Jeta e njeriut është shumë e shkurtër. Po edhe sikur të mund të jetoja një mijë vjet, unë s’do ta harroja kurrë Marien.
Maria quhej mushka që na sillte ushqimin e drekës.
Ajo tani ishte një mushkë e thyer në moshë dhe vinte e pakët, e dobët dhe e kërrusur. Sikur njerëzit të ishin disi më njerëzorë me kafshët, ajo duhej të ishte çmbrehur prej kohësh dhe të ishte lënë të ngryste e qetë ditët e fundit të pleqërisë së saj.
Po ashtu, siç ishin shtazorë me njëri tjetrin, njerëzit s’dinin se si të silleshin njerëzorë me kafshët.
Dhe mjerë ato kafshë të mjera që ishin më afër me ta.
Për fatin e saj të hidhur, Maria ishte shumë afër me njerëzit, e kish vënë perëndia drejtpërdrejt në shërbim të tyre.
E mbrehur përpara karrocës, e lidhur dhe e mbërthyer me rrypa me litarë, e kërrusur dhe e tendosur nën peshën që tërhiqte, ajo u binte kryq e tërthorë tërë rrugëve të fermës, nga furra e bukës në dyqanin e ushqimeve, nga menca e punëtorëve në brigadat e fushës, nga njëri sektor në tjetrin.
Ajo ish një personazh i njohur në fermë. Emri i saj ish një ndër emrat më popullorë.
-Erdhi Maria! Erdhi Maria!-dëgjohej anembanë fushës e thirrura jonë në kohën e pushimit të mesditës kur prisnim të na vinte ushqimi i drekës.
-Erdhi Maria! Erdhi Maria!-përsëritej emri i saj nga brigadat në brigadë.
Karroca me dy rrota gome përkundej e kërcente nëpër gropat e rrugës. Mbi kryet e karrocierit, një copë katrema e rrëmbyer nga era, e shqyer përgjysmë nga streha e gjysmë kabinës, tundej ritmikisht sikur më përshëndeste.
-Erdhi Maria!
Ajo nuk nxitonte. Ajo s’kish fuqi të nxitonte në atë moshë. Vrapi i saj kish mbaruar prej kohësh dhe tani të vinte keq tek e shikoje të merrte një turr të shkurtër prej plake, e detyruar nga fshikullimat e kamzhikut të karrocierit. Ai e rrihte kot të gjorën kafshë. Dreka jonë vinte me shumë vonesë, po se mos ishte faji i saj. Ajo nisej nga kuzhina kur e nisnin. Dhe vërtet ecte ngadalë, po ecte gjithnjë dhe atë që s’e arrinte dot në shpejtësi e fitonte në kohë. Po të varej prej saj, ajo do të mund të arrinte në kohën e duhur tek ne. Po nuk varej asgjë prej saj. Dhe ai e rrihte.
Dreka jonë nuk zgjatte shumë. Njëri nga ne shkarkonte bidonin e gjellës, një tjetër shkarkonte tasat dhe lugët, pastaj ai që ishte ngarkuar të bënte ndarjen na hidhte nga një lugë fasule në fund të tasit të aluminit dhe kjo ishte e tëra.
-Kanë larë enet e kuzhinës dhe na kanë dërguar lëtyrat, -fillonim ne të ankoheshim.
-Nuk i qërojnë këto fasule, xhanëm! S’gjeta dot një, kokërr të saktë.
-I qërojnë, mos kij emrak. Të krimburat i hedhin në kazanin tonë të pastrat i shesin jashtë për tregti.
-Edhe kjo farmak misërnike e verdhë në këtë pisk vape…
-Po, mbjellim grurë e hamë misër në këtë formë.
-Në Tiranë hanë bukë gruri dymbëdhjetë muaj në vit.
Në Tiranë është qeveria e madhe. Tërë Shqipëria për Tiranën punon. Ne mbaronim së ngrëni shpejt e shpejt. Kur ai që merrte gjellën i fundit, kafshonte kafshitën e parë, ai që kish marrë gjellë i pari gëlltiste kafshitën e fundit. Pastaj shtriheshim të merrnim një sy gjumë gjersa të vinte përsëri ora e punës.
Tani s’pipëtinte më asgjë. Vetëm bishti i Maries tundej herë-herë aty te sheshi përpara tendës. Ajo qëndronte akoma atje ku kish qenë pranë karrocës. E kishin lëshuar të lirë për një copë kohë, po ajo s’kish më as fuqi as dëshirë që të shkonte gjëkundi. Tani që ia kishin hequr pajimet, mund të shihje plagët mbi trupin e saj të drobitur. Qimja i kish rënë e ish rralluar.
Lëkura i qe rrjepur. Një plagë e madhe sa një gjysëm shege i skuqte në kurriz, dhe një tjetër i rridhte te çapoku. Tufa mizash i qenë qepur e s’i ndaheshin, sikur të qe e drejta e tyre që të ushqeheshin me gjakun e saj, ose sikur të kujtonin që ajo s’ishte më e gjallë po kish ngordhur prej kohësh.
*Shkëputur nga Bilal Xhaferri: “Njerëz të rinj tokë e lashtë”
Përgatiti: ObserverKult
————–
LEXO EDHE:
DËSHMIA E RRALLË: KUSH IA HOQI APARATIN BILAL XHAFERIT QË E MBANTE NË JETË NË SPITAL?