BIOLETRA: Shkrimi i Jetës – Jeta e Shkrimit

Sabri Hamiti
Sabri Hamiti

 Bioletra, kompozitë nga bio (jetë) dhe litera (shkrim), e formuar kështu me fjalë greke e latine, dëshmon për një trashëgimi greke-latine të koncepteve teorike të letërsisë. Pra, kjo kompozitë në shqip do të dilte Jetëshkrim. Mirëpo termi jetëshkrim lidhet tradicionalisht me termin biografi , që më në fund është emërtim për një gjini letrare – dokumentare e njohur teorikisht dhe historikisht si letërsi referenciale.

Nga Sabri HAMITI

Bioletra, që është emërtim yni, ka motivimin për të treguar një dije, një teori të veçantë për shkrimin dhe leximin letrar, apo për krijimin e interpretimin letrar.

Kjo teori, Bioletra, shkrimin e leximin letrar i trajton si procese të ndërliqshme e të lidhura njerëzore që kanë burim individin dhe botën e tij e jo rrethanat sociale e ideologjike të kolektivit. Kjo është kërkesë që letërsia t’i kthehet natyrës së vet të vërtetë , krijimit të vlerave shpirtërore dhe shijimit e njohjes së këtyre vlerave.

Në këtë vështrim secili kufizim trajtohet si kufizim i lirisë krijuese, qoftë si cenzurë morale e ideologjike, do të thotë shoqërore (sociale): qoftë si kodifikim formal që tjetërson ndijimet e zbulimet autentike shpirtërore.

Bioletra është një ftesë për t’u kthyer në fillim, në pafajësi, në zbulim të vetvetes e të botës, pa njohur asfarë konvence. Në këtë shkallë krijimi, duke u formësuar si i veçantë, krijon domethënien e veçantë të papërsëritshme e të pamatshme.

Është kjo, një lojë e pafund individuale shpirtërore e shkrimit dhe e jetës.

Shkrimi i jetës, Bioletra, don të barazojë krijimin me jetën, apo jetën, apo jetën me krijimin duke i parë ato të dala nga njëra tjetra apo së paku duke e interpretuar njëra tjetrën. Në këtë lojë hyn patjetër individi, krijuesi, i cili kushton jetës me art apo i kushton artit me jetë duke arritur shkallën më të lartë të shpalimit shpirtëror. Në këtë hapje të përgjithshme krijuesi e takon lexuesin e kohës së vet apo të kohëve të tjera për ta relativizuar kohën me përjetësinë e artit. Ars longa, vita brevis.

Bioletra e njeh jetëshkrimin si proces thelbësor e total të krijimit, kur krijohet masa individuale dhe e përgjithshme e funksionimit të krijimit letrar.

Bioletra e njeh dorëshkrimin, si  koncept për personalen e nivelit më të lartë dhe praninë e saj në shkrimin letrat, për të formuar karakterin individual të tij.

Bioletra e njeh bukurshkrimin, si koncept që lidhet me krjimin e formës letrare, që lidhet me teori pararendëse të krijimit, po dhe me universalitetin e vlerës letrare.

Bioletra, më në fund, ndeshet me shkrimin, që përmbyll një totalitet krijues, i cili gjakon ta mund kohën duke synuar përjetësinë. Në këtë vështrim shkrimi dhe leximi letrar nuk janë të dhëna paraprakisht, por variante raportesh në një proces, dhe raporti i tyre dhe kuptimi i tyre përcaktohet në procesin krijues e identifikues.

Bioletra njeh veçantinë e shenjave të gishtit tregues, individualitetin e pamjes së fytyrës njerëzore dhe universalitetin e hapjes së shpirtit. Më në fund: veprën letrare autentike, të veçantë, të papërsëritshme, si trajtë e si domethënie.
__________________________

*Shkëputur nga libri “BIOLETRA –Një teori e shkrimit dhe e leximit”, Sabri Hamiti, FAIK KONICA, Prishtinë 2000

ObserverKult