Në Mesjetë, kripa ishte një burim i çmuar. Ajo kushtonte shumë, dhe besohej se kishte veti medicinale. Nëse kripa derdhej, ajo nuk ishte më në gjendje të përdorej si ilaç, dhe prandaj grumbullohej dhe hidhej mbi shpatullën e majtë, me qëllim që të verboheshin shpirtrat e këqinj, që besohej se përndiqnin vazhdimisht njerëzit përreth tyre.
Ekziston një arsyetim edhe më i vjetër, mbi supersticionin e kripur së derdhur. Në tabllonë e Da Vinçit ‘Darka e Fundit’, Juda Iskarioti portretizohet sikur ka derdhur kripën. Kjo bëri që shumë njerëz ta shohin këtë akt si një shenjë të keqe, dhe si diçka që ka të ngjarë të ndjellë fatin e keq.
Dihej se kripa e bën tokën shterpë për një kohë të gjatë, dhe nga kjo besohej se derdhja e kripës, është e ngjashme me mallkimin e tokës. Ndër shekuj ka pasur dëshmi të shumta mbi shenjat e këqija, që lidheshin me derdhjen e kripës. Përveç kësaj, që kur nga Kisha Katolike Romak u përdor kripa për të përgatitur Ujin e Shenjtë, ajo kishte një rëndësi fetare, çka e bënte derdhjen e saj një shenjë të keqe.
—————-
Lexo edhe:
I mbetej veç teli i solit… Çfarë fshihte “violina e djallit”?
ObserverKult
ROBERT ELSIE, ALBANOLOGU QË BËRI TË NJOHUR BOTËRISHT KULTURËN SHQIPTARE
Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë. Ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanik, ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua më 1972.
Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin). Pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris. Vijoi në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë. Dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978.
Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë, ku u bë një ndër ekspertët më të njohur.
Qysh nga vitet ’90 deri ne fillim të shekullit XXI ai ka punuar me profesion të lirë si interpret i shqipes. Ka marrë pjesë edhe në negociata të nivelit të lartë për qeverinë gjermane, BE, OKB, NATO-n, Këshillin e Evropës, etj.
Robert Elsie ishte anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft). Ishte edhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Po ashtu ishte anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Në fushën e albanologjisë, Robert Elsie i është kushtuar fillimisht letërsisë shqiptare. Ndër botime të hershme të tij janë: Dictionary of Albanian Literature (Fjalor i letërsisë shqiptare), Uestport (Westport), Konektikat 1986. Dhe History of Albanian Literature (Histori e letërsisë shqiptare), Boulder, Colorado 1995, në dy vëllime.
Botoi përkthime letrare në anglisht dhe gjermanisht, siç janë për shembull në vëllimin e UNESCO-s An Elusive Eagle Soars: Anthology of Modern Albanian Poetry (Një shqiponje e arratisur fluturon: antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare), Londër 1993. Albanian Folktales and Legends (Përralla dhe legjenda shqiptare), Tiranë 1994. Veprat poetike të poetit Migjeni (1911-1938) përkthyer në anglisht në vëllimin Free Verse (Vargjet e lira), Tiranë 1991.
Duke marrë parasysh gjendjen jashtëzakonisht të rëndë në Kosovë, ai përpiloi antologjinë e parë të madhe me shkrime për temën e Kosovës në vëllimin 600-faqesh Kosovo: In the Heart of the Powder Keg (Kosovë: në qendrën e fuçisë së barutit), Boulder, Colorado 1997.
Ai botoi gjithashtu Kanunin në gjermanisht, Der Kanun: das albanische Gewohnheitsrecht nach dem sogenannten Kanun des Lekë Dukagjini (Kanuni: E drejta zakonore shqiptare sipas të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit), Pejë 2001. Autor i shumë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë.
Vdekja e parakohshme e Robert Elsie nga sëmundja e rrallë e neuroneve motorike ndodhi më 2 tetor 2017.
ObserverKult