Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë: Ekspozitë kushtuar poetit, Fatos Arapi

fatos arapi

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, përmes një ekspozite “In memoriam”, në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta, përkujton poetin, novelistin dhe përkthyesin e jashtëzakonshëm Fatos Arapi, duke sjellë në vëmendje të publikut trashëgiminë e tij të pasur.

Ekspozita “nis” me poezinë e tij të parë, botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” në vitin 1954, për të vijuar më pas me botimet e para në poezi dhe prozë: “Shtigje poetike” (1962), “Poema dhe vjersha” (1966), “Ritme të heshtura” (1969), novela “Patat e egra” (1970) dhe “Dhjetori i shqetësuar” (1970).

Një vend të rëndësishëm në këtë ekspozitë zënë edhe studimet letrare dhe të folklorit me botimet “Fjalë për poezinë” dhe “Këngë të moçme shqiptare”, si dhe kontributi i tij si redaktor.

Fatos Arapi ka dhënë një kontribut të çmuar edhe si përkthyes, duke sjellë mjeshtërisht në gjuhën shqipe emra të rëndësishëm të letërsisë botërore, si: Johann Wolfgang von Goethe, Pablo Neruda, Nikola Jonkov Vapcarov, Ante Popovski etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore./ATSH

ObserverKult


Lexo edhe:

FATOS ARAPI: ATA QË DASHUROJNË AKOMA…

Nga Fatos Arapi

Ata që s’kanë bukë,
kur të kujtojnë bukën,
ty dhe mua le të kujtojnë.

Ata që s’kanë zjarr,
kur të kujtojnë zjarrin,
ty dhe mua le të kujtojnë.

Të pagjumët e botës,
me syrin hapur si nata,
në mesnatën e tyre
ty dhe mua le të kujtojnë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


FATOS ARAPI: ËSHTË NJË LOJË E MADHE, E DASHUR…

Poezi nga Fatos Arapi

Është një lojë e madhe, e dashur
lodrojnë fjalët, ritmet, rimat;
përqafohen figurat, vijnë rreth dritave
si fluturave prej rrezeve të diellit
……….u përzhiten krahët
ato prapë gicilohen me dritat
Lojë e hapësirave
që mbyllen të gjitha në buzët e tua
kur ti vetë qenke në buzë të jetës
……….firomë e mërmërimës së tyre
Është një lojë e vërtetë, e dhemshura ime
lojë e mjergullave, që treten nëpër agime
për të rilindur mbrëmjeve në gjire të fushës
………..së detit
e legjendave, që jetojnë midis mjergullave
që braktisin vet legjendat
e të nesërmen përsëri dalin prej tyre
si zogjt e pëllumbave – prej lëvozhgës së butë
lojë e ëndrrave, që shartohen nëpër trungun
……….e ëndrrave

ObserverKult