Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, sot, iu dhurua një koleksion i librave me vlerë të veçantë të kulturës hungareze nga fusha e artit, filozofisë, historisë, politikës etj.
Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Dr. Bencze József, i pranishëm në ceremoninë e dhurimit, dorëzoi këtë koleksion dhuratë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë e Hungarisë.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, e falënderoi ambasadorin e Hungarisë, Dr. Bencze József, për konsideratën e tyre që Bibliotekës Kombëtare t’i dhurohet ky koleksion që është në përputhje me politikat dhe shërbimet e kërkuara në këtë bibliotekë dhe mbështetje për nevojat kërkimore të përdoruesve që kanë interesime për kulturën hungareze.
Gajraku, duke theksuar se Biblioteka Kombëtare e Kosovës – biblioteka më e madhe dhe më e rëndësishme në Republikën e Kosovës, është duke pasuruar koleksionet e saj me botimet më të reja të kulturave botërore, e informoi ambasadorin Bencze József për praninë në koleksionet e kësaj biblioteke të librave në gjuhën hungareze dhe, gjithashtu, të librave të përkthyer në shqip të një sërë autorëve hungarezë, që janë pjesë e koleksionit të kësaj biblioteke.
Ambasadori József veçoi këtë ditë si të rëndësishme në aktivitetin e tij të diplomacisë kulturore. Duke vënë në kujtesë një marrëdhënie të gjatë ndërmjet popullit hungarez dhe atij shqiptar siç e njeh historia, ai theksoi se dhurimi i këtij koleksioni të librave Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, me këtë rast pasurimit të koleksioneve të saj me material nga kultura hungareze, si dhe shkëmbimi kulturor në përgjithësi, fuqizojnë edhe më tej marrëdhëniet kulturore ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori shprehu mirënjohjen e tij që ky koleksion po gjen vend në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dhe si i tillë do t’i shërbejë lexuesit në Kosovë për të njohur më shumë kulturën e Hungarisë. Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, pas fjalimit vijoi me shpjegimin për disa nga librat që u dhuruan sot.
Në këtë ceremoni, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në hollin e ekspozitave, përgatiti ekspozitën nga koleksioni i dhuruar, dhe i ndau mirënjohje Ambasadës së Hungarisë më rastin e dhurimit të këtij koleksioni të librave.