Birra, kërnacka dhe kallashnikov

Genti Çela

Goran Bregoviç me gjasë do të jetë në Festën e Birrës që organizon çdo vit Bashkia e Korçës. Qytetit juglindor i duhet pranuar vokacioni perëndimor që ka prodhuar një sërë intelektualësh safi e patriotësh që u duhet t’u jemi mirënjohës.

Nga Genti Çela

Parisi i Vogël i tyre do të oshëtijë nga dehja e tarabukave serbe ndërthurur me tupanat turke, përzierjeve bullgare e rome të kënduara serbisht, gjuhë që dyshoj se ndonjë korçari i ka interesuar ta njohë. Bregoviç paskësh paditur një prift serb pasi në një dokumentar, kleriku e akuzon si një plagjiat të folklorit cigan.
Konglomerat kopjesh që ndoshta do i shkonte më shumë një feste rakie të fortë e të zier dy herë.

Megjithatë aksioma italiane se të gjitha shijet janë të drejta (tutti i gusti sono gusti) mund të bëjë vend edhe këtu. Por shijet në këto rradhë nuk janë çështja.

Miku i Millosheviç, i Mlladiç, i Sheshel, ishte frymëzuesi i pathosit paramilitar për Tigrat e Arkanit, gjatë masakrave në Kosovë, nën tingujt e këngës me komanda ushtarake, Kallashnikov.
Deklaratat e tyre mbi shfarosje shqiptarësh, nuk besoj të kenë patur ndonjë përjashtim për shqiptarët e Korçës.

Çdokush do të ëndërronte një botë të fqinjësisë së mirë ku arti e sporti bashkojnë, ku shtetet tejkalojnë veten, ku një partiturë mund të shuajë një konflikt dhe të prodhojë ide kulturalisht përbashkuese.

Por kjo duhet të ndodhë si pasojë e një racionaliteti e reciprociteti. Si pasojë e një respekti të ndërsjelltë ku prindërit nuk kërcënojnë të vegjëlit në djep me fjali të tipit “Sillu mirë se do i them shqiptarit!”

Një popull i frustruar nga politika e tyre inatçore, qesharakë në arrogancën patetike ndaj nesh.
Ende në akset e rrugëve të Serbisë shkruhen grafite armiqësore e neveritëse me gërma kapitale “VDEKJE SHQIPTARËVE”, “SHQIPTARI I MIRË-SHQIPTARI I VDEKUR” që psikopatë të ndryshëm shkaravisin në muret e inferioritetit të tyre. Në evente ndërkombëtar ku Serbia merr pjesë, dëgjohen sharje të ndyra nga paleta e pasur e sharjeve serbe.

Ftesa si kjo për Bregoviç, vetëm sa ndihmon në larjen nga fajësia dhe nga brejtja e ndërgjegjes për vrasjet masive, përdhunimet dhe për të zhdukurit pa një varr.

Përçudnimi i ndërgjegjes tonë kombëtare vitet e fundit, legjitimon njëfarësoj një vetposhtërim kolektiv që nis nga ide minishengase e sojit “Evropi nuk na do, por me ne është Peqini dhe Kavaja” (Viti i mbrapshtë – I Kadare).
E vërteta e Serbisë është Kosova dhe se është Serbia ajo që duhet të çlirohet nga Kosova – shkruan Kadare.

Por Kosova vazhdon të jetojë nëpër cepat e errët të trurit të tyre. Punojnë dita-ditës për tërheqje e njohjeve të Kosovës me një diplomaci obeze dhe kanë ngritur një ministri vetëm për Kosovën.
Politika e tyre ngjason me një pllakë gramafoni nga koha e grupit Bijelo Dugme. Pllakë e prishur që prodhon të njëjtët tinguj të çjerrë antishqiptarë vazhdimisht.

Kosova nuk mund të shihet nga ne si një çështje parciale, e ndarë nga viset e tjera shqiptare. Dikur një çështje e vagët, falë bashkëpunimit të shqiptarëve kudo në botë, vezulloi dhe tërhoqi vëmendjen e ndërkombëtarëve.
Falë këtij vezullimi, fituam luftën shekullore.

Pyetja është, a do mundim të fitojmë luftën me veten ?
Sot nuk duhet të humbasim paqen si shkak i mungesës së syçeltësisë së politikave të gabuara nga shteti amë.

Dua Lipa, Rita Ora, Ermonela Jaho, Ramë Lahaj apo këngëtarë të tjerë të mrekullueshëm shqiptarë, as mund të imagjinonin një ftesë për të kënduar shqip në Serbi.
Prandaj Bregoviç edhe për këtë arsye, duhet refuzuar.
E këndëshmja dhe e dobishmja – dulcei et utilei, nuk mund të gjejnë terren në këngët e asnjë albanofobi, të asnjë urrejtësi për cilindo komb mbi dhé.

Leksionet për të qenë openmind e tolerant, kontemporan a brroçkulla të ngjashme, që vijnë këto ditë nga tipa OJQ-sh shoqërish të hapura, pacientë potencialë të Sindromës së Stokholmit, duhen refuzuar njësoj si refuzimi i ndotjes akustike që shkakton turbo-ja e Goranit.

Ndoshta një ditë shqiptarët e Kosovës do të duhet të falin serbët pas një proçesi të plotë të njohjes Kosovës dhe të genocidit të tmerrshëm.
Ndoshta një ditë shqiptarët e Kosovës na falin edhe ne, shqiptarëve të vendit amë për lajthitjet hera-herës.

Kennedy thotë “Fali armiqtë, por mos harro emrat e tyre.”
Ndoshta një prej tyre quhet Goran.