Blerim Latifi: Sfera publike është nën hegjemoninë diskursive të mendimit amator!

blerim latifi duhani kaçak
Blerim Latifi

Nga Blerim Latifi

Tri dekada më parë sociologu francez Pierre Bourdieu e kritikonte televizionin se kishte imponuar në debatin publik një kategori të folësve që ai i quante “fast – thinkers”. Një fast thinker është dikush që aty për aty të jep një mendim të shpejtë, pa përfillur standartin e referimit në prova empirike. Kjo e determinon faktin se një fast thinker në shumicën e kohës operon me hamendje, spekulime, me klishe dhe përgjithësime banale. Ai i ngjan njeriut që flet mbi përmbajtjen e një libri të cilin kurrë nuk e ka pasur në dorë.

Bourdieu ka vdekur 22 vjet më parë, ndërsa gjërat për të cilat ai shqetësohej kanë ardhur duke u përkeqësuar.
Derisa televizioni kishte sajuar kultin e fast-thinkerëve, interneti dhe rrjetet sociale kanë sajuar atë që Andrew Keen e quan “kulti i amatorit”.

Sot sfera publike është nën hegjemoninë diskursive të mendimit amator. Një amator është dikush që flet mbi një çështje në mungesë të kompetencës së verifikuar profesionale për këtë punë. Në epokën e mendimit amator standarti kryesor që lypset nuk është fuqia e argumentit logjik, as ekspertiza e verifikuar, por fuqia e gurmazit, fuqia për të dominu mbi të tjerët përmes superioritetit në prodhimin e zhurmës.

Njëherë, në Romën e Lashtë, gjatë një debati në Forum një sorrë ra për tokë, e hutuar nga zhurmat e mëdha që bëheshin aty. Një plak u tha të pranishmëve: Kjo është shenjë e keqe, paralajmëron fundin e republikës sonë. Nuk vonoi dhe profecia e tij u përmbush me shkatërrimin e Republikës romake pas Cezarit.
Shndërrimi i demokracive në garë llafazanësh herët a vonë shpie në fundin e tyre. E fundi i tyre dihet çfarë sjell. Ata që vendosin ligjin e një tregimi të vetëm në qytet. Bashkë me heshtjen që nënkupton ky ligj.

ObserverKult

Lexo edhe:

BLERIM LATIFI: HISTORIA E NJË GRYKE

BLERIM LATIFI: DEBATI FILOZOFIK MBI RRËNJËT E TË KEQES