Besiana Kadare: Vepra e Ismailit përbën një rezistencë këmbëngulëse kundër frikës, kundër falsifikimit të realitetit, kundër përbindëshit totalitar…

Vajza e Ismail Kadaresë, Besiana Kadare, ka qenë e pranishme në një mbrëmje homazh në Paris me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të ndjerë. Sipas postimit të saj në rrjetet sociale, pati miq që mbajtën një fjalë për autorin dhe u recituan pasazhe nga veprat e tij

Vajza e Ismail Kadaresë, Besiana Kadare, ka qenë e pranishme në një mbrëmje homazh në Paris me rastin e 90-vjetorit të shkrimtarit të ndjerë. Mbrëmja u organizua nga Akademia e Shkencave Morale dhe Politike, Akademia Franceze dhe Ambasada e Shqipërisë në Francë.

Sipas postimit të saj në rrjetet sociale, pati miq që mbajtën një fjalë për autorin, mes tyre emra si Angelin Preljocaj, Jacques Attali, Tedi Papavrami, Éric Faye, Jean-Paul Champseix dhe Mireille Clapot. Fragmente të romaneve “Prilli i thyer” dhe “Ura me tri harqe” u recituan nga aktorët shqiptarë Simon Pitaqaj dhe Aphrodite de Lorraine, shkruan Besiana.

Ajo shprehet se përkujtimi i Kadaresë në Francë, në atdheun e tyre të dytë, është si një rikthim në shtëpinë e tij. Më tej rrëfen si ishte të rriteshe si vajza e shkrimtarit të madh, të kuptonte se nuk i përkiste vetëm asaj dhe që tani i përket kujtesës. Besiana Kadare shkruan se i ati zgjodhi kthjelltësinë në veprat e tij për ta kthyer historinë në diçka universale.

Fjalimi i plotë i Besiana Kadaresë

“Jam e prekur që kam marrë pjesë në këtë mbrëmje homazh për Ismail Kadarenë, të organizuar nga Akademia e Shkencave Morale dhe Politike, Akademia Franceze dhe Ambasada e Shqipërisë në Francë, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së babait tim.

U preka veçanërisht nga fakti se, përtej kornizës institucionale, miqësia gjeti vendin e saj dhe mori fjalën. Miq që kishin rëndësi për Ismailin, si edhe njohës të hollë të veprës së tij të jashtëzakonshme, erdhën të thonë, secili në mënyrën e vet, atë që mbetet e gjallë në një vepër: Angelin Preljocaj, Jacques Attali, Tedi Papavrami, Éric Faye, Jean-Paul Champseix, Mireille Clapot. Të dëgjoje fragmente nga “Prilli i thyer” dhe “Ura me tri harqe”, të recituara nga aktorët shqiptarë Simon Pitaqaj dhe Aphrodite de Lorraine, ishte vërtet gjë e bukur. Të dëgjoje gjuhën shqipe të jehonte në këtë tempull të kulturës franceze kishte një domethënie krejt të veçantë.

U emocionova që munda të shprehesha në emër të familjes sonë, në këtë vend të trashëgimisë, aty ku mendimi punohet në afat të gjatë dhe ku veprat vazhdojnë të dialogojnë me kohën.
Më poshtë po ndaj fjalimin që mbajta atje.
Të dashur miq,
Largimi i Ismailit ka lënë një boshllëk të pafund.
Për familjen e tij, për lexuesit, për vendin e tij.
Por ky boshllëk nuk është heshtje.
Ai është i banuar.
I banuar nga një mendim që nuk u shua me të. Veprat e mëdha nuk vdesin me autorët e tyre: ato migrojnë tek ata që i lexojnë. Ato hyjnë brenda nesh, rrënjosen ngadalë dhe shndërrojnë mënyrën tonë të të menduarit për botën, lirinë, pushtetin.

Të jemi të mbledhur këtu, në Institutin e Francës, në këtë vend ku mendimi francez mblidhet, përcillet dhe përballet me vetveten, ka për ne një domethënie të veçantë.

Ta përkujtojmë Ismailin këtu do të thotë, në njëfarë mënyre, ta rikthejmë në shtëpinë e tij. Në zemër të kësaj shtëpie të mendjes që e priti dhe vlerat e thella të së cilës ai i mishëroi me veprën e tij. Franca është atdheu ynë i dytë.

Ai që na priti në vitin 1990, kur u larguam nga Shqipëria komuniste.
Një vend që i ofroi babait tim jo thjesht një strehë, por diçka edhe më të rrallë: një hapësirë lirie. Këtu ai mundi të vazhdonte të shkruante pa pengesa dhe u njoh si një shkrimtar madhor i letërsisë europiane.

Përfitoj nga ky rast të kujtoj me emocion dhe mirënjohje të thellë figurën e Claude Durand, botues i madh dhe mik i dashur i familjes sonë, mbështetja, besnikëria dhe inteligjenca e të cilit luajtën një rol vendimtar.

Të ishe vajza e Ismail Kadaresë do të thoshte të rriteshe mes fjalish të mbetura pezull, dorëshkrimesh të hapura dhe heshtjeve të dendura ku gjithçka thuhej pa u ekspozuar.
Çfarë ishte ai përtej kësaj, e kuptova vetëm më vonë.

Në librat e tij, sigurisht. Por edhe në vështrimin e atyre që e donin përmes shkrimeve të tij dhe që më ofronin një mundësi që ta shihja ndryshe.

Për një kohë të gjatë kam besuar se babai im më përkiste vetëm mua. Më vonë kuptova se ai i përkiste gjuhës. Një populli të tërë.

Dhe tani, kujtesës, por jo asaj që ngurtëson, por asaj që vigjilon, që mbron dhe që përcjell.
Duke marrë frymëzim te Shqipëria, Kadareja ndërtoi një univers të tërë që i rindërtoi asaj arkitekturën e brendshme.

Vepra e tij përbën një rezistencë këmbëngulëse kundër frikës, kundër falsifikimit të realitetit, kundër përbindëshit totalitar.

Ai iu dha historisë, miteve dhe përçarjeve të shqiptarëve një përmasë që i tejkalon ata.
Iu dha shqiptarëve një bosht mendimi: mundësinë për të njohur veten pa maska dhe për të qëndruar në këmbë, pa iluzione.

Vepra e tij nuk ka kërkuar kurrë rehatinë. Ajo ka zgjedhur kthjelltësinë. Ai fliste për Shqipërinë, natyrisht, por për të nxjerrë në pah një univers që ishte vetëm i tij: një botë të pushtuar nga mitet dhe legjendat, të populluar nga aedë dhe vajtore, ku udhëtojnë koka të prera dhe kalojnë kometa. Dhe në zemër të kësaj bote shfaqet gjithmonë Përbindëshi totalitar — osman, sovjetik, kinez, ç’rëndësi ka — ajo fuqi që pretendon të sundojë deri edhe mbi ëndrrat e nënshtetasve të saj.

Bëhet fjalë për një vepër themeluese, ku historia çlirohet nga kufijtë për t’u bërë universale.
Kur një shkrimtar i madh ndahet nga jeta, universi që ai ka krijuar i shpëton kohës dhe vazhdon të ekzistojë.

Sonte, ne po përjetojmë pikerisht këtë gjë. Në emër të gjithë familjes Kadare — Elena, nëna jonë, Gresa, motra ime e madhe, Doruntina dhe Adriani, fëmijët e saj, Risto, babai i tyre — e falënderoj ngrohtësisht Institutin e Francës për këtë homazh të bukur.

Jemi thellësisht të prekur. Një falënderim i veçantë për ambasadorin Dritan Tola, për angazhimin e tij personal në organizimin e këtij aktiviteti.

Së fundi, i falënderojmë miqtë tanë që janë këtu, dhe veçanërisht miqtë e Ismailit. Ata që e shoqëruan me besnikërinë, dashurinë dhe praninë e tyre të devotshme.
Ju faleminderit”, 
përmbyllet fjalimi.

ObserverKult


Lexo edhe:

Liqeni i Shkodrës drejt UNESCO-s, nominohet si rezervë ndërkufitare e biosferës