Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti kujtoi Bernardin Palajn, folklorist, poet dhe historian, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”.
“Homazh folkloristit, poetit e historianit Bernardin Palaj, që na la pas një trashëgimi të vyer folklorike”, tha Margariti.
Bernardini lindi më 2 tetor 1894 në një familje me origjinë nga Shllaku. Vdiq në burgun e Shkodrës më 2 dhjetor 1946.
Mësimet e para dhe të mesme i mori në shkollën françeskane në Shkodër. Pas mbarimit të shkollës së mesme, u nis për studime në Graz të Austrisë, ku kreu filozofinë e teologjinë dhe u shugurua meshtar.
U kthye menjëherë në atdhe, ku filloi veprimtarinë meshtarake e kulturore, duke shërbyer si famullitar ndër fshatrat e vendlindjes. Krahas veprimtarisë meshtarake, nisi të mblidhte thesaret e krijimtarisë gojore të popullit, gojëdhëna, këngë, doke, zakone.
Atë Bernardinit i takon merita e pamohueshme e mbledhësit të parë të epikës legjendare shqiptare. Është ai që, së bashku me sivëllaun françeskan, Atë Justin Rrotën, i dhuroi kulturës shqiptare një nga brilantet më të ndritshëm: përmbledhjen e parë të Këngëve të Mujit e të Halilit. Ishte viti 1939 kur përmbledhja “Kangë kreshnikësh e legjenda” pa për herë të parë dritën e shtypit.
Botoi shumë shkrime në shtypin kishtar të kohës, posaçërisht në “Hyllin e Dritës” e në “Zanin e Shëna Ndout”, por edhe në gazetën “Tomori”. Palaj ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare që më 1940. Ka botuar edhe librat “Prej burgut të jetës”; “Vorreve të flamurit”, “Kuq e zi, “Mite, besime, legjenda” (ribotuar pak vite më parë në Kosovë); “Kanuni i maleve” etj.
Palaj si poet përfaqësohet me një mori krijimesh, ndërmjet të cilave poema “Valët e një shpirti” që përmban 1533 vargje.
Vdiq në burg, para se të “gjykohej” më 2 dhjetor 1946 sepse u mbajt lidhur me tela dhe vdiq nga tetanozi; vuante edhe nga sëmundje zemre./ATSH
Lexo edhe:
KËTO MIZORI I PËRJETONIN TË DËNUARIT GJATË DIKTATURËS NË SPITALIN E BURGUT NË TIRANË