Rriti nana qyqja nandë jetima (popullore)

Baladë popullore: Rriti nana qyqja nandë jetima

Rriti nana qyqja nandë jetima


(Rudesh, Krajë)

Aman zot, more, ty të kjoshim fal-e!
Rriti nana qyqja nandë jetima,
i ka rritë more, e i ka ba trima,
at ma t’voglin n’Bagdad ma ka qitë.


Sharameshë, more, motra m’u ka dalë-
mas Harapit motra m’u ka shkua.
Se ç’ka qitë, more, Harapi m’i thot:
-Ti për fat, more, mue qi me m’marrë.
-S’muj me t’marrë unë ty-o, mori çikë,
Se je motra tine e tetë vllaznish.

-Hajt, Harap-o, ti marak mos ban
Se asaj pune ja baj kollaj-
kur të vinj-e ai akshami i bardhë ,
kanë m’u mledhë, more, vllaznija ti tanë,
bukë me ngranë, more Harap, kam m’u dhanë.

Kur të vinj-e koha për me fjetë,
nd’odë n’vejdi vllaznive kam m’u shtrua.
Kur të vinj-e e bardha mjesnatë,
ti mas deret mua ke me m’ardhë,
unë ty derën, more, kam m’ta çilë,
nd’odë vllaznive, Harap, kam me t’shti-
shtatë vllazni, Harap, ke me m’i pre.


Kur ka ardhë, more, i bardhi aksham
e janë mledhë, more, vllaznija ti tanë,
kur ka jardhë, more, koha për me ngranë,
kur ka jardhë, more, koha për me fjetë,
nd’odë në vejdi t’tanë i ka vendua.


Kur ka jardhë moj, e bardha mjesnatë,
përmas deres Harapi m’ka jardhë
edhe derën vajza m’ja ka çilë,
nd’odë t’vllaznive mir-e m’i ka pri-
shtatë vllaznit-o me shpatë ja ka pre.

Shoqi shoqin ata qi kanë marrë,
n’Harabi-e ata qi kanë shkua.
Kur ka jardhë, more, i bardhi sabah,
pej gjumit e ama ishte çua,
Kafet djelve mirë ajo u ka pjekë,
nji ka nji, more, tanë me rét i thrret-
kush me i bamun za-o nuk i ban.

Jas mas deret e ama ka shkua
edhe derën e ama e ka çilë,
Jashtë pej deret, gjaku qi i ka dalë.
Ç’ka kjá, more, qyqja e ka bërtitë!
N’rrugë të madhe ajo paska dalë,
tuvej virrë e ngrata e tuj bërtitë.


Se ç’kanë dalë, more, dy burra asajn,
Bjesedojnë ata me shoqi shojin:
-Cili jena na ma trim se shoqi
m’i bvetë plakën, more, se çka ka?
-Ç’ke, moj plak-e, tine qi po kján?
-Kam nevojë, more, qyqja unë me kja-
nandë jetima qyqja unë kam rritë,
harameshë mua vajza qi m’ka dalë,
mas Harapit vajza qi m’ka shkua,
e shtatë djelm-o mua sot m’i ka pre,
jas nji djalë në Bagdad unë e kam.

Jas nji lutje unë pej jush e dua-
jas nji letër djalit me m’ja shkrua:
ai në kjoftë, more besa djali jem,
në rrukë t’madhe nanën nuk e len.
Edhe letrën mirë, tha, ja kan shkrua.

Edhe letra n’dorë djalit m’i bjen
Mori letrën mirë, tha, për m’ kndua,
me lot, more, letrën p’e vajton.
Përmi krye zotnija i ka shkua.
-Tash sa letra tine qi m’ke kndua,
kurr me lot tine s’i ke vajtua.
-Kurr ksi letret unë, zotni, s’kam kndua,
gjith e zeza, tha, ka krisë në mua-
shtatë vllazni Harapi m’i ka pre
Edhe motrën ai ma ka grabitë:
n’Harabije ata qi kanë shkua.


Izën dua, sot tine me m’lshua.
Se ç’isht nis-e djali për me shkua.
N’gjysë të rrugës djali kur ka dalë,
aty ishin rrugat kryqa-kryq:
n’Harabi-e nuk dinte me shkua.
(Nji) vajzë e ndershme, tha, n’rrugë ka qillua.


Se çka qitë, more, djali m’i ka thanë:
-Diçka deshta, çikë , unë me t’pëvetë-
cila rrug-e t’çon në Harabie?
-N’kjesh ti, djal-e, për fat mua me m’marrë,
rrugën tash unë ty po ta kallxoj.

-N’kjoftë kysmet-e çik-o me fitua,
ka të kthehem, moj çikë, unë me jardhë,
ty për fat-e,besa, kam me t’marrë.
Edhe rrugën e mirë ja kallxon.

N’Harabije djali qi po shkon,
n’shpi t’Harapit mirë, tha, kur ka hyj,
motra e vet-e, besa, ka qillua.
M’i ka dhanë, more, me hangër, me pi,
m’i ka dhanë more venë edhe raki,
edhe pija djaliln ma ka xanë.
Dorë e kam, more, vajza m’ja ka lidhë.

Në saraj Harapi kur ka ardhë,
se çka çitë e shoqja m’i ka thanë:
-Ti, Harap, more, tha, Harap i zi,
Ti me ditë, besa, kush na ka ardhë-
Na ka ardhë, besa, tha, vllaj dushman-
dorë e kam unë, besa, i kam lidhë.

Se ç’ka qitë Harapi i ka thanë:
-Shum mërzi-o sonde qi po kam,
Nesër nadje ferlik tash e bâj.
Shum marak, more, çika n’rrugë qi ban-
vendi n’vend-o çikën nuk e xe.
N’Harabije edhe ajo po shkon.

Mas deret t’Harapit kur ka shkua,
pej penxherjet vajza ka shikua,
djalin lidhë, more, besa ma ka pa.
Sa mirë çika, more, isht kujtua-
m’i ka vu-e shkallat –o të drunit
e te djali çika qi ka hypë,
dorë e kam-o djalit ja ka zgjidhë.

Te Harapi djali qi m’ka shkua,
Ma ka marr-o at shpatën në dorë
jas ti dy-o besa m’i ka pre.
Në shpi t’ti , more, djali qi po shkon,
mirë, tha, nanës besa m’i kallxon:



-Gjith e zeza, nana, ka krisë në mua.
Aty nana, besa, isht taftua
edhe djalin-o e ka ngushtua.
Se ç’ka qitë e ama e m’i ka thanë:
-Unë m’i pas-e besa vajzën n’shpi,
gjysa e idhnimit pej djelmsh kish me m’shkua.
Aty djali, besa, isht ngushtua
edhe t’amen, more, ma ka pre.

*Shkëputur nga libri “Balada dhe legjenda”, botuar nga Instituti Albanaologjik i Prishtinës,
Prishtinë 1974


ObserverKult

Lexo edhe;


TRIM MBI TRIMA AJ GJERGJ ELEZ ALIJA! QE NAND’ VJET NAND’ VARRA N’SHTAT M’I KA!