Bunin i panjohur: Nobelisti i parë rus- shkrimtari i dashurisë!

Si trashëgimtar i traditës letrare të Tolstoit e Dostojevskit, Ivan Alekseyevich Bunin krijoi stilin e vet unik, duke e kredhur lexuesin drejt thellësish të reja emocionesh dhe karakterizimesh. Tregimet e tij të dashurisë, janë nga më të mirat në letërsinë ruse.

Përfundoi vetëm disa klasë të shkollës së mesme

Në atdhe, Bunini konsiderohet shkrimtar me stil të lartë dhe intelekt. Megjithatë, ai nuk u arsimua plotësisht. Shkrimtari i së ardhmes lindi në 1870 në provincën Voronezh, 400 km në jug të Moskës dhe i ati e dërgoi në një gjimnazin e djemve në qytetin e Yelets.

Pesë vjet më vonë, Bunini u kthye në pronën e familjes për pushimet e Krishtlindjeve – dhe nuk u kthye më në shkollë. Sidoqoftë, do të ishte e padrejtë që Bunini të përshkruhet si i paarsimuar.

Që i vogël, ai u rrit në një familje që citonte Pushkinin. Si fëmijë familjeje fisnike, iu caktua një tutor, i cili bëri një punë të shkëlqyer, jo vetëm duke ushqyer tek djali dëshirën për të lexuar, por duke i mësuar edhe disa gjuhë, përfshirë latinishten.

Famën e fitoi kryesisht si poet

Për fëmijët e fisnikërisë, krijimi i poezisë ishte gjë e zakonshme – aftësia për të krijuar çifte rimash në bisedë ishte pjesë e mirësjelljes.

Bunini filloi të shkruante poezi mjaft herët, kurse poezia e parë iu botua në moshën 15-vjeçare, në një revistë letrare. Punoi njëfarë kohe si redaktor, por s’vonoi shumë dhe kjo gjë filloi ta nervozojë – etja për jetën dhe aventurën e çoi nga një qytet në tjetrin. Së fundmi, në kërkim të famës letrare dhe një page të qëndrueshme, ai u nis të zaptonte Shën Petërburgun dhe Moskën.

Në Moskë, Bunini u bë anëtar i rrethit letrar “Sreda”, së bashku me shkrimtarë të njohur të asaj epoke si Maksim Gorki dhe Leonid Andrejev.

Megjithatë, shkëlqimi letrar e mbajti larg. Disa kritikë i konsideruan poezitë e tij monotone, të ngjashme me poezinë e shekullit të 19-të dhe pa dell talenti.

Sidoqoftë, recensuesi i çmimit “Pushkin” njohu në poezitë e Buninit “një gjuhë figurative të hirshme të pahuazuar nga tjetërkush”, dhe e vlerësoi me çmimin.

Jetoi në varfëri dhe u martua tri herë

Bunin vinte nga një familje fisnike e rrënuar. Për më tepër, si më i vogli, nuk trashëgoi asnjë pasuri apo pronë.

Si rrjedhojë, që herët iu desh të fitonte bukën e gojës, gjë që nuk funksiononte gjithmonë. Ai jetoi në varfëri, i ndihmuar nga vëllai i madh dhe, në përgjithësi, ndihej shumë i turpëruar nga ky pozicion.

Sidoqoftë, pasioni që kishte për udhëtimet ishte kaq i madh, sa do e linte përgjithmonë punën ose shërbimin për të marrë rrugën, pasi futej edhe më shumë në borxhe – kjo vazhdoi për mjaft kohë.

Gjatë turit, ai shkroi historitë e famshme: “Zotëria nga San Francisko”, “Goditje dielli” dhe shumë të tjera, të cilat morën vlerësime nga kritika dhe u mirëpritën nga lexuesit.

U bë shkrimtar i famshëm në mërgim

Revolucionet e vitit 1917 e zunë Buninin në Moskë. Kishte ngecur mes trazirave dhe të shtënave të armëve, ndaj filloi të mbante ditar të detajuar, të cilin e botoi me titullin: “Ditë të nemuna”. Shumë nga kolegët shkrimtarë e përshëndetën revolucionin me entuziazëm, por jo ai.

Kur bolshevikët morën pushtetin në tetor, Bunini dhe Vera u larguan nga Moska me një makinë-ambulancë së bashku me refugjatë të tjerë, duke gjarpëruar drejt Odesës. Megjithëse 33-vitet e mbetura të jetës i jetoi në Francë, ai nuk mësoi kurrë frëngjisht – komuniteti i emigrantëve rusë ishte kaq i gjerë, sa nuk kishte nevojë.

Në vitet 1920, shkrimtarët mërgimtarë rusë në Paris filluan të paraqisnin kandidatë për çmimin “Nobel” në letërsi – midis tyre ishin Ivan Bunin, Ivan Shmelev, Dmitry Merezhkovsky dhe Konstantin Balmont.

Pra, ndodhi që në vitin 1933, Bunini i nominuar u bë shkrimtari i parë rus që mori çmimin, me motivacionin: “për mjeshtërinë rigoroze, me të cilën shtjellon traditat e prozës klasike ruse”.

Autor i veprave më të mira në letërsinë ruse rreth dashurisë

Nëse ju pëlqen letërsia ruse mbi dashurinë, mos kërkoni më shumë se Buninin. Historitë e tij lirike dhe elegante janë të mbushura me simbolikë.

Femrat në veprat e tij janë qenie enigmatike kalimtare, me kokën dhe supet mbështetur te burrat. Këto nuk janë më vajzat e përkora të letërsisë së shekullit të 19-të, por krijesa dinamike të lindura për një pasion të shpejtë, të stuhishëm.

Veprat kryesore janë romani “Jeta e Arsenievit”, novela “Dashuria e Mitias”, tregimet “Mollët Antonovka” dhe “Frymëmarrje e lehtë”, si dhe koleksioni i tregimeve “Rrugët e errëta”, mbase kulmi i krijimtarisë së tij.

Thuajse në të gjitha, Bunini vepron si një novator, duke e stërpikur prozën me poezi lirike, duke pikturuar ndjenjat dhe trazirat e brendshme të personazheve me ngjyrimet më të thella.

ObserverKult


Lexo edhe:

MUSA VYSHKA: ERDH KOHA TË VDESIM? S’ËSHTË KEQ EDHE CA TË PRESIM!

Poezi nga Musa Vyshka

Mund të më thuash ti një ditë, për dreq,
“Erdh koha që të vdesim!”
Unë do të them i qetë: “S’është keq
Sikur dhe ca të presim!”

Vërtet që pema jonë në rrënjë u kalb,
Po bie dalëngadalë.
Po ne, pa rënë, zgjasim kokën prapë:
“A çelën gjethet vallë?!”

Janë gjethet tona, tonat, sigurisht,
Nga trungu ynë janë.
Mbi dashuritë e tyre përjetësisht
Pishtarin tonë mbajnë!

Nga dashuria jonë u përflak
Një dashuri e re
Dhe duam ne a s’duam, sadopak,
U bëmë Promethej

Pastaj ti mund të thuash prapë, për dreq,
“Hajde të dy të vdesim!”
E do të them i lumtur: “S’është keq!
Nuk kemi më ç’të presim!”

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


ZHULIANA JORGANXHI: MOHUAM NËNËN EDHE ATIN, MOHUAM MOTRËN DHE VËLLAIN…

(Vetëm për ata, që u detyruan të mohonin…)

Mohuam nënën edhe atin,
fajtor pa faj, në mes të fajit,
mohuam motrën dhe vëllain,
gjymtyrë prerë për së gjalli.

Mohuam gruan, mohuam burrin,
ku ishte zemra rëndoi guri.
Mohuam vajzën edhe djalin,
gjak pikoi gjiri, kur s’iu gjet varri.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult