Gjashtë e gjashtë dymbëdhjetë, Doruntina trembëdhjetë!…

Besa e Konstandinit

Gjashtë e gjashtë dymbëdhjetë,
Doruntina trembëdhjetë!…

Ish njëherë e një mot një nënë shumë e mirë i kish dymbëdhjetë bij të hijshëm. Të trembëdhjetën kishte një bijë të bukur mbi shoqet të gjitha, që ia thoshin Doruntinë.

Vasha u rrit e u bë për t’u martuar. Mirëpo nga bujarët e atij vendi askush nuk e gëzoi. Të gjithë e dëshironin askush s’guxonte ta zërë nuse, sepse nuk e ndjente veten të zotin për ta marrë për shoqe.

Atëherë na vjen një trim i largët; i mirë, i hijshëm, i fisëm dhe nis dërgon shkesë dallëndyshen që ta kërkojë Doruntinën nuse. E ëma dhe të njëmbëdhjetë vëllezërit e mëdhenj nuk donin t’ia jepnin, sepse trimi ndonëse i mirë e i fisëm, ishte nga një vend shumë i largët. Vetëm i vogli, Kostandini donte.

– T’ia japim zonja mëmë – thosh ai – se trimi është i mirë. Më ka hyrë në zemër.

– Kostandin biri im, çfarë po thua ti kështu? – ia kthente e ëma. Aq larg do ma shpiesh Doruntinën time? Se në e daça për gëzim, për gëzim nuk do ta kem; se në e daça për helm, për helm nuk do ta kem.

– Të jap besën zonja mëmë, se kur ta duash ti Doruntinën, qoftë për gaz qoftë për helm, vete unë e ta sjell!

Mëma dhe të njëmbëdhjetë vëllezërit u bindën: e vluan dhe e martuan Doruntinën me trimin e largët. Bënë dasmë nëntë ditë. Të dhjetën trimi mori nusen e shkoi tek dheu i tij i largët. Mëma e vasha qanë me lot kur u ndanë…

… Shumë luftra u luftuan atë mot te dheu ynë, se kish ardhur i huaji ta shkelte e ta pushtonte. Të dymbëdhjetë vëllezërit dolën të luftojnë për vendin e tyre dhe u vranë një pas një të gjithë.

Kur iu vra djali i parë, mëma psherëtiu e tha:

– Biri im unë nuk kam helm e nuk do të të qaj, sepse ti re për dheun tënd e më mbeten dhe njëmbëdhjetë bij të tjerë për luftë.

Kur iu vranë gjashtë, që të gjashtë trima e të dashur, ajo derdhi vetëm nga një lot për secilin e bëri vetëm nga një vajtim. Po kur nisën t’i vriten dhe të tjerët, mëmës iu këput zemra dhe lëshoi një psherëtimë të madhe sa uturoi tërë vendi:

– Mjerë unë, ç’helm i madh të mos kem Doruntinën pranë në këtë zi që më mbuloi shtëpinë!.

Kur u vra djali i fundit, Kostandini, mëma shkuli leshrat e bardha e thirri:

– Bobo, ç’vdekje, e nëmosura vdekje! Ti më more dymbëdhjetë bij e tani kush mund ta dijë a s’ma ke marrë edhe bijën time të vetme, bijën time të dëshiruarën!

Kur u gdhi e shtuna e të vdekurve, mëma vajti te varret e të bijve. Dymbëdhjetë djem kish pasur, dymbëdhjetë varre kish tani… Mbi çdo varr ndezi nga një qiri e bëri një vajtim, po mbi varr të Kostandinit ndezi dy qirinj dhe bëri dy vajtime, qau me ngashërime dhe thirri tre herë:

– O biri im! O biri im! O biri im!…

Edhe tri herë të tjera:

– O Kostandin! O Kostandin! O Konstandin!

Pastaj u shemb përdhe, pushtoi gurin e varrit e u trua:

– Kostandin, o biri im, ku është besa që më dhe, se do ma sillje Doruntinën, tët motër? Besa jote vdiq bashkë me ty e kalbet në varr të zi!

Kështu tha dhe e lau gurin me lotët e syve.

Në mesnatë Kostandini u ngrit nga varri. Guri i varrit u bë kalë i zi si nata. Edhe dheu i zi u bë shalë e zezë si nata. Rrotulla që mbante gurin u bë fre i argjendtë. Trimi i hipi kalit, u përkul përpara, uli kryet dhe i ra me shporet. Kaptoi si frymë male e fusha, hodhi lumenj e përrenj, la prapa katunde, kodra, pyje…

Kostandini arriti te shtëpia e motrës kur kish dalë dielli. Ajo ndodhi ditë e kremte. Në shesh, përpara shtëpisë, gjeti të bijtë e të motrës, nipërit e tij, që loznin e vraponin pas dallëndysheve, I pyeti:

– Bij të zemrës, ku është zonja, mëma juaj?

– Kostandin, o zoti lalë, – i thanë ata – mëma jonë po hedh valle në fshat, atje tek bëhet dasmë.

Kostandini shkoi shpejt tek vallja e parë, pa një luzmë vashash të bukura tek këndonin e vallonin dhe tha me vete : “Të bukura jeni, moj vasha, por për mua nuk jeni, sepse unë s’jam nga kjo botë…”. Dhe u afrua të pyesë:

– Gëzuash, o vasha të bardha! A është me ju Doruntina, motra ime?

– Shko përpara trim, se do ta gjesh tek kërcen hareshëm veshur me petk të ndritshm kadifeje.

