Biblioteka rihap dyert bashkë me forma të reja për lexuesit

Hajati i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, sikundër i gjithë enterieri i saj, të martën ishte fare i qetë.

Te dera e majtë është vënë shenja e hyrjes, kurse një tjetër, në derën e djathtë, tregon daljen për ata që ia mësyjnë objektit.

Këto janë vetëm dy nga shenjat e para që flasin për rreptësinë e masave të sigurisë dy ditë pasi institucioni më i madh bibliotekar në vend ka rifilluar aktivitetet e tij të shërbimit me përdorues.

“Sot vetëm pak studentë kanë ardhur”, ka thënë njëra nga dy bibliotekarët që rrinin pranë një tavoline në hajatin e brendshëm të Bibliotekës. Aty ishte edhe një termometër IR për të matur temperaturën e frekuentuesve të Bibliotekës. Sipas rregullores së re, aty “lejohen të hyjnë vetëm ata me temperaturë jo më të lartë se 37.5°C”.

Nga e hëna, pas mbylljes së saj në muajin mars, BKK-ja ka hapur dyert për lexuesit e shfrytëzuesit përmes rihapjes së pjesshme të sallave të leximit.

Në njoftimin e afishuar në faqen zyrtare të BKK-së në “Facebook”, ky institucion ka njoftuar për ndërmarrjen e masave të sigurisë në respektim të protokolleve për të luftuar përhapjen e COVID-19 dhe me regjim të kufizuar operativ, transmeton ‘koha.net’.

“Biblioteka Kombëtare e Kosovës ofron shërbimet e saj në përputhje me masat e rekomanduara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me masat dhe udhëzimet e nxjerra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës e Ministria e Shëndetësisë, si dhe udhëzimet e rekomanduara nga IFLA – International Federation of Library Associations and Institutions – për të shërbyer përdoruesit në kohë pandemie në mënyrë që të ndihmojë parandalimin e përhapjes së COVID-19”, thuhet në këtë njoftim.

Kështu, përdoruesve të Bibliotekës u është kërkuar të ndjekin nga afër udhëzimet për kushtet e përdorimit të shërbimeve të saj.

Shi për këtë, në rrethanat e reja, BKK-ja ka hartuar edhe një kod aktual të sjelljes, në të cilin saktësohet se numri i përdoruesve është i kufizuar në 150 që lejohet të jena brenda në të njëjtën kohë. Bartja e maskës në sallat e leximit, si dhe respektimi i distancës fizike dy metra janë ndër rregullat e para.

“Janë lexuesit ata që e bëjnë dinamikën e Bibliotekës dhe punën brenda saj”, ka thënë të martën drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku.