Bislim Ahmetaj: Udhëheqësi i Birinxhukit

bislim ahmetaj



Udhëheqësi u zgjua nga gjumi rreth mesditës. Sekretarja që rrinë gjithmonë në paradhomën e gjumit  e din përafërsisht se kur çohet shefi i saj. Bëri sikur trokiti dy herë, më shumë si rutinë protokolli  se sa si veprim fizik. Hapi derën dhe me kafen që nxirte re të mjegullta avujsh vendosur mbi një tabaka argjendi uroi shefin me togëfjalëshin e përhershëm: Si fjete shef?
Udhëheqësi si për t;i kursyer fjalët nuk ju përgjigj interesimit të sekretares për cilësinë e gjumit të tij, veçse ngriti pak vetullat e zeza si bisht miu, shenjë që nënkuptonte që shefi kishte bërë një gjumë të shëndetshëm.
Pas këtij gjesti  i tha sekretares që t’ja thërriste urgjent këshilltarët.
– S’dua të mungojë askush, shtoi kumbueshëm.
S’kaluan dy tre minuta dhe të gjithë u gjendën në paradhomën e gjumit të udhëheqësit.
Edhe pse në opozitë me derën e dhomës së gjumit ishte një derë që të çonte tek një sallë e vogël mbledhjesh ajo  i urdhëroi këshilltarët që të futeshin në dhomën e gjumit, pasi, sipas saj ishte shumë urgjente.
Sipas besueshmërisë dhe lidhjeve familjare që kishin me shefin e tyre u vendosën në të dy anët e krevatit, katër në anën e djathtë, katër në anën e majtë  dhe katër prej tyre në anën ku shtriheshin këmbët e gjata e të thata të udhëheqësit.
Udhëheqësi u përpoq të ngrihej në brryla, por dy këshilltarët që ishin pranë kokës së tij i rrasën poshtë kresë jastëk që të mos mundoheshin muskujt e flashkët të shefit.
Pasi u rehatua mbi jastëkët e butë i puliti sytë dy a tri herë. Këshilltarët e dinin që kjo shenjë tregon që ai vetëm pas pak sekondash do të fliste dhe i përqëndruan shqisat e dëgjimit në maksimumin e tyre fiziologjik.
– Çfarë mendojnë njerëzit për mua?, e lëshoi më në fund pyetjen shefi.
Ata të 12 këshilltarët e tij u përgjigjën njëzëshëm: – Asgjë shef.
Fytyra e shefit u mjaltëzua nga një buzëqeshje naive dhe ashtu siç ishte mbi jastëk u rrotullua përmbys.
Koka e tij humbi mes jastëkëve të butë.
Nuk kaluan as tridhjetë sekonda dhe tingujt e një gërhimë të hollë pushtuan ajrin e dhomës. Ky ishte edhe sinjali zanor që mbledhja kishte mbaruar. Këshilltari që ishte afër këmbës së tij të djathtë bëri një rrotullim 180°, hodhi dy hapa të lehtë përpara, dhe me dorën e tij të djathtë rrotulloi bravën ngjyrë ari të derës. Pasi e hapi atë  me dorën e majtë të shtrirë gjithë xhentilesë ftoi kolegët e tij të dilnin nga dhoma e gjumit që ishte edhe zyra e shefit të tyre dhe e udhëheqësit të një pjese të popullit të shtetit Birinxhukit.

Tiranë, më 13 korrik 2019

ObserverKult