Kostandini vajti tek vallja e dytë dhe u mat të pyesë përsëri, po Doruntina e pa vetë dhe i thirri:

– Kostandin, o im vëlla!

Dhe iu afrua e përqafoi.

Kostandini i tha:

– Doruntinë, motra ime! Eja të shkojmë. Të do zonja mëmë në shtëpi!.

Më thuaj vëlla, si të vij unë atje? Po të më dojë për gaz, do të vete të marr stolitë më të mira, por po të më dojë (mos qoftë e thënë) për helm, do vete të vishem me të zeza.

– Eja motër, ashtu si je!.

E mori në vithe të kalit. Kali ikën si shakullimë. Ata kapërcejnë si në ëndërr male e fusha, pyeje e kodra, lumenj e përenj. Hëna e yjet kanë shtangur lart e shikojnë me të drojtur.

Gjatë udhës, motra e pyet vëllanë:

– Kostandin, vëllai im, përse shpatullat e gjëra të janë mbushur me myk?

– Doruntinë, motra im, shpatullat mi ka mbuluar tymi i shkluhave në luftë. Se në vendin tonë u bënë luftra të mëdha, erdhën armiq të na shkelin dhe ne të gjithë dolëm të luftojmë.

– Kostandin, vëllathi im, përse flokët e derdhura i ke gjithë pluhur?

– Doruntinë motra ime, gjatë udhës kishte shumë pluhur dhe mi pluhrosi flokët.

-Kostandin vëllathi im, përse vëllezërit e mi të bukur si drita, s’kanë dalë përpara të na presin?

– Doruntinë, motra ime, ndoshta janë në lodër e s’presin të vemi sonte.

– Kostandin vëllathi im, përse dritaret e shtëpisë janë mbyllur sot krejt?

– Doruntinë motra ime, i kemi mbyllur se fryn erë e fortë e dimrit nga deti.

Kur arrinë pranë kishës, Kostandini i tha motrës:

– Ti shko përpara se unë dua të hyj të përgjunjem!

Kostandini shkoi e hyri prapë në varr të zi. Kali u bë prapë gur, shala u bë dhè dhe freri i argjendtë u bë rrotullë. Dhe përsëri reth e qark zotëroi heshtja e vdekjes.

Ndërkaq Doruntina ngjiti shkallët dhe trokiti gazmend në derë.

– Mëmë hapma derën!

– Kush je ti që trokëllin aty tek dera?

– Hapma zonja mëmë – Jam jot bijë Doruntina.

– Ikë tutje nga ke ardhur o vdekje e shkretë. Ti mi more të dymbëdhjetë bijtë e tani ke ardhur të më marrësh dhe mua që të mos e shoh më Doruntinën time!

– Ç’po thua ashtu zonja mëmë? Nuk ma njeh zërin? Besa zonja mëmë, jam unë vetë, Doruntina jote.

– Ngul gishtin tek vrima e kycit që të ta shoh e të ta njoh.

Doruntina nguli gishtin e vogël tek vrima e kycit – atë gisht të hollë e të bardhë. Mëma ia njohu sakaq e i hapi derën.

– Kush të solli këtu, o zemra ime?

– Më solli Kostandini, im vëlla.

– Cili Kostandin, moj bijë? Kostandini im ka vdekur bashkë me të njëmbëdhjetë vëllezërit e tjerë. U vranë në luftë…

Dhe si rinin të dyja,
njëra tek praku e tjetra në derë,
plasën si qelqi me verë… /Mitrush KuteliTregime të moçme shqiptare

ObserverKult

————-

Baladë popullore: Rriti nana qyqja nandë jetima

Lexo edhe:

RRITI NANA QYQJA NANDË JETIMA (POPULLORE)

Rriti nana qyqja nandë jetima
(Rudesh, Krajë)

Aman zot, more, ty të kjoshim fal-e!
Rriti nana qyqja nandë jetima,
i ka rritë more, e i ka ba trima,
at ma t’voglin n’Bagdad ma ka qitë.

Sharameshë, more, motra m’u ka dalë-
mas Harapit motra m’u ka shkua.
Se ç’ka qitë, more, Harapi m’i thot:
-Ti për fat, more, mue qi me m’marrë.
-S’muj me t’marrë unë ty-o, mori çikë,
Se je motra tine e tetë vllaznish.

-Hajt, Harap-o, ti marak mos ban
Se asaj pune ja baj kollaj-
kur të vinj-e ai akshami i bardhë ,
kanë m’u mledhë, more, vllaznija ti tanë,
bukë me ngranë, more Harap, kam m’u dhanë.

Kur të vinj-e koha për me fjetë,
nd’odë n’vejdi vllaznive kam m’u shtrua.
Kur të vinj-e e bardha mjesnatë,
ti mas deret mua ke me m’ardhë,
unë ty derën, more, kam m’ta çilë,
nd’odë vllaznive, Harap, kam me t’shti-
shtatë vllazni, Harap, ke me m’i pre.

Kur ka ardhë, more, i bardhi aksham
e janë mledhë, more, vllaznija ti tanë,
kur ka jardhë, more, koha për me ngranë,
kur ka jardhë, more, koha për me fjetë,
nd’odë në vejdi t’tanë i ka vendua.

Kur ka jardhë moj, e bardha mjesnatë,
përmas deres Harapi m’ka jardhë
edhe derën vajza m’ja ka çilë,
nd’odë t’vllaznive mir-e m’i ka pri-
shtatë vllaznit-o me shpatë ja ka pre.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult