar për shtatë çmime Oscar.

Për nder të tij Berlinale shfaq një retrospektive të gjatë me filmat e Spielbergut. Filloi nga Jaws (1975), E.T (1982), Schindlers List (1993) e deri te filmi më i fundit gjysmë-autobiografik “Fabelmans”.

Bono, solisti i grupit të muzikës rock U2, që mbajti fjalën e rastit, e quajti Steven Spielberg “shpirtin e kinematografisë”.

Por Bono ishte në Berlinale edhe për të marrë pjesë në prezantimin e filmit “Kiss the Future” (Puthe të ardhmen).

Dokumentari rrëfen për lidhjen e grupit të famshëm U2 me skenën punk dhe rock të viteve 1990 në Sarajevë, gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë.

U2 do të shkonin më pas, vetëm dy vjet pas përfundimit të luftës, që të mbanin një koncert, në shtator 1997.

Ky film shfaqet në kuadër të serisë Berlinale Specials dhe si producent ka aktorët hollivudianë Matt Damon dhe Ben Affleck.

Regjisori Nenad Cicin-Sain, i cili edhe për arsye biografike nuk i ndan njerëzit në kategori etnike.

Vetë i lindur në Slloveni, mamanë e ka serbe, babanë kroat dhe gruan shqiptare – tha në konferencën e shtypit se kishte vënë re rindezjen e retorikave nacionaliste në territoret e ish-Jugosllavisë. Donte të tregonte se çfarë ka ndodhur atëherë.

“Dokumentari ka të bëjë me rolin e muzikës dhe artit si armë vetëmbrojtjeje”, tha Bono.

Nëse në Bosnjë duket se lufta ka përfunduar, një vendi i Evropës është sërish në luftë. Berlinalja e tregoi solidarizimin e saj me ukrainasit.

Volodymyr Zelenskyy, presidenti ukrainas, ishte i pranishëm virtualisht në ceremonisë e hapjes më 17 shkurt dhe mbajti një fjalim.

Ish-aktori Zelenskyy u kërkoi kineastëve solidaritet me Ukrainën dhe tërhqoi një paralele me Murin e Berlinit.

Në Berlinale 2023, u shfaq edhe dokumentari i aktorit dhe regjisorit të Holliwoodit Sean Penn, “Superpower” (Superfuqi).

Filmi portretizon Zelenskyyn dhe ditët para pushtimit rus të Ukrainës, me Penn që fillimisht synonte të bënte një portret të komediantit që është president.

Pesë filma gjermanë në garën kryesore

Kush do ta fitojë Ariun e Artë? Kjo nuk është pyetja e vetme, por është njëra nga pyetjet kryesore që do të përgjigjet të shtunën më 25 shkurt.

A do të jetë fituesi ose fituesja një film gjerman?

Gjasat nuk janë të pakta: nga 18 filmat garues, pesë janë gjermanë.

Margaretthe von Trotta, regjisorja gjermane kthehet pas 40 vjetësh në Berlinale.

Ajo rikthehet pikërisht me një inskenim të dashurisë fatkeqe të dy figurave të rëndësishme të letërsisë gjermane, Max Frisch dhe Ingeborg Bachmann.

Në kuadër të panarit të filmit European Film Market, u rikthyen edhe Qendrat Kombëtare të Kinematografisë të Kosovës dhe Shqipërisë me stendën e tyre të përbashkët të munguar për dy vjet radhazi.

Publikut të fushës iu prezantua edhe filmi i Gentian Koçit, “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”. Ky film është propozimi zyrtar i Shqipërisë për çmimin Oscar 2023. (DW)

ObserverKult


Lexo edhe:

BERLINALJA MBAHET PAVARËSISHT NGA KORONAVIRUSI

Festivali i Filmit në Berlin do të zhvillohet në shkurt, ashtu siç ishte e planifikuar. Sipas Reuters, edhe pse shifrat në Gjermani vijojnë të jenë të larta, festivali do të zhvillohet pasi nëse nuk ndodh do të ishte një humbje e madhe.

Organizatorët po shikojë mundësinë që eventi më i rëndësishëm i filmit të zhvillohet në sallë, megjithatë nuk përjashtohet edhe mundësia e transmetimit online.

E quajtur ndryshe Berninale, ky festival është një nga ngjarjet më të mëdha të tregut ndërkombëtar të filmit në botë.

Ky festival do të zhvillohet në datat 11-21 shkurt dhe do të respektohen të gjitha udhëzimet shëndetësore si mbajta e maskave, testimi i aktorëve, producentëve, matja e temperaturës etj.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult