Biblioteka e Tetovës rrezikon të mbyllet

Mbi 20 vjet Biblioteka e Tetovës, po funksionon pa kushte elementare. Në një hapësirë prej vetëm 200 metra katrorë, janë të vendosura në rafte mbi 83.000 libra mes të cilave mezi kalohet.

Me tavane të ulëta, lagështi e dritë të tepërt që ndikon në shkatërrimin e librave, punëtorët e kësaj biblioteke përmes televizionit Alsat kanë alarmuar për kushtet e vështira. Ata kanë kërkuar një hapësirë më të madhe për të zhvilluar këtë veprimtari. Por, Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, asnjëherë nuk ndërmori masa për dislokimin e bibliotekës në një vend me sipërfaqe dhe kushte të duhura.

Dhe sikur kjo të mos mjaftojë, ditë më parë, Ministria e Kulturës ka njoftuar organet e Shtëpisë së Kulturës ku është e vendosur edhe biblioteka, se e njëjta do të hiqet nga ai vend, dhe do të vendoset tek klasat e Fakultetit të Artit Muzikor. E aty ku kushtet, sipas të punësuarve në bibliotekë, janë edhe më të këqija.

“Faktikisht e gjitha është me kërkesë të Ministrisë së Kulturës pas çka Qeveria pritet të sjellë vendim që në hapësirat ku gjendet Biblioteka e Tetovës, do të vendoset Delegacioni i Bashkësisë Evropiane. Kurse në pjesën tjetër do të kalojë Biblioteka e Tetovës.

E njëjta do të kalojë aty ku aktualisht gjendet Fakulteti i Arteve të Universitetit të Tetovës”, tha Vullnet Fejzullahu nga Shtëpia e Kulturës “Iljo Anteski Smok”.

Ky dislokim, sipas drejtoreshës së bibliotekës së Tetovës, nënkupton edhe mbylljen e këtij institucioni. Kjo pasi që vendi ku planifikohet të zhvendoset biblioteka, nuk ka aspak kushte as për vendosjen e librave e as për numrin e madh të lexuesve që ka kjo bibliotekë, e që në numër janë mbi 5.000.

“Kjo nga ana jonë është pritur negativisht dhe punëtorët kanë frikë sepse ne gjithë kohës, pra me vite kërkojmë kushte më të mira sepse në këto kushte mezi veprojmë. Neve duan të na japin hapësirat e klasave të Fakultetit të Arteve Muzikore, që janë klasa të ngushta me tavane të ulëta. Nuk plotësojnë aspak kushtet për funksionim të bibliotekës.

Me këtë dislokim gjysma e fondit të librave do dëmtohet dhe as që do mund të funksionojmë. Aty thjesht do mund të funksionojmë si magazinë dhe kjo çon drejt mbylljes së bibliotekës”, u shpreh Rrezarta Ismaili, Drejtoreshë e bibliotekës së Tetovës.

Përveç mungesës së hapësirës për vendosjen e gjithë fondit të librave në bibliotekë, si pasojë e të cilës, mbi 50.000 tituj rrinë nëpër depotë e Shtëpisë së Kulturës, në gjendje të mjerueshme janë edhe gazetat ditore të vendit. Këto gazeta ruhen që nga viti 1944, por që në mungesë të kushteve, janë hedhur në nënkulmin e Shtëpisë së Kulturës. /alsat.mk

ObserverKult


Lexo edhe:

PESË BIBLIOTEKAT MË TË MËDHA NË BOTË- DUKEN SIKUR KANË DALË NGA PËRRALLAT

Vende me dritë, të qeta, me shumë libra, ngjyra dhe ndjesi sikur po kalon kohën në një botë tjetër. Bibliotekat aq të mëdha duken si pjesë të filmave.

1-Biblioteka Tianjin Binhaiajo:

Ajo që gjendet brenda saj të jep një frymëzim të pafund. Ndërtesë e jashtëzakonshme! Sikur të mos kishte arsye të mjaftueshme për të shkuar në Kinë, një vizitë në një bibliotekë si ajo “Tianjin Binhai” të shton dëshirën më shumë.

E hapur që nga viti 2017, është një kryevepër arkitekturore. Përmban një auditor të shkëlqyeshëm sferik.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult