Nga Alfred Duka
Në derë u dha një grua pak mbi të dyzetat, me trup sportiv, me tipare të rregullta, sy të vegjël, thellësisht të zinj, disi të ujshëm, me vetulla fare pa hark dhe buzët që krijonin një paralele të vendosur njëra mbi tjetrën, të cilat të gjitha sëbashku, jepnin hijen e një gruaje të sertë, por që lexohej nga larg se ishte e tronditur. Pas saj hyri një djalë, ai që më kishte telefonuar siduket. Nga një vlerësim i shpejtë, prej kohës që u shfaq në derë, e deri sa ju afrua tavolinës sime për të më dhënë dorën, lexohej se ishte më shumë se e tronditur, e agjituar, por edhe e trembur. Nuk arrija ta dalloja dot, se cila po e mundonte më shumë, pasi i shfaqi të tria gjendjet, shoqëruar me ankth që po i zinte frymën, ashtu siç në përgjithësi shfaqen gratë e ndodhura në kësi situatash-të alarmuara.
– Uluni ju lutem zonjë, i thashë disi me kujdes, duke e drejtuar në njërën karrige që ndodhej përpara tavolinës sime. Ulu, i thashë edhe shoqëruesit të saj, që pak më vonë mësova se ishte nipi i saj. Mendova se ulja në karrige, do ta ndihmojë për tu qetësuar, por nuk qe e thënë. Mu duk se zgjidhje sipas saj, qe të më shprazte sa më parë, çfarë i kishte ndodhur, pasi nuk po e mbante më atë barrë frymëmarrëse, por edhe se unë isha vendi i shkarkimit të saj dhe ja dha;
– Avokat, më është shembur qielli dhe toka. Më kanë rënë në kokë të dyja. Nuk po i mbaj dot. Si do të më ndihmosh? Burri im, është i pafajshëm. Burri im, është burrë i ndershëm, i drejtë, shumë i dashur. Ja kanë punuar avokat. Ata që fituan milionat, ata ma groposen burrin dhe mua bashkë me të.
Për ta qetësuar disi, e pyes se çfarë profesioni keni.
– Jam inspektore arsimi.
– Po burri juaj, çfarë profesioni ka?
– Burri im, është inxhinier ndërtimi dhe prej shumë vitesh punon në Ministrinë e …, në sektorin e investimeve, si supervizor. Është gjashtëdhjetë e tre vjeç, është i sëmurë, me ilaçe për shkak se ka kaluar një infarkt. Është pa ilaçe atje në burg. I duhen shpënë sa më parë. I kam marrë ilaçet me vete, i kam në çantë. Futi dorën që i dridhej brenda çantës dhe pasi rrëmoj pak brenda saj, i nxori dhe i lëshoj në tavolinë me pak tersëllime, por më shumë si duket nga që nuk po e mbanin nervat.
– A mundesh me ja çue sonte?
– Të lutem! Zonjë, nuk lejohet me hy tek burgu natën. As ilaçet nuk ja çoj dot, pasi asgjë nuk futet brenda, pa mbikëqyrjen e mjekut. Më vjen keq, por…
Të nesërmen në mbrëmje, erdhi përsëri dhe ja nisi prapë.
– Avokat, ju lutem, çfarë do të bëhet për tim shoq? Më është shembur qielli avokat, më ha shtëpia kur kthehem nga puna dhe nuk e gjej tim shoq aty. Vajza e vetme që kemi, herë më duket si ora e shtëpisë, e herë sikur nuk është bija ime. Ulemi për të ngrënë, por nuk na shijon asgjë, shohim njëra tjetrën si qyqare dhe na ngec buka në grykë. Avokat, të lutem kur do të vesh ta takosh tim shoq? Më thuaj.
– Nesër nga mesdita do të shkoj.
– Rrofsh! Të jemi shumë mirënjohës. Na kanë folur shumë mirë për ju…
Është siklet më vete, vajtja në ambientet e paraburgimit, kontrollet dhe sidomos kalimi i skanerit me ca shapka që të ngjallin krupën, të pista, është hall më vete. Sidoqoftë, rasti nuk ishte si të tjerët dhe të nesërmen vajta për ta dëgjuar.
Burri që mu përball në derën e takimit, me vlerësimin e parë, dukej shumë më i plakur se pak mbi të gjashtëdhjetat, i dobët, i bardhë, krejt i thinjur, por me hijen e dukshme të një intelektuali. Pasi buzëqeshi, pashë se kishte dhëmbë të mëdhenj dhe të harmonishëm me fytyrën e tij, pavarësisht se kurora e tyre më ngjau me të një brejtësi të stërmadh. Më përshëndeti.
– Besoj se avokati jeni, pyeti sa për të prishur qetësinë, pavarësisht sigurisë se isha dora vetë.
– Po, i thashë, me një ton miqësorë. Ndjeva se po më peshonte nga pamja. Mu duk se i dhashë njëfarë sigurie, megjithatë ndoshta siguria ime në vend se ti jepte më shumë shpresë, mu bë se e trembi disi. Kështu më kumtonte të paktën ngjyra e fytyrës që i ndryshonte çast pas çasti.
-Dëgjo ing, unë në zakonin tim, nuk e pyes atë që marrë përsipër për ta mbrojtur, veçanërisht kur bëhet fjalë për krime të rënda, por duke qenë se kam të bëj me një intelektual dhe për më tepër, akuzoheni për një vepër relativisht jo të rëndë, preferoj të ma thuash hollësisht se çfarë ka ndodhur dhe përse je këtu. Gjithsesi zgjedhja është e juaja, por vlerësoj se do të ndihmonim njëri tjetrin nëse do të flisnim.
– Avokat, ju falënderoj që erdhët. Nëse do të keni kohë, dua ta tregoj fije e për pe, se përse jam këtu. Pasi bëra një gjest miratues, ja nisi; deri para pesë ditësh dhe prej nëntë vitesh kam punuar Supervizor i Investimeve në Ministrinë e…, punë të cilën e kam dashtë dhe e kam kryer me përkushtimin më të lartë. Për këtë jam shpërblyer disa herë nga ministria. Para pak më shumë se një viti, ministria zhvilloi një tender për rikonstruksionin e disa godinave tona që ndodheshin në bregdet. Tenderin e fitoi një firmë e njohur, por nga humbësit pati llafe siç dëgjova më vonë se ishte bërë pak hile, e megjithatë nuk jam në gjendje as ta pohoj, e as ta mohoj, pasi nuk ishte puna ime. Gjithsesi kur janë në loje pesë milionë euro, sigurisht që llafe të tilla, nuk mungojnë. Filloi puna. Unë ndërkohë mora Projektin dhe e studiova me detaje. Konstatova se zërat ishin shumë të fryrë dhe me iniciativën time, i hyj analizës me hollësi. Më rezultoi se një milion e dyqindmijë euro ishin planifikuar përtej termave teknikë dhe në mënyrë abuzive. Pasi u sigurova mirë me të gjitha detajet dhe hollësitë, i kërkova takim drejtorit dhe ja shpjegova situatën. Ai, pa më dhënë asnjë përgjigje për sa i parashtrova, më këshilloj ti kërkoj takim vetë ministrit, por pa ndonjë vështirësi, kuptova se deshti të më heqë qafe. Ndoqa këshillën e tij. Ministri më priti, dhe si më dëgjoj me kujdes, më përgëzoi për punën që kisha bërë dhe më tha që Studimin tim t’ia lë atij, nëse unë nuk e kundërshtoja. Ashtu u bë, ndërkohë vijova punën pranë objekteve që do të rikonstruktoheshin. Sigurisht që për takimet e mia, nuk i thashë gjë askujt, por pas dy e tri javësh presidenti i kompanisë, zuri të vendosë njëfarë distance, e ndërkohë herë pas here, më kërkonte mendim për detaje të punimeve, gjë që nuk kishte ndodhur gjer më atherë. Në një rast pasi mi nguli sytë fort, më shpjegoi se “u gëzova kot më duket, pasi mi kanë përgjysmuar fondet. Nuk e di se kush ka futur hundët në punët e mija”. Bëra sikur nuk kuptova gjë dhe biseda vijoj me probleme të punës. Mu bë se aspak nuk dyshoj tek unë. Për të mos u zgjatur shumë, punimet u kryen për bukuri, u muarën në dorëzim dhe si të thuash ishin gati.
Drejtori në ministri, në një takim më tha se të falënderojmë shumë, pasi i kurseve shtetit mbi njëmilion euro. Edhe ministri ka mbetur shumë i kënaqur. Nuk mu duk se ishte aq i sinqertë, pasi po mi numëronte fjalët një e nga një si kokrrat e tespijes. Megjithatë, nuk se i vura rëndësi, por pasi më kanë plasur këtu, shpesh i kaloj nëpër mend fjalët e tija. Rikonstruksioni përfundoi dhe u zhvillua një ceremoni ku muarën pjesë ndër të tjerë edhe kryeministri, pasi konçidonte me fillimin e fushatës elektorale.
Të nesërmen, i biri i ndërtuesit, më mori për kafe dhe shumë i lumtur më tha se kishin bërë shumë punime ngado, por kurrë nuk kishin pasur një supervizor të tillë, që të punojë një vit e gjysmë dhe të mos kërkojë asgjë. Kjo e kishte habitur shumë. Prandaj, vijoj se kam biseduar edhe me tim atë dhe kemi menduar që të japim një milion lekë shpërblim nga ana jonë, pasi ke edhe ti familje dhe një gocë nëse e mbaj mend. Nuk i kam me vete, por po shihemi nesër në Tiranë dhe ti jap. I thashë se ju falënderoj, por nuk është nevoja për tu shpenzuar, pasi rroga që marrë më mjafton, edhe bashkëshortja punon, pastaj ne tre vetë jemi në shtëpi dhe jetojmë mirë. Jo, mos ma thuaj atë fjalë, këmbënguli, nesër do të shihemi patjetër. Për vendin dhe orën, ma bëj një zile nga darka dhe e lëmë. Mirë, i thashë dhe siç më tha, aty nga ora nëntë e marrë në telefon.
– Mirëmbrëma, i thashë.
– Mirëmbrëma ing, ma ktheu dhe priti që ti flas. Hë më tha, çkemi?
– Mirë i thashë, ju mora siç e lamë në drekë.
– Aha, po po, a të duhen nesër patjetër ato që folëm?
– Jo, iu përgjigja, por ju mora siç më the.
– E mirë mirë, nesër në orën nëntë pimë kafe tek stadiumi Dinamo, në krah të gomisterisë. Mirë e ke aty?
– Mirë, i thashë dhe me kaq u mbyll biseda…në orën nëntë shkova në kafen që e lamë, por ai u vonua. E marr në telefon pas tridhjetë minutash dhe më tha se nuk vonohem sa ti tërheq ato lekët në bankë. Kjo fjali se si më erdhi, por meqënëse ato lekë mi kishte ofruar pa ia kërkuar, qortova veten për mendimin e ligë që më vetëtiu në tru, pastaj me thënë të drejtën, edhe isha përgatitur me i marrë, se dhuratë hesapi mendova. Erdhi. Mori një kafe. E ktheu menjëherë. Mu duk pak si i tronditur, megjithatë erdhi buzëqeshur dhe vijoj me një gaz në fytyrë. Epo, po e paragjykoj, i thashë vetes. Vështroi rreth e rrotull, futi dorën në Marsupin që nuk e hiqte nga qafa kurrë dhe nxori një pako brenda së cilës ishin lekët. I hodhi në tavolinë dhe i la aty. Unë nuk i preka. Kaloj pesë a gjashtë minuta dhe pasi vështroi majtas nga një tavolinë ngjitur, më tha merri. Unë i mora dhe i shtiva në xhep. Në atë çast më kërcyen tre djemtë që ishin në tavolinën në të majtë dhe më ulëritën se je i arrestuar. Më arrestuan dhe më shpunë në Drejtorinë e policisë. Më hoqën prangat dhe më lanë në një karrige vetëm. Pastaj erdhi një polic dhe më kërkoi që të heq rripin, lidhësat dhe çdo gjë tjetër.
– Mos u lodh kot ma ktheu, pasi desha ti them se mi ka ofruar vetë ato njëqindmijë lekë që më dha…
– Mos u lodh kot fare, i dimë të gjitha, pasi ke qenë në përgjim o i mjerë. Do bësh goxha burg o inxhinier, po hajt se do të mësohesh! Më rrasën në një birucë me nja shtatë djem të rinj të arrestuar për vjedhje, shpërndarje lëndësh narkotike, plagosje dhe i fundit, ai më i rrituri prej tyre, se kishte rrahur gruan në gjendje të dehur, aq fort sa kishte përfunduar në spital. Njëri syresh i kërkoji policit me zë të lartë që na e hiq këtej këtë gërdallë, këtë plak të mbaruar, ose do ta mbys me duart e mia, nuk i duroj dot këta unë, e dini ju këtë punë, unë nuk duroj plakun tim, jo po duroj këtë viktimë. Hiqmani! Ai me sa kuptova, ishte si i shtëpisë në birucë.
Më ishte mpirë truri komplet. Të punosh ndershmërisht dyzet vjet në të katër anët e Shqipërisë dhe të përfundosh kështu si unë, kjo është e tmerrshme. Vetëm mbrëmë më ka shkuar në mendje se mund të ma ketë bërë kurthin ai djali i ndërtuesit, vetëm mbrëmë. Si thua ti avokat?
– Nuk e di, ndoshta, i thashë. Më erdhi shumë keq për naivitetin e tij, por e mbajta veten.
– Ndoshta edhe ma ka bërë, murmuriti me vete, bën vaki bën, ndoshta. Po çfarë shteti është ky o avokat që kalbë në burg një inxhinier në moshën time dhe për më tepër, që i kurseu shtetit një miliardë e gjysmë lekë, për një vit punë…aman si e kupton ti këtë avokat? Ore, të lutem, a më beson ti të paktën se mi ka dhuruar. Mi ka dhuruar pa i kërkuar një cent. Për Zotin, nëse ka kund, kurre nuk i kam kërkuar gjë. Ça do të bëhet me mua avokat? Sa kohë do të më mbajnë? Jam i sëmurë. Vitin tjetër dal në pension. A do ta fillojë pensionin në burg? Të lutem ma thuaj. Nuk më zë viti joooo, kjo është e sigurtë, fare e sigurtë. Si thua? Le të më dënojnë sa të duan, unë nuk e përfundoi dënimin…
Nuk e di se përse e besova plotësisht, por sidoqoftë më duhej “dëgjuar” edhe pala tjetër. I premtova se do të bëj të pamundurën që të mos rrishë gjatë, por më me saktësi do jua them kur të shoh hollësisht dosjen.
– Në dorën tënde jam, me tha dhe buzëqeshi aq sa mundi. U ndamë.
Pasdite vonë në zyrë erdhi përsëri bashkëshortja e inxhinierit të paraburgosur. Më mbuloi me një dush pyetjesh breshëri. Ju përgjigja sa munda. U largua.
Të nesërmen në të njëjtën orë, gruaja erdhi përsëri. Përsëri të njëjtat fjalë. Pas dy netësh, e njëjta vizitë.
– Zonjë, ju lutem, unë nuk jap lajmet e darkës. Nuk kam asgjë për tu thënë. Më mirëkuptoni. Situata është ajo që ju shpjegova javën tjetër.
– Kur do të veni përsëri tek im shoq?
– Këto ditë, i thashë për të mos caktuar një datë fikse.
– Po nesër, a të kaloj?
– Ti hajde, por nuk besoj se do të kemi të reja.
– E di, por kur ju takoj, sikur lehtësohem, prandaj edhe ju kam mërzitur me këto ardhjet e shpeshta.
– Do të më paguash edhe si psikolog, e ngacmova me të qeshur. Vuri buzёn pak në gaz për herë të parë dhe kërkoi të largohej.
Të pasnesërmen, erdhi përsëri. Kishte kaluar çdo kufi, megjithatë kafshoja buzën për të mos reaguar siç e meritonte. Megjithatë i thashë;
Një shprehje e urtë thotë se nuk duhet ti mbash sytë gjatë nga gremina, pasi i mbushet mendja edhe asaj të të shohë ty. Që do të thotë se nuk duhet ta bësh më terr se është…
Pas dy a tre vizitash të tjera, për dy javë nuk u bë më e gjallë. Shpëtova thashë me vete. Por isha mësuar unë me të se, me vizitat e shpeshta të saj. Më dukej edhe mua sikur po më mungonte. Më shkoi mendja se mos më kishin zëvendësuar. Më kishte ndodhur disa herë, ose sa herë që nuk ju premtoja ato që më kërkonin, me zëvendësonin. Thashë me vete, ashtu ka bërë. Iku edhe një javë tjetër dhe jo vetëm që nuk u duk më, por as telefon nuk më bëri! Do ta marrë, thashë me vete dhe në çast më shpërtheu një e qeshur idiote. Para dy javësh ankoheshe se tu bë ferrë çdo natë, tani ti vetë nuk po e duron dot “braktisjen”! Qenie më e ndërlikuar dhe njëkohësisht më idiote se njeriu, nuk gjendet. Sidoqoftë e mora në telefon. Zëri matanë, më erdhi si i lodhur, i zvarrgur dhe me një të folur me shumë përtesë. Paskan marrë avokat tjetër mendova dhe sapo u shtërngova me i thënë se jeni në të drejtën tuaj për të zgjedhur dhe rizgjedhur avokatë, por keni edhe detyrimin për të njoftuar të paktën, zonja mu duk se e mblodhi veten duke ndryshuar edhe parametrat e tonalitetit të zërit dhe befas më tha:
– A mos jeni në zyrë?
– Po, në zyrë jam.
– A mund të vij pesë minuta?
– Hajde, ja ktheva.
Pas rreth gjysëm ore, ra dera dhe hyri. Ishte bërë më keq se i shoqi, dyllë e verdhë. Kishte humbur edhe të ecurën e saj. E shkrehur tërësisht. Për të mos e lënë situatën ashtu në heshtje, e pyeta nëse kishte qenë sëmurë.
– Më keq, ma ktheu.
– Dmth, keni pasur ndonjë fatkeqësi në rrethin tuaj, apo çfarë?
– Vdekje jo, por më keq se vdekja. Më mallkove avokat! Gjithë këto ditë kam menduar se ju po më fshihni një gjë që unë e mora vesh e fundit.
– Të lutem, mu shpjego pasi nuk po kuptoj asgjë. Për çfarë mallikimi flet, pasi vetëm mallkuar nuk kam njeri në jetën time.
– Para dy javësh më the atë fjalën për greminën. Mos shiko gjatë nga gremina më the, se pastaj ti hedh sytë edhe ajo dhe…më ndodhi vërtetë, gremina më përpiu. E harrova tim shoq këto dy javë…dhe u shkreh në vaj, pa thënë se përse.
Diku kisha lexuar se priftërinjtë më mirë se çdo bashkëbisedues tjetër zotërojnë artin dhe mënyrën për ta shprazur një brengë, a trazim të brendshëm, nga shpirti i njeriut që mundohet nga një vuajtje e tillë dhe nga ana tjetër, e kanë të domosdoshme t’ia thonë dikujt këtë si çlirim. Rrëfimi është ti flasësh Zotit me të tretë, i cili me të tretin, nis si një komunikim në heshtje, me sy, si pjesë e gjuhës së trupit, pothuajse si në dashuri, pastaj zë e merr fjalë që dalin nga fundi i shpirtit për ti hedhur në fundin po të shpirtit të njeriut që dëgjon nga ana tjetër, me shpresën se do të përcillen në qiell, atje ku grumbullohen të gjitha mëkatet e botës, nëpërmjet të njëjtit shteg. Por kalimi nga dilema e heshtjes në atë të fjalëve, nuk se ndodh aq natyrshëm, pasi kalon nëpër ngërçe hepuese dhe frenuese të forta, prandaj kërkohet edhe mjeshtëria e dëgjuesit, e cila i përcaktohet nga një sjellje shumë e studiuar që lidhet me krijimin e mjedisit bashkëveprues të priftit, që të nisë si rrëfim, të shkrepë, por edhe të vazhdojë pasi jo rrallë ka ndodhur ndërprerja, heqja dorë, veçanërisht në ato herë që kanë pas të bëjnë me rrëfim krimesh, apo gjëra të tjera të natës së errët të shpirtit të njeriut…Është si me një lëmsh peri leshi, që tjerrësja fundin e fijes e shpërndan aq mirë sa jo çdo kush e gjen, pastaj edhe nëse e gjen, do ca mjeshtëri për ta tërhequr, pasi këputet. Prej këtej ka dalë ajo shprehja se filani ka ditë me e gjet, por edhe me e tërheq…
– Tani jam gati të paguajë çmimin e mallkimit, i thashë si me shaka, për ta nxitur të flasë, pasi nuk po kuptoja asgjë.
– Eh mor avokat! Vajza. Ju kam thënë se atë vajzë kemi, sapo mbushi pesëmëmbëdhjetë vjeç, para një jave. E kemi lindur me njëmijë halle, pas pesëmbëdhjetë vjetësh martesë.
– Është sëmurë jeni duke thënë?
– Më keq akoma tha dhe u shkreh në vajë.
– E kanë rrëmbyer, se nuk po kujtoj asgjë.
– Akoma më keq, më keq. E mjera unë tha dhe mbuloi fytyrën me duar, si të donte të mos ja shihte askush më kurrë…çfarë nëne jam unë, që më humbi fëmija e vetëm që kam. Më duket se më ka mbetur përjetë në kokë, ajo gremina që më ke thënë.
– Unë po ju ndjek, por krejt në tym, pasi nuk po kuptoj asgjë.
– Ime bijë, është shtatzënë dhe shpërtheu në vajë me ngulçe.
Pasi e mori veten pak, i thashë se çdo gjë e ka një zgjidhje.
– Përveçse hallit të bijës sime. Është pesë muajshe. Asnjë zgjidhje nuk ka. Bandilli e ka kërcënuar me jetë se nëse do ti përmendet emri, do ta vrasë. Ajo është e terrorizuar. Mjeku i ka kërkuar që të jetë sa më e qetë, por ku ta marrë qetësinë ajo? As mua nuk guxon të më thotë se kush është. Duhet të jetë nga këta kriminelët që gëlojnë kudo. Burri po, aty ku është. Kam mbetur vetëm me të dy mbi shpinë që po ma marrin shpirtin. Më ka mbetur vetëm ti jap fund jetës.
Pas këtij rrëfimi mu duk se u qetësua disi, por u zbardh e tëra, pothuajse ngriu si një statujë me sytë ngulur mbi të mitë, në pritje të xhevapit tim.
Çfarë ti thoshja? Kaluan disa minuta ashtu dhe befas u ngrit dhe u shkreh në vajë përsëri me duart rreth qafës sime. Mbetëm ashtu për disa minuta.
– Përveç teje, askujt nuk mund t’ja them këto. Më fal!
Ajo që di nga ime bijë, është vetëm se bandilli, është kriminel. Emrin e tij nuk ma thotë përsëgjalli. Ka shumë frikë. Ska as gjashtë muaj që është lidhur me time bijë. Pas njëmijë mundime, më ka rrëfyer se na punoka si badiguard me bosin ku punonte im shoq. I hurit e litarit, më tha. Megjithatë emrin kurrë nuk po ma thotë.
Më vetëtiu në tru një lidhje e ngjarjeve, por aty për aty, hoqa dorë.
– Zonjë, ndërkohë që tët bijë, ju ka thënë se ku punoka ai bandilli siç e quani ju, nuk është e vështirë për ta mësuar emrin e tij…
– Ju kuptoj, por bosi ka nja shtatë a tetë asi kallëpi dhe nuk po e gjej dot se cili prej tyre është. Ime bijë, më ka thënë se ata janë një bandë e verbër në duart e bosit, por edhe të birit. Ata përveçse i ruajnë fizikisht, ju heqin qafe konkurrentët në tendera, duke i kërcënuar me armë pas koke, ata që ju rezistojnë, ju marrin peng për pak kohë edhe familjarë të tyre, derisa dorëzohen. As që ju shkon nëpër mend, me i kallëzuar në polici, pasi bosi i ka fijet shumë lart, hanë e pinë edhe me të madhin fare. Këto i kam mësuar nga ime bijë, pas kësaj gjëmë që më ka ndodhur…
Nuk po e përdorte më fjalën “na”, por “më”, pasi ndjehej e vetme. Prapë mu rikthye ajo që më vetëtiu në tru pak më parë, por që nuk e pashë të udhës ta ndaj me të. Megjithatë e pyeta:
– A mund ta takoj tët bijë?
– Jo, pasi ajo nuk del më. As tek i jati nuk e kemi çuar, ka një muaj, pavarësisht se ai e kërkon me insistim.
– Dakord, a mund të më thoni me saktësi se kur ka ndodhur lidhja e tyre?
– Jua thashë, gjashtë muaj fiks.
Dmth, mendova se i paskan mjaftuar gjashtë muaj atyre maskarenjve, për ta ndërtuar atë plan kriminal, të shkatërrimit total të vetë ing dhe familjes së tij, por aty për aty, e urdhërova veten të heqë dorë, nga këto lidhje që mund të mos kenë asgjë me të vërtetën, megjithatë në këto përplasje me vetveten, më merrte më shumë peshë mendimi se shtatzënia, nuk ka qenë aksidentale, por…edhe që ligësia të mbërrijë deri këtu, do guxim edhe për ta menduar.
– Dua të takoj bijën tënde, e urdhërova gruan.
– Vetëm nëse do të vish më shtëpi.
– Jo, eja bashkë me të, nesër mbrëma këtu në zyrë.
Ajo u bind dhe të nesërmen mbërritën të dyja. Vajza kishte një kokë fëmije, por me trup vinte e zhvilluar. Barku duke mos qenë rritur ende, i binte në sy shumë më shumë se një gruaje shtatzënë. E përqafova duke e afruar afër vetes me dashurinë e një prindi pa bijë. Ajo mu shkreh më vajë, në gjoksin tim. Mu mblodh në grykë një lëmsh që kurrë nuk e kisha provuar më parë dhe thashë se më zu frymën. Pasi e kapërdiva me vështirësi, ja marr kokën me duar dhe ja afroj në gjoks. Mbetëm gjatë ashtu. Ajo dridhej lehtë, mua më zihej fryma, por që nuk duhej të lexohesha kurrë prej saj, as të ëmës.
Ju luta të ëmës që të na priste në zyrën tjetër. Ajo doli pa një pa dy.
– Avokat, unë nuk jua them kurrë emrin! Ai është kriminel dhe më vret. Ka bërë vrasje.
– Po si u lidhe me një vrasës, të lutem?
– Ai është ëngjëll kur e shikon, në fillim u soll shumë mirë me mua, më donte shumë, pastaj më plotësonte çdo tekë timen. Dilnim shpesh për dreka e darka.
– E njeh ti djalin e pronarit ku ka punuar yt atë vitin e fundit?
– Po, kemi ngrënë një darkë bashkë, ai me të dashurën e tij, unë me këtë timin, por nuk e dija atherë se kush ishte, e mësova vetëm muajt e fundit, kur pashë një foto sëbashku me të, në kantierin ku punonte im atë.
– Çfarë biseduat, e mban mend?
– Jo, vetëm se më ka mbetur në kujtesë një fjalë e tij që i tha këtij timit se tani e paske qëlluar tamam dhe qeshën të dy.
– Sa i kujdesshëm ishte me ty, në mardhënjet tuaja intime?
– Asnjë kujdes nuk bënte, që herën e parë, ai…ai as prezervativët nuk i përdorte fare, sikur e kishte për qëllim për të më lënë shtatzënë.
– Sa e sigurtë je në këtë?
– Shumë e sigurtë.
Ai vizatim i papërcaktuar, që më kishte vetëti në tru, tani po merrte ngjyra të forta. E tmerrshme, mendova me vete. Si ka mundësi që mendja e njeriut të prekë skaje të tilla…aq sa të shkatërrojë totalisht një familje…
Thirra të ëmën dhe pas pak, i thashë se tanimë jam i qartë për gjithçka.
– Për çfarë, më pyeti.
– Asgjë, ndoshta do jua them ndonjëherë, por tani për tani, e kanë radhën të tjera gjëra…
Nuk kam për ta harruar kurrë, atë largim nënë e bijë prej zyrës sime, si dy qyqe që nuk dinin as se çfarë ju kishte ndodhur, as se ku po shkonin…
Pas një jave, gruaja, më takoj përsëri sëbashku me personin që kishte ardhur ditën e parë.
– Avokat, ja nisi djali, ne i dimë se si bëhen këto punë. Javën tjetër është caktuar dita e gjyqit. Kemi në dispozicion një sasi të hollash për ta kryer këtë punë, pasi në asnjë mënyrë nuk mund ta lëmë më aty ku është, sepse edhe me shëndet nuk ka qenë mirë dhe, me ba vaki me na ndodh ndonjë e papritur, ne nuk kemi ku dalim më, me na pa kush. Prandaj na thuaj.
– Kodi im etik dhe profesional, nuk më lejojnë ndërmarrje të tilla.
– Ne na kanë thënë ndryshe. Na kanë thënë se ju i kryeni këto punë. Gjithashtu na kanë thënë se keni shumë njohje dhe ju ecën fjala, ne po që jemi gati si dhe sa të na thuash. Kështu bëhen këto punë.
– Ju falënderoj për konsideratën, por puna ime shkon deri tek mbrojtja sa më e mirë. Më tutje, nuk mundem. Më vjen keq.
– Ne që do ta zgjidhim, do ta zgjidhim këtë punë, por menduam se do ta kryenim bashkë, e mbylli frazën si me tërsëllimë nipi i gruas.
Unë heshta, si për tu thënë se vazhdimi i kësaj bisede, nuk ka më kuptim. U ndamë.
Dy ditë përpara seancës, erdhёn përsëri dhe më thanë se i kemi mbyllur punët. Kemi paguar shumë, por rrugë tjetër nuk kishte. Ti bëj mbrojtjen si di ti dhe aq. Seancën tjetër, pas kësaj ai lirohet, kjo ka rëndësi. Nuk ka përse tjua mbajmë sekret, ne kemi dhënë…
– Stop, stop. Ju lutem nuk dua të di asgjë!
– Jo, po ne nuk mund të rrimë pa ju thënë, se jetojmë në një botë katastrofike. Ai burrë që i kurseu shtetit afër njëmiliard e gjysëm lekë, pastaj i rrasin në xhep ata që nuk i morën ato lekë, pa i kërkuar njëmilon të vjetra dhe përfundon në birucë gjashtëdhjetë e katër vjeç, si të ishte kriminel me damkë! Atëherë ne u shtrënguam nga ana jonë, në përputhje me botën që jetojmë, për të mos na ndodhur ndonjë e pabërë. Kaq e thjeshtë është.
Llogaritë, po më rrotulloheshin si goglat në kazanin e lojërave të fatit.
Filloi seanca. Solemnitet absolut.
– U thirr e u paraqit filani, i biri i dhe i datëlindjes, i padënuar, me profesion inxhinier, akuzuar për veprën penale të korrupsionit pasiv sipas nenit këtu e atje. Keni të drejtë të mbroheni vetë, ose me avokat. Dakord. Avokat ngrihu në këmbë, ulu i pandehur, të dhënat profesionale, dakord me mbrojtjen, ulu, akuza çfarë ka për të thënë? Dakord! Ngrihu avokat! I pandehuri dakord…kërkesa të tjera, dakord, miratohet, dakord. Kalojmë në konkluzionet? Dakord? Ulu, ngrihu avokat, ulu i pandehur, dakord.
Që prej fillimit të seancës, nuk më hiqej nga mendja sikur më rrotullohej në sallë Sokrati i Famshëm, i mbështjellë ashtu si ai, pasi e pyetën se përse ishin grumbulluar aq njerëz në sheshin Agora? Ai ju përgjigj; ashtu kot, disa të mëdhenj, dënojnë një hajdutë të vogël…
Tiranë, më 25. 04. 2024
ObserverKult
Lexo edhe:
BETIMI I HIPOKRATIT, VERSIONI ORIGJINAL, PËRKTHYER NË SHQIP. LEXOJENI!
Koha e Hipokratit, apo e Hipokritit….?!
Ky version origjinal i “Betimit të Hipokratit”, është kod jetëdhënës për njeriun, pavarësisht profesionit…
Unë i betohem Apolos, mjekut dhe Asklepit, kirurgut, po ashtu dhe Panakeas, dhe i thërras të gjithë zotat dhe perëndeshat të dëshmojnë.
Unë do të respektoj dhe do të mbroj këtë betim, me fuqinë më të madhe dhe gjykimin më të lartë.
Do të nderoj mësuesin që më mësoi artin. Sikundër prindërve të mi, do t’i jap atij mjetet e nevojshme për mbështetje, dhe do t’i konsideroj bijtë e tij si vëllezërit e mi.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult