Bislim Ahmetaj: Më dhimbsen pemët që priten për të botuar libra të trashë!

bislim ahmetaj

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari, Bislim Ahmetaj

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

Arbri, vëllai im, tashmë shkrimtar i afirmuar, kur ishim fëmijë çdo lekë që i binte në dorë e harxhonte për blerje librash. Mua më dukej mënyra më barbare dhe idiote për harxhimin e parave, pasi unë ato pak lekë që më binin në dorë aso kohe, kisha filluar t’i blija cigare.

Kur shkova në shkollën e mesme diçka u këput nga ëndrrat e mia, e ndjeva shumë mungesën e familjes dhe veçanërisht të Arbrit, kështu që nisa të shkruaj poezi në një fletore me katrorë, 16 lekëshe, e cila kishte plot 64 faqe.

Dega që më ishte imponuar të ndiqja s’kishte asnjë lidhje me letërsinë, saktësisht studioja për “teknik shpimi” apo si quhej në zhargonin e kohës për “sondist”. Që në vitin e parë u angazhova në rrethin letrar të shkollës, në pranverë të atij viti, dy poezi të miat u shfaqën në “Këndin e Letrarit të Ri”. Njëra i kushtohej heroizmit të Bajram Currit dhe tjetra Pranverës. Këto dy poezi u përfshinë edhe në njëfarë “Libri” me një emër të çuditshëm që shumë kohë më vonë e kam mësuar se çdo të thoshte “Vademekum i letrarëve të rinj të Shkollës së Mesme 8 Nëntori”. E zgjata përgjigjen por besoj se lipsej, ky ka qenë takimi im i parë me botimin.

Kur ratë në “grackën” e saj?

Kur fillova të lexoj, punë të cilës s’ju kam ndarë asnjëherë. Për fat s’kam harxhuar shumë kohë duke lexuar letërsi të dobët dhe mediokre, këtë fatmirësi prapë ja dedikoj Arbrit, i cili ishte akoma më me fat se unë, pasi atij ja rekomandonte librat, poeti ynë kombëtar, Hamit Aliaj, të cilin e kishim jo vetëm mik, por edhe një përkrahës dhe dashamirës të jashtëzakonshëm.

Pra leximi dhe dëshira për të thënë të vërtetën time me shkrim më kanë yshtur të bie në “grackën” e të shkruarit.

Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

Nuk e di a ka ndodhur akoma me mua kjo ndjesi, por kanë qenë miqtë e mi poetë, shkrimtarë, gazetarë, piktorë, aktorë. Kanë qenë lexuesit dhe ndjekësit e mi ata që më kanë inkurajuar që duhet të shkruaj, sepse ja vlen.

A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

Kësaj pyetje i përgjigjem çdo ditë dhe bilez si shkrimtar “dembel” që jam e ndjej veten shumë borxhli: Shkruaj, sepse kam çfarë të them, shkruaj sepse i kemi borxh lexuesit shqiptar, por edhe atij të huaj t’i zbulojmë qindra mijëra ngjarje nga jeta e jashtëzakonshme e shqiptarëve. Nga traditat me të mira, deri tek degradimi prevers, nga vuajtja ekstreme, tek lumturia e amshume.

Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?

Ndoshta është pak egoiste, por unë mendoj që e veçanta ime si shkrimtar është e vërteta, përpjekja për ta sjell personazhin dhe ngjarjen ”lakuriq”.

Njëlloj si atëherë kur ngjarja është triller, po ashtu edhe kur ajo është  reale. Unë preferoj dhe flas me gjuhën e personazheve, pa ledhatime, pa spërdredhje dhe stërgjatje të kota, s’është motoja ime të prodhoj libra të trashë. Në këtë aspekt edhe pse pak cinik, po tregohem edhe pak natyralist, mua më dhimbsen pemët që priten për të shkruar libra të trashë, kur është e mundur që të shkruhen libra pak më të hollë që thonë më shumë.

Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

Deri tani kam botuar katër vëllime me poezi, dy përmbledhje me tregime, dy libra me ese dhe shkrime kritike. Me poezinë besoj që kam thënë shumëçka, sepse vet poezia si art i rrufeshëm dhe superior ka mundësinë ta përcjell mesazhin dhe gjendjen emocionale tek lexuesi i vemendshëm sikur të ishte një roman, apo një serial televiziv. Në prozë jo akoma, edhe pse miqtë e mi profesionistë e vlerësojnë shumë tregimin tim si nga forma ashtu edhe nga përmbajtja.

Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

Kur iluzoj them që ka mbetur akoma aq shumë pa thënë dhe shkruar, sa shpesh mendoj që s’ja kam nisur, apo akoma s’kam mundur të them asgjë.

Të gjithë shkrimtarët shqiptarë sipas meje i kanë një borxh të jashtëzakonshëm lexuesve shqiptarë, por në mënyrë të veçantë atyre evropianë dhe botërorë. Cili është ky borxh gjithmonë sipas meje?!?

Përcjellja me realizëm, vertetësi dhe detaje e periudhës së errët të komunizmit. Ka përpjekje në këtë fushë, por mbeten të zbehta dhe të pamjaftueshme. Përveç At Zef Plumbit, Visar Zhitit, Fatos Kongolit, Fatos Lubonjës, Arbër Ahmetajt dhe ndonjë tjetri akoma epoka e diktaturës komuniste në Shqipëri është një shpellë e errët për literaturën dhe historinë e shqiptarëve brenda dhe jashtë territoeve të saj.
Ka mijëra shqiptarë në Kosovë që akoma besojnë që në kohën e diktaturës së Hoxhës shqiptarët e Shqipërisë ishin të lumtur dhe fanar ndriçues në Ballkan. Ky është edhe faji i letërsisë dhe i shkrimtarëve.

Kjo do të jetë edhe miniera ku unë do t’i gjej mademet për të thënë gjanat e pathana në letërsi, por jo vetëm…

I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

Muzës i besoj, përvujtnisë së punës së pareshtur jo. Kjo është çështje karakteri, karakteri është dhuratë e Zotit dhe gjenezës, përpunohet, përsoset, por në thelb nuk ndryshon.

Sa jeni sistematik në të shkruar?

Para disa vitesh më ka ndodhur një “fatkeqësi” që ka ndikuar shumë në prishjen e të shkruarit sistematik. Kisha nisur të shkruaja një roman, apo si të thuash romanin e jetës. Shkruaja çdo natë nga një, deri në dy orë. Mbërrita tek faqja e njëqind apo më shumë në “word”,  isha i lumtur dhe entuziast që po shkoja drejt fundit. Ndodhi, që unë ose ndonjëri prej fëmijëve të mi dha një komandë të gabuar në laptopin tim dhe gjithçka m’u shkatërrua. Kompjuteri u kthye në origjinë, fshiu gjithçka. S’lashë teknikë dhe laborator pa përdorur që t’mi kthente materialet e “prishura”, më ktheu deri edhe shënimet më të parëndësishme, foto dhe sende të pavlerë por jo “romanin e jetës”. Ky fakt ma rrënuar përkohësisht të shkruarin sistematik. Ndoshta do të rikethehem prapë tek ajo teknikë profesionistësh, por jo tani për tani.

Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

Sikur të ndodhte kjo mrekulli 99% të gjërave që kam ba në jetë deri sot do t’i ribëja përsëri. Nëse do ishte kurioz lexuesi juaj se çka përbën ai 1%-i  do t’i përgjigjesha me shumë ndershmëri dhe sinqeritet se do të mundohesha t’i bëja 99% më mirë të njëjtat punë dhe angazhime që kam kryer dhe vazhdoj të kryej tash e 56 vite.

ObserverKult


bislim ahmetaj

Lexo edhe:

BISLIM AHMETAJ: TIRANËS JU KANË THARË PUTHJET

BISLIM AHMETAJ: JETO O NJERI!

BISLIM AHMETAJ: HALUCINACION