Çka ishte ai bisht flokësh te burrat shqiptarë…

Bishti i flokëve te shqiptarët

Në vizatimet dhe tablotë e orientalistëve të huaj për Shqipërinë dhe në përshtypjet e udhëtarëve të huaj në vendin e Shqipeve gjatë shekullit XVIII-XIX. Dhe gjithnjë pyesja veten se përse ajo tufë flokësh lihej ashtu e vetmuar, majë kokës. Përse vallë një zakon i tillë te shqiptarët, ndryshe nga popujt e tjerë?

Nga Luan Rama

Dhe jo shumë kohë më pas, duke iu rikthyer librit me kujtime të konsullit francez në Shkodër, Alexandre Degrand, në vitet 1893-1899, (Kujtime nga Shqipëria e Epërme – Souvenirs de la Haute Albanie) gjeta shpjegimin e kësaj pyetje të çuditshme. Edhe ai i kishte pikëtakuar këta malësorë në pazarin e Shkodrës apo kur kishte udhëtuar me ta në fshatrat e Hotit, Drishtit, Shurdhahut, Shllakut apo në malin e Mnellës për të shkuar në Mirditën e habitshme dhe të humbur si një tokë e largët kristiane; edhe ai kishte bërë të njëjtën pyetje. Papritmas konsulli kishte zbuluar këtë zakon dhe domethënien mitologjike të asaj tufe flokësh në kokën e malësorit shqiptar.

“Në kohën kur praktikohej ajo që të mundurve u pritej koka, zakoni për ruajtur kokën dhe për të lenë veçmas një tufë të gjatë flokësh majë kokës ishte te muslimanët shqiptarë dhe më pak te katolikët. Dhe kjo bëhej që të ishte e mundur që koka e prerë të kapej dhe lëvizej lehtë, pa i futur gishtat në gojë… Madje fëmijëve u bëheshin tatuazhe që të mund t’i njihnin”. E habitshme këto koka fëmijësh me tatuazhe emrash apo shenjash pagane që të afërmit të mund t’i njihnin një ditë kokat e tyre të prera.

Është pra fjala për kokën e prerë, diçka që vjen nga mugëtirat e kohës, pasi antikiteti është i mbushur me përjetime të tilla që me Dhjatën e Vjetër, koka të prera, të pikturuara nga një rradhë gjenish të artit, nga Davidi qê prêt kokên e Goliatit apo mermeret e Meduzës me kokën e prerë te tabloja e Boticelli-t, me kokën e ndëshkuesit të tmerrshëm të hebrenjve të persekutuar, Holofernë-s, sipas librit të Juditës në Testamentin e Vjetër, apo në veprat e artistëve të tjerë të mëdhenj, nga Mikelanxhelo, Cranach te Gericault, e shumë të tjerë.
Këto tablo, që nga koka e Shën Jean Baptiste, të prerë si një tekë e Salomesë në oborrin e mbretit Herod e më tej (Caravaggio na e ka dhënë me një force të madhe dramatike), kanë shoqëruar për së tepërmi shoqërinë e Europës së vjetër gjer në historinë e gijotinës dhe në vitet që pasuan, për çka, një ekspozitë e hapur kohë më parë në Musée d’Orsay në Paris, për gijotinën, e tregonte qartë këtë udhëtim makabër të gijotinës dhe të kokës së prerë, ku një gijotinë origjinale e fshehur s’dihej ku, ishte sjellë dhe vendosur aty për të qëndruar ashtu hijerëndë, gjithnjë kërcënuese, me tehun e mprehtë që preu dhe vetë kokën e doktor Gijotinës, shpikësit të saj.
E atje, në atë sfond, qëndronte një pikturë e Victor Hugo-së, (Justitia), me një kokë të prerë të kohës së Robespierit… Kështu, që nga historiani grek Straboni që na tregonte se kokat e prera i kapnin në mamuzet e kuajve dhe pastaj i vendosnin në muret e shtëpive të tyre apo sundukë, si trofe fitoreje, ato u shfaqën më pas mbi kuajt e stradiotëve shqiptarë (një kokë e prerë – një dukat) në luftrat e Italisë dhe të Francës në shekujt XV-XVI, ku kokat e prera dëshmuan një nga bëmat më të çmendura të shoqërisë njerëzore, e që çuditërisht e gjejmë deri në këtë foto shqiptare të dy dhjetvjeçarëve të parë të shekullit XX.

Dhe unë përsëri pyes veten. Përse shqiptari, i cili nuk e shijoi zulmën dhe zallahinë e Revolucionit Francez, e la tufën e flokëve të tij majë kokës, me idenë se koka do t’i pritej, shpejt apo vonë. Dhe në fund të fundit përse prerja e kokës?
Vallë si simbol i pjesës tjetër të trupit? Si një pamundësi për të treguar trofenë të tërë? Vallë një kokë e prerë trembte më shumë?
Nga ndryshonte kjo barbari nga djegja e njerëzve, nga turrat e druve në kohën e Inkuizicionit, nga koha e shtrigave të Salemit siç na i përshkruajnë kronikat historike apo një mizanskenë e jashtëzakonshme e Arthur Miller?
Duket se shqiptari i ka bërë sfidë gijotinës, barbarize: ai e ka përgatitur vetveten, ka jetuar bashkë me vdekjen, pa patur frikë nga ajo, duke jetuar me të gjer në pritën e fundit.

Ja pra kjo fotografi nga e kaluara shqiptare, një “memento mori” për kohrat që vijnë. Por nëse këta shqiptarë e linin tufën e flokëve për një përkujdesje kozmetike dhe krenarie, sot kjo në botën asasine të zonës arabo-aziatike të terrorizmit islamik bëhet në barbarinë më ekstreme, gjer në kokat që i shqelmojnë si top futbolli…

Le ta ruajmë këtë fotografi si një kujtesë historike edhe pse barbaria na i shfaq ende kokat e saj në horizontet e largët. Por Hugo nuk e kishte parashikuar një barbari të tillë kaq llahtarëse…

ObserverKult