Nga Blerim Latifi
Asgjë nuk është analfabetizmi grafik (paaftësia me shkru e me lexu pa probleme), në krahasim me analfabetizmin konceptual ( paaftësia me kuptu përmbajtjen abstrakte të një teksti).
Që nga themelimi i saj, shkolla shqipe në Kosovë ka vuajtur nga një problem fundamental: metoda e të mësuarit mekanik.
Kjo metodë nuk kërkon mendim të thelluar mbi përmbajtjen që lexohet, por vetëm memorizim të saj dhe pastaj raportim para mësuesit apo profesorit.
Posa të kryhet procedura e memorizimit dhe e raportimit, fillon procesi i harrimit. Nxënësi dhe studenti e harrojnë atë që e kanë memorizuar mekanikisht. Kështu ata i kalojnë të gjitha fazat e shkollimit duke mos e përvetësuar kompetencën themelore të cilin duhet ta mundësojë një shkollë moderne: kompetencën e të menduarit kritik.
Me vite ne flasim për reforma në arsim, por kurrë askush nuk e ka marrë seriozisht faktin se kjo reformë duhet të fillojë pikërisht nga eleminimi i traditës së të mësuarit mekanik.
Vetëm kur kjo të ndodhë atëherë nxënësit e studentët do të fillojnë të mendojnë, e bashkë me ta edhe mësuesit e tyre. E tek pasi të fillojnë me mendu, nisin edhe me kuptu atë që e lexojnë.
Sokrati, njëri nga themeltarët e të menduarit kritik në filozofinë perëndimore, u thoshte miqve të tij: “Unë nuk mund t’i mësoj askujt asgjë. Unë vetëm mund t’i bëj njerëzit të mendojnë”. Në fakt ai donte t’u thoshte atyre se aftësia për të menduar në mënyrë kritike është rruga që shpie tek dituria. Kush ndjek rrugë tjetër do të përfundojë në injorancë. Në mënyrë të sigurtë.
ObserverKult
lexo edhe:
BLERIM LATIFI: DEBATI FILOZOFIK MBI RRËNJËT E TË KEQES
BLERIM LATIFI: HISTORIA TRAGJIKE E ÇIKAVE TË KOSOVËS
BLERIM LATIFI: KULTI I SHTËPISË TEK SHQIPTARËT