Sopranoja e njohur e cila jeton dhe vepron në Maqedoninë e Veriut, Besarta Murtezani për më shumë se dy dekada ka nisur rrugëtimin e saj të suksesshëm artistik.
Përveç muzikës ajo e ka pasion edhe aktrimin.
Intervistoi: Lindita Canolli -Fejzullahi
Nga kush e trashëguat zërin e bukur, zërin e veçantë që e keni?
Besarta Murtezani: Tezja ime Fekrie Vejseli Emruli është ndër këngëtaret e para të shoqërisë ‘‘Besa‘‘ në Gostivar. Gjithmonë në koncerte ndiqja me entuziazëm daljen e saj në skenë dhe shpirti më gufonte kur dëgjoja zërin e saj në radio ose ndonjë transmetim në RTV.
Kam nisur me të rrugëtimin në muzikë duke marrë kështu edhe mësimet e para për shkrim- leximin muzikorë.
Për një kohë të gjatë ajo për mua ka qenë tutore dhe sot e kësaj dite çdo kritikë të saj e kam shumë të rëndësishme. Kjo pasi që me të flas si në ditar, si në dhomë të rrëfimit.
Kur dhe ku kënduat zyrtarisht për herë të parë, cilën vepër. Po me emocionet…si ia dolët?
Besarta Murtezani: Ooh… dalja ime në skenë fillimisht ka qenë monolog, fragment i shkëputur nga “Ditari i Dijes” nga Haki Stërmilli dhe isha entuziaste të dilja. Mbaj mend që më kanë duartrokitur fort.
Ndërsa me këndim nuk kam filluar shumë herët. Dalja ime e parë ka qenë në vitin 1999 si soliste e korit të qytetit në festivale dhe olimpiada botërore ku garonim, kor ky i udhëhequr nga dirigjenti i parë i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Ju vazhduat shkollimin për muzikë. Si erdhi deri te ky hap?
Besarta Murtezani: Nuk e dija në do pranohem në shkollë muzike pasi nuk kisha ndjekur mësimet në shkollë fillore të muzikës, nuk luaja as në instrument. Mbaj mend audicionet për shkollë të mesme dhe pasi kalova ushtrimet ritmike dhe intonative më dëgjuan zërin dhe më detyruan të këndoja një këngë.
Si fëmijë, e rritur me muzikën popullore e para këngë më ra ndërmend ‘’Pranvera filloi me dalë“. Kur mbaruan audicionet, profesoreshë Ariana Kuriu Grubi i tha tim eti që vajzën doemos ta drejtoni në drejtimin solokëndim. Dhe halli im kaloi, unë isha pranuar.
Në moshë shumë të re, ju filluat edhe me mësimdhënie për fëmijët. Si ishte kjo ndjesi, a mund të na flisni pak më shumë në detaje?
Besarta Murtezani: Unë sapo kisha regjistruar studimet në Universitetin e Tetovës në drejtimin teoriko-muzikor. Në shkollën ku im at ligjëronte lëndën e frëngjishtes u hap konkurs për mësuese në lëndën e muzikës, në mungesë kuadri pranonin edhe student të muzikës.
E kam pasur shumë të vështirë pasi duhej të përgatisja orët muzikore me nxënësit nga të cilët shumë pak dalloja në moshë.
Fitova shpejt autoritet tek nxënësit dhe prindërit për punën që bëja, një numër të mirë të familjarëve të ngushtë kisha mësues të dalluar nëpër shkolla dhe kjo pa vërejtur më ishte mbjellur edhe në formësimin tim si mësuese në punën e diciplinës, rregullsisë, përgatitjes, kodit të veshjes dhe të sjelljes.
Çdo vit e më shumë më shtohej përgjegjësia për mësimdhënien pasi konsideroja profesionin më të shenjtë në tokë.
Nuk ka kënaqësi më të madhe se kur ndjen frymën tënde të “klonuar‘‘ nëpër gjenerata. Kjo të shton përgjegjësinë për të parë me vizion çdo fëmijë për institucion, çdo institucion për çdo qytetar dhe çdo qytet me vizion për një komb të ngritur me arsim dhe kulturë.
Po të kthehemi pak te kënga. Cila është kënga, vepra që saherë e këndoni ju sjell emocion por edhe duartrokitje pandërprerë dhe pse?
Besarta Murtezani: Çdo dalje e shoh si diçka që duhet lënë mbresë dhe shembull. Përgatitem në prapaskenë për të kontrolluar emocionet, ndjenjë kjo të cilën e kam shndërruar si diçka shumë të shenjtë ku përmes këndimit do e shpërndaj në çdo kokë zemër e shpirt atë që unë ndjej. Vepra të cilën asnjëherë s’kam mundur ta këndoj është ‘‘Aria e Lokes‘‘ nga opera „Toka Jonë“ e kompozitorit Prenk Jakova.
Hyj shumë brenda tekstit të çdo kënge dhe është e vetmja arie e cila më rrëmben dhe nuk e kam përfunduar asnjëherë nga lotët, ndonëse kam marrë duartrokitje të forta. Ndjej obligim moral dhe profesional për të rikthyer këtë arie në repertorin e koncerteve të mia por këtë herë për të rikthyer këtë arie në repertorin të cilit i kam borxh për koncertet të mia. Por këtë herë për të përcjellur mesazhin dhe emocionin e plotë tek publiku të cilit i kam borxh për çdo suport, motivim dhe duartrokitje për kaq vite.
Një karrierë e vlerësuar artistike! Cili rol ju ka lodhur më shumë?
Besarta Murtezani: Nuk ka gjë të lodhshme kur diçka e do me shpirt e zemër, prova të gjata dhe në orët e vona ka zakonisht në operat dhe shfaqjet teatrale ku kam marrë pjesë, por në fund të ditës para se të mbyll sytë lodhja më është shndërruar në kënaqësi dhe eksperiencë të jashtëzakonshme. Po, do kisha quajtur lodhje përkrahjen e institucioneve në recitalet dhe projektet që dua të realizoj pa e menduar anën materiale, derisa artisti nuk kursen asgjë nga shpirti as institucionet nuk duhet kursyer asgjë nga arkat.
Sa dëgjohet muzika klasike në Maqedoninë e Veriut. A mendoni se ka nisur sadopak ‘familjarizimi’ i publikut me muzikën klasike?
Besarta Murtezani: Hmm, nëse nuk njeh vlerat shpirtërore dhe materiale të kombit tënd nuk mund të njohësh dhe të vlerësosh muzikën serioze botërore. Çdo kompozitor vjen nga një vend i botës ku në shumë vepra përmes muzikës paraqesin frymën e një populli.
Edukimi fillon prej në shtëpi, fëmijëria është periudha më e rëndësishme e jetës, atë që ke dëgjuar në emisionin e mëngjesit, ku ke udhëtuar me makinë, kur është gatuar, koncertet që ke përcjellë pa e vërejtur ato të janë gravuar dhe pas një kohe ti rritesh por fëmijëria të përcjell në çdo rrugëtim tëndin.
Prandaj konsideroj se para se të arsimohesh është edukimi që mer si fëmijë në shtëpi. Jetojmë në kohë klikimesh e shikueshmëri nga të cilat televizionet dhe rrjetet përfitojnë shumë duke mos ditur se materiali i servuar ka dëmtuar rëndë shijen e dëgjuesit deri në degjenerim.
Kur muzikën e mirëfilltë shqipe dhe muzikën serioze do e kemi prezent në çdo festë, në çdo event, në çdo program televiziv, radio e lokale, muzikë kjo e cila do na përcjell në përditshmëri e jo vetëm kur vdes presidenti dhe në fatkeqësi atëherë mund të themi se kemi ndryshuar gjendjen.
Keni kënduar jo shumë kohë më parë me sopranon e njohur, Ermonela Jahon. Na përshkruaj emocionet që keni përjetuar.
Besarta Murtezani: Ermonelën e kam përcjellur me vite dhe nga çdo paraqitje e saj energjia e saj më ka folur sa kur jemi takuar për herë të parë kishim ndjesinë sikur të ishim njohur një jetë.
Të ndaja skenën me Divën ishte ëndrra ime më e bukur e realizuar. Më shumë se ëndërr ju betohem ishte bekim pasi çdo takim me të gjatë provave, gjatë kohës së kafes dhe në çdo ndejë me Ermonelën merrja këshilla jetësore dhe profesionale të cilat më kanë ndryshuar shumë të të menduarit. Kjo ka qenë terapia më e duhur për të kthyer vetëbesimin pas pandemisë.
Flasim shpesh dhe energjia e saj është farmaci shpirtërore. Në çdo takim me artistët ndaj eksperiencën, këshillat dhe thëniet që kam marrë nga Ermonela.
‘‘Jemi qenie humane e shpirt i bukur, artisti i mirë duhet të jetë njeri i mirë fillimisht“.
Modestia artistin e bën të madh dhe jo rastësisht Ermonela është ende në majë.
Së fundmi ju keni marrë pjesë në “Ramë Lahaj International Opera Festival”. Mund të na tregoni si shkoi, si u ndjetë?
Besarta Murtezani: “Ramë Lahaj International Opera Festival” është ndër festivalet më të organizuara në trevat shqiptare, festival ky i cili i ka munguar dhe është pritur krahëhapur nga çdo qytetar e sidomos nga artistët.
Për mua ishte privilegj i madh të radhitesha në mesin e artistëve ndërkombëtarë dhe kombëtarë si pjesëmarrëse. Padyshim akoma më shumë përgjegjësi ndjeja pasi isha e ftuar në natën përmbyllëse kushtuar bilbilit Nexhmie Pagarusha.
Dhe të këndosh këngët e saj është kënaqësi dhe privilegj shumë i madh por edhe përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe. Jam kthyer me shumë mbresa dhe kam shumë, shumë për të thënë dhe do më duhet një intervistë e plotë vetëm për festivalin.
Kjo sepse Ramë Lahaj ka arritur përmes Festivalit, në Kosovën e Vogël të sjell botën e madhe të artit skeniko-muzikor. Dhe për këtë jemi me fat se Ramën që e njeh bota është djali ynë me vlera të larta njerëzore, me zemër të madhe dhe shpirt të bukur prej artisti të vërtetë.
Sa i kushtoni rëndësi veshjes në performancat e juaja. Ju kemi parë shpesh me veshje kombëtare…si është ndjesia kur visheni me to?
Besarta Murtezani: Kostumet tona popullore janë ndër më të bukurat dhe më karakteristike në botë.
Akoma më shumë më është shtuar dashuria kur kam veshur kostume të trevave të ndryshme dhe veshatoret më kanë shpjeguar për çdo detaj të veshjes. Sa shumë kolorit, sa shumë pasuri ka në to, si mos ndjehesh krenare se je shqiptare.
Mallkuar qoftë ai dollap gruaje ose burri të cilët të paktën nuk kanë trashëguar një kostum nga të parët ose nuk kanë investuar në kostum popullor. Në kostum popullor jo vetëm trupi por edhe shpirti bie në ujdi e krenari.
Keni marrë pjesë në koncerte jashtë vendit. A mund ta veçoni ndonjërën nga performancat e juaja dhe pse?
Besarta Murtezani: Koncerti solistik me këngët lirike popullore shqiptare në Stamboll. Një koncert bukur i organizuar dhe një publik i përmalluar për gjuhën dhe këngët shqipe. Çdo koncert mund ta përshkruaj ndërsa këtë e kam dokumentuar në çdo ditë të qëndrimit tim atje.
Kudo ku paraqiteni, shkëlqeni me interpretimin briliant, duartrokiteni pafundësisht nga publiku. Megjithatë, a keni ndonjë peng në jetë ose diçka që ju frikëson?
Besarta Murtezani: Peng…Nuk do kisha thënë, mua më është dhënë ky fat në kohë dhe për kaq vite mendoj se kam kontribuar me dinjitet për kulturën e vendit tim.
Nëse do t’ju duhej të zgjidhnit një moment në karrierën tuaj që ju bëri veçanërisht krenare, cili do të ishte ai?
Besarta Murtezani: Ka shumë, por do e veçoja krenarinë për mesazhet që marrë në çdo festë kombëtare nga ish-nxënësit e mi për punën që kemi bërë bashkë.
Përveç muzikës, ju keni luajtur edhe si aktore. A mendoni të vazhdoni edhe me këtë profesion?
Besarta Murtezani: Gjithmonë kam dashur aktrimin dhe në drejtimin e solokëndimit e kemi pasur edhe si lëndë obligative aktrimin, lëndë të cilën e kam shijuar shumë si ligjëratë.
Kam luajtur në shfaqjen “Borgjezi Fisnik” në regji të Kushtrim Bekteshit në Teatrin e Tetovës dhe si eksperiencë mund të them se ishte ndër eksperiencat më të bukura, por edhe më sfiduese.
Ndonjë projekt i ri së shpejti?
Besarta Murtezani: Kam vite që punoj për mbledhjen e materialit të këngëve të bukura arbëreshe dhe planifikoj vitin e ardhshëm ta realizoj si koncert solistik.
Këshilla juaj për artistët e rinj?
Besarta Murtezani: Të bëjnë art me shpirt pa menduar anën materiale pasi punën me shpirt koha asnjëherë nuk e harron pa shpërblyer, të shohin të ardhmen me vizion dhe të lejnë gjurmë në çdo kohë.
ObserverKult
Lexo edhe:
ERMONELA JAHO, SOPRANOJA ME FAMË BOTËRORE: NË SHQIPËRI S’DO MË FUSNIN AS NË KOR!
Ermonela Jaho jeton prej dy dekadash në majë të suksesit duke qenë pjesë e skenave më të mëdha operistike botërore.
E talentuar dhe shumë punëtore, që të dy këto veti vërehen edhe përgjat rrëfimit të saj për podcastin “Zë me Mirën”.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult