Këto mizori i përjetonin të dënuarit gjatë diktaturës në spitalin e burgut në Tiranë

Foto ilustrim

Jeta në spitalin e burgut në Tiranë, ku shumë të dënuar përballeshin për herë të fundit me fytyrën përçmuese dhe mizore të diktaturës. Ish-i dënuari, Tomorr Aliko tregon kujtimet brenda atyre mureve ku u përplasën psherëtimat e fundit të shumë të burgosurve

Njihej si spitali i burgut. Ajo që shihej nga jashtë ishte një godinë dykatëshe përballë spitalit civil të Tiranës. Ajo çfarë ndodhte brenda, ishte shprehje e urrejtjes së regjimit ndaj këtyre të dënuarve.

Siç ka rrëfyer tri herë i shtruari në këtë spital, Tomorr Aliko, të sëmurët rëndë liheshin në  dhomat e poshtme gjysmë metër nën tokë, me mure të regjura nga lagështia, të cilat ishin tri, sa edhe ato lart. Njëra prej atyre dhomave të poshtme përdorej për të sëmurët me turbekuloz, sëmundje nga e cila vuante dhe Tomorr Aliko. “Në katin të sipërm qëndronin policët, infermieri dhe pastruesja. Dhoma tjetër, e cila kishte pesë shtretër prej hekuri, rezervohej për ndonjë të privilegjuar me sëmundje patologjike, kurse ata me T.B.C dergjeshin në bodrumin e katit të poshtëm që u emërua “dhoma e vdekjes”, e pajisur me katër shtretër. Më kanë shtruar tri herë në këtë “spital”, jo për të më kuruar, por për të më shkurtuar jetën e për të më çuar në dynja tjetër. Por jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër. U kam lidhur buzën disa bashkëvuajtësve dhe ende tingëllojnë në veshët e mi amanetet, rënkimet, psherëtimat dhe mallkimet ndaj regjimit barbar që u mori jetën”, shkruan ai në kujtimet e tij duke theksuar se në mbijetesën e vet ka parë dorën e Zotit ta ndihmonte. Duke dalë i gjallë nga ai spital dhe nga gjithë periudha e dënimit ka mundur të dëshmojë për krimet e paimagjinueshme që kryenin përfaqësuesit e regjimit ndaj këtyre shtetasve krejtësisht të pambrojtur ndaj mizorisë së tyre.

Ai është dëshmitar i disa rasteve, kur pacientëve nuk u jepej ndihma e duhur që mund t’u shtonte disa vite të tjera jetë, ose disa momente paqeje në fund të saj. 72-vjeçarit Vasil Papai nga Himara, që kërkonte një ilaç kundër dhimbjes, i thoshin: “Akoma s’ke vdekur”. Shasivar Islamin, me tuberkuloz, të cilit, i vëllai, Hajdari, i siguroi 20 g streptomocina nga jashtë Shqipërisë, e lanë të vuante për dy javë me temperaturë e kollë, ndërsa antibiotikët që nuk gjendeshin lehtë, iu dërguan gruas së drejtorit të burgut e cila ishte shtruar në sanatorium në atë kohë.

Të sëmurë rëndë dhe pa ndihmën e nevojshme, shumë të shtruar nuk dolën të gjallë nga ky spital. Aty ndërruan jetë duke psherëtirë Vasil Papai, Shasivar Islami, Iljaz DemaTemo Shehu, Dede Kamberi, Hajri Neviri, Muhedin Skënderi, Ali MemaMirash IvanajMusa GjylbeguPjetër PiroliElez PajaIsuf Kurti, Dalan Bako, Petrit Skënderi e të tjerë që të dënuarit nuk arrinin t’u mësonin as emrin.

As në ato çaste, egërsia e policëve nuk zbutej. Kur të dënuarit i njoftonin që një i sëmurë në shtratin ngjitur kishte ndërruar jetë, nuk u lëvizte asnjë muskul në fytyrë dhe njëlloj ndodhte dhe me infermierët, fytyra e të cilëve nxinte edhe më shumë në kontrast me bluzën që mbanin veshur. Kishte edhe nga ata njerëz me zemrën në vendin e vet, që ulnin kokën me trishtim para një trupi pa jetë, siç ishte doktor Sabriu që trishtohej kur i duhej të firmoste kartelën e fundme të një pacienti, por ata përbënin pakicën. Personeli e merrte barrelën e të ndjerit duke u zgërdhirë. Të afërmve që vinin te dera, u thoshin: Shkoni kërkojeni në varreza. Nuk pranonin t’u jepnin asnjë nderim të fundit këtyre njerëzve që largoheshin nga kjo botë. Humbnin rastin për të qenë njerëz qoftë edhe për një çast.

Tomorr Aliko përshkruan edhe rastin e një djali të ri nga Dibra që e gjymtuan përjetësisht duke i hequr aftësinë riprodhuese. Duke mos mundur të besosh përmasat e kësaj mizorie, mund të dyshosh edhe për vërtetësinë e plotë të historisë, duke e marrë atë më shumë si letërsi sesa dëshmi, por Tomor Aliko e tregon atë me të gjitha detajet e një historie të vërtetë, duke përcaktuar kohën, vendin dhe njerëzit, me përjashtim të pacientit, privatësia e të cilit kuptohet përse është ruajtur.

“Ishte dhjetor i vitit 1949, në dhomën tonë spitalore na sjellin një djalë të ri. Mbasi e kishin torturuar në birucat e burgut të vjetër, e sollën aty për ta operuar. E kishin lënë të dergjej në çimento për 8 ditë në atë dimër të ftohtë, vetëm me një rogoz të mykur që i kishte shërbyer si shtresë dhe mbulesë bashkë. Në birucë, prej rrahjeve të rënda, njëra kokërr në organet seksuale i qe infektuar dhe enjtur pa masë. Kishte temperaturë të lartë dhe dhimbje të forta. Doktori i burgut, Sededini e kishte përcjellë me një diagnozë që kërkonte ndërhyrje të menjëhershme kirurgjike”.

Në dhomën e të sëmurëve, të nesërmen, kishte hyrë një burrë trupmadh, profesor nga Bashkimi Sovjetik, i shoqëruar nga dr. Shiroka dhe përkthyesi. Profesori rus i kishte thënë të sëmurit që ishte detyra e tyre t’i shpëtonin jetën dhe që do e operonin të nesërmen. Ashtu bënë. E morën për në sallën e operacionit ku ndërhyrja zgjati disa orë. Kur u kthye në dhomë, djali u tregoi shokëve ç’kishte parë dhe dëgjuar. Në sallë përveç profesorit dhe përkthyesit ishin edhe një grup vëzhguesish, që me gjasë bënin praktikën mësimore. Kur i kishte dalë narkoza, ai kishte dëgjuar që profesori përmes përkthyesit u thoshte praktikantëve se kjo ishte hera e tretë që përdorej metoda e profesorit Saborov te një pacient dhe një prej të rinjve në sallë, kishte psherëtirë: “Gjynah”. Më pas nuk kishte folur dhe kishte tymosur nja dy cigare si reticencë e asaj që ishte kuptuar.

Shumë vite më vonë, Tomorr Aliko e kishte takuar në Tiranë, ish-shokun e dhomës në spitalin e burgut. Ishin ulur të pinin një kafe dhe të bisedonin…

“-Të kujtohet Danishi?

-Po,-i thashë.

-Kur mësoi ç’u bë me mua atje në spital, refuzoi të operohej… dhe kishim të njëjtën diagnozë. Ai më pas u martua dhe lindi dy fëmijë. Kurse unë mbeta pa fëmijë…

Unë u trondita, por e mbajta veten.

-Mos u mërzit-i thashë për ta ngushëlluar. Jeta që hoqëm i ka këto…Rëndësi ka që mbetëm gjallë”, e mbyll rrëfimin e tij Tomorr Aliko.

Shënim: Citimet janë marrë nga shkrimet e Tomorr Alikos, të botuara në “Antologjia e plagëve nën terrorin komunist”, botim i QSHRT. Të dhëna janë marrë dhe nga libri i tij, “Fundi i udhës së gjatë”

Shënim: Fotoja është marrë nga libri “Fundi i udhës së gjatë”, me autor Tomorr Alikon.