Goja më është idhtuar. Edhe shpirti. Çfarë më ka ndodhur kështu? Kam pirë shumë mbrëmë.
Çfarë më tha ajo që do të shkonte përgjithnjë. Pse s’mbaj mend asgjë.
Goja më është idhtuar, edhe shpirti po ashtu.
Ajo erdhi mbrëmë hyri në kafen e tymosur. Po qeshte. Ata dhëmbë të bardhë, ajo gojë e bukur. S’më gjente me sy, ama qeshte. U ndesha me të, e mora nga beli.
Ata dhëmbë, ato buzë.
Kam pirë shumë apo s’po me kujtohet asgjë? Me tha shko apo s’do të kthehem?
Koka me pëlciti, goja më është idhtuar edhe shpirti.
Eja ulemi më tha. Unë po pija, ajo po pinte. Verë, verë të kuqe. Vera i kishte mbetur në dhëmbë, i ishin bërë mavi, edhe buzët.
E talla, të janë përlyer dhëmbët po kjo do të të shpëtojë nga mësyshi. Ajo qeshi, unë qesha. Si për dreq mori flokët nga njëra anë i vendosi në tjetrën, qafa, lëkura e pastër bilur.
Kam pirë shumë s’mund të mendoj.
Më tha shko apo s’do të kthehem kurrë?
U çmenda.
Pse rri në të tilla vende, ku ka shumë tym duhani, ku pihet raki e keqe.
Ajo është gjithmonë serioze me mua s’më fal minutin e unë veç dua ta marrë nga beli, ta rrotullojë e ta mbaj kokën ngjitur për të saj.
Me tha shko apo s’do të kthehem kurrë?
S’mbaj mend asgjë./ ObserverKult