Shtriheshin dritat mbi det…Sa gjatë!
Edhe muzika duke u shtrirë.
Unë me veten, vonë, natë
Dhe këtu pranë një shishe birrë!
Diçka mungonte si për dreq
Në ajrin mbytës të zagushis.
Nuk di mendjen si t’a heq
Udhëve të shpirtit mos t’më degdis!
Ti nuk e di si ndahet shpirti
E ndjek dëshirat mjegullës së gjerë
Edhe k’të herë, shpëtoi zinxhirit
Edhe k’të herë, si qindra herë!
Ti nuk e di si humbin fjalët
Si bëhen lot dhe lëmsh në fyt.
Më duken zjarr të nxehta, valët
Edhe ky det sikur më mbyt!
Birra i shtyn, por lotët s’ shkulen
U dogj dhe shpirti si të jetë kashtë.
Njerëz të dehur pranë më ulen
Lotët nuk shkulen, as dalin jashtë!
Ti nuk e di si vijnë mëngjeset
E ç’ ethe sjellin rreth orës gjashtë